• e shtunë, 23 nëntor 2024

Kovaçevski: Të gjitha detajet rreth bisedimeve për qeverinë teknike do të dihen me kohë - deri më 25 janar

Kovaçevski: Të gjitha detajet rreth bisedimeve për qeverinë teknike do të dihen me kohë - deri më 25 janar

Shkup, 29 dhjetor 2023 (MIA) - Kryeministri dhe kryetar i LSDM-së Dimitar Kovaçevski sot deklaroi se takimi me kryetarin e VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski do të ndodh vitin e ardhshëm, para ose pas festave. Ai thekson se të gjitha detajet rreth bisedave për qeverinë teknike do të dihen në kohë.

"Takimi përfundimisht do të jetë vitin e ardhshëm, do të shohim, para ose pas festave. Ajo që të gjithë e pamë nga mediat është se pas 31 dhjetorit VMRO-DPMNE do të mbajë një takim se cilët do të jenë përfaqësuesit e tyre në qeverinë teknike. Sa i përket Qeverisë, do të bisedohet në nivel të koalicionit, në nivel të pjesëmarrësve në Qeveri dhe të gjitha detajet do të dihen me kohë, përkatësisht deri më 25 janar", tha Kovaçevski në hapjen zyrtare të sallës sportive "Naum Naumovski – Borçe" në Komunën e Karposhit.

Kryeministri theksoi se LSDM tashmë gjatë kësaj jave i ka përfunduar të gjitha procedurat.

Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari, Kovaçevski theksoi se pozitën e Artan Grubit si zëvendëskryeministër nuk e konsideron "aq të rëndësishëm sa të ekspozohet". Ai thotë se "është vetëm një nga zëvendëskryeministrat".

Kryeministri tha gjithashtu se punësimi i 1.117 personave në institucionet publike shëndetësore nuk është pjesë e punësimit parazgjedhor, por siç tha ai, bëhet fjalë për persona që tashmë punojnë në ato institucione.

"Nuk do të thosha se janë punësime parazgjedhore, madje nuk janë as punësime parazgjedhore, sepse bëhet fjalë për 1.117 persona që tashmë janë të angazhuar në shëndetin publik. Ju e dini që ministri i Shëndetësisë e ka marrë si përgjegjësi të tij, duke pasur parasysh se ata njerëz janë vërtet të nevojshëm në shëndetësi, disa janë mjekë, disa janë infermierë, disa janë staf ndihmës dhe nga ata varet funksionimi i një numri të madh të institucioneve. Tashmë janë në sistem, por me të drejtë ministri ka dashur që të zgjidhet statusi i tyre sepse disa prej tyre po largohen nga shëndetësia publike dhe tashmë po marrin njohuri që janë të nevojshme dhe që nuk kompensohen aq lehtë. Në fund dolën konstruktiv me ministrin e Financave, u siguruan mjete financiare, sepse gjithsesi po paguhen tashmë. Për këtë vit janë siguruar mjete financiare për ata që mund të krijojnë marrëdhënie të rregullta të punës në baza të rregullta", tha Kovaçevski.

Kryeministri njoftoi se në të ardhmen do të përfundojnë edhe transformimet tjera në institucionet shëndetësore publike.

"Nuk bëhet fjalë për ndonjë punësim parazgjedhor, sepse janë njerëz që tashmë punojnë në ato institucione dhe të gjithë ne që shkojmë në shëndetësinë publike i kemi takuar dhe kemi qenë pacientë të tyre dhe kemi marrë shërbime prej tyre. Nuk bëhet fjalë për të punësuar të rinj", tha Kovaçevski.

Në pyetjen e gazetarëve rreth anketave të publikuara për rejtingjet partiake në prag të zgjedhjeve, ai theksoi se rezultatet e anketave në ciklet e fundit zgjedhore janë konfirmuar si të gabuara dhe theksoi se më 8 maj fitues do të jetë koalicioni i udhëhequr nga LSDM.

"Unë jam një person jashtëzakonisht i motivuar dhe ka shumë sondazhe që tregojnë rezultate të ndryshme. Unë jam një person që drejtohem nga puna dhe që nxitem nga arritja e qëllimeve. Unë nuk ulem në selinë e partisë sime bashkë me kolegët e kryesisë dhe të nxjerr sondazhe që ne kryejmë për ta bërë më mirë për ne, por përkundrazi jemi çdo ditë në terren me qytetarët dhe në terren me vënien në punë të objekteve dhe projekteve të reja. Qytetarët mund ta kuptojnë këtë dhe në fund të 8 majit fitues do të jetë koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja, sepse nga ato burime të sondazheve ka pasur opozitë në zgjedhjet e kaluara dhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në vend dhe janë konfirmuar si krejtësisht të gabuara, kështu që edhe këto do të jenë të tilla", tha kryeministri Kovaçevski. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR