• e premte, 27 dhjetor 2024

Kovaçevski: Të gjithë në OSBE kemi nevojë për paqe, stabilitet, historia do të na gjykojë për veprat tona

Kovaçevski: Të gjithë në OSBE kemi nevojë për paqe, stabilitet, historia do të na gjykojë për veprat tona

Shkup, 30 nëntor 2023 (MIA) - Kjo ngjarje është kulmi i kryesimit tonë me OSBE-në, që nuk është angazhim i lehtë edhe në rrethana të rregullta. Por kur në dhjetor të vitit 2020, me konsensus, na u nderua për të menaxhuar organizatën më të madhe rajonale dhe të sigurisë, vështirë se dikush mund të parashikonte se do të përballeshim me turbulenca dhe sfida të tilla në rajonin e OSBE-së dhe më gjerë, si në aspektin e kontekstit të vështirë gjeopolitik dhe përshkallëzimit të sfidave të sigurisë, si dhe në aspektin e funksionalitetit dhe të ardhmes së vetë Organizatës, deklaroi kryeministri Dimitar Kovaçevski në fjalimin e tij në Këshillin e 30-të Ministror të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

"Vizioni i OSBE-së si një platformë për siguri bashkëpunuese dhe gjithëpërfshirëse u testua seriozisht në realitet dhe u ndje më drejtpërdrejt nga qytetarët ukrainas. Agresioni ushtarak i Federatës Ruse kundër Ukrainës vazhdoi me intensitet të pandërprerë dhe me pasoja shkatërruese, duke konfirmuar pajustifikimin dhe padrejtësinë e tij", tha Kovaçevski.

Çdo ditë e kaluzar dhe jetë të humbura njerëzish, shtoi kryeministri, janë konfirmim i ashpër i vlerësimit se agresioni ushtarak përfaqëson akt të shkeljes flagrante të Kartës së Kombeve të Bashkuara, parimeve dhe angazhimeve të OSBE-së, si dhe premisave themelore të të drejtës ndërkombëtare, por para së gjithash të vlerave të humanizmit. 

Kovaçevski theksoi se populli i Ukrainës meriton paqe, dhe se arritja e paqes së drejtë dhe të qëndrueshme mbetet imperativ.

"Kjo luftë vazhdon t'i minojë edhe themelet e OSBE-së. Për këtë, si çështje e rëndësishme e sigurisë në rajonin tonë dhe më gjerë, prioritet kryesor për kryesimin tonë ishte dhe mbetet që të sigurohet mbështetje thelbësore për Ukrainën dhe popullin e saj përgjatë dimensioneve të OSBE-së", theksoi Kovaçevski.

Kryeministri theksoi se në kuadër të presidencës sonë i është kushtuar vëmendje e duhur të gjitha konflikteve të ngrira dhe destabiliteteve rajonale në të gjithë rajonin e OSBE-së, siç janë procesi për zgjidhjen e Transnistrisë, situata në Kaukazin e Jugut dhe kriza në Nagorno Karabah, tensionet në veri të Kosovës.

"Le të lëmë për një moment mënjanë agjendat kombëtare, të cilat, ndër të tjera, besoj se mund të realizohen më së miri përmes bashkëpunimit paqësor në një sistem shumëpalësh të bazuar në rregulla dhe respektim të vlerave dhe parimeve bazë. Asnjë vend, pavarësisht nga madhësia dhe fuqia e tij, në ditët e sotme, në afat të gjatë, nuk mund të përparojë i izoluar dhe as të përballojë i vetëm sfidat komplekse të shekullit  21", theksoi kryeministri.

Maqedonia e Veriut, theksoi ai, si një mbështetëse e fortë e multilateralizmit dhe përfituese e drejtpërdrejtë e rolit të OSBE-së në zbatimin e reformave demokratike dhe përmirësimin e situatës në fusha të ndryshme, është e bindur plotësisht se kjo Organizatë është e aftë të bëjë ndryshime në terren, dhe se kjo, tha ai, mund të vërtetohet me shembullin e shoqërisë së Maqedonisë së Veriut, ku procesi zgjedhor demokratik është i lidhur pashmangshëm me misionet vëzhguese të OSBE/ODIHR-it.

"Pikërisht edhe motoja jonë gjatë presidencës -Bëhet fjalë për njerëzit - pasqyron këtë besim. Diskutimet afatgjata në forumet ndërkombëtare nuk duhet të jenë konstruksion abstrakt, por duhet të çojnë në zgjidhje konkrete që kanë përfitime për qytetarët", tha Kovaçevski.

Ai përkujtoi se vendi ynë, edhe pse nuk ishte drejtpërdrejt pjesë e luftërave të cilat shpërthyen pas shpërbërjes së Jugosllavisë, megjithatë në dekadat e pavarësisë ishte përballur me një numër të madh të sfidave si në plan vendor, ashtu edhe në planin e politikës së jashtme. 

"Përmes një procesi të matur, ai eci rrugën e gjatë dhe jo gjithmonë të qetë të themelimit ndërkombëtar dhe anëtarësimit në organizata të ndryshme shumëpalëshe. Ndonjëherë nënkuptonte vendime të vështira, komprometuese, por udhëheqja e vërtetë nënkupton një kërkim të vazhdueshëm për zgjidhje dhe përparim. Kështu, nga një përfituese e misioneve të sigurisë dhe parandalimit të paqes, sot Maqedonia e Veriut njihet si faktor i stabilitetit dhe kontribuon aktivisht në sigurinë në rajon dhe më gjerë", tha kryeministri.

Duke e pasur parasysh të gjithë këtë, theksoi ai, njohja që pikërisht sot ne jemi nikoqirë të Këshillit Ministror të OSBE-së, është po aq e rëndësishme. 

"Në të njëjtën kohë, ekziston edhe dëshira për t'i kthyer Organizatës, e cila me misionin e saj në terren nga viti 1992 e deri më sot, jep kontributin e saj në përparimin e shoqërisë sonë të gjallë, gjithëpërfshirëse dhe të larmishme, demokratike. Shpresoj që përpjekjet tona të ndershme për një menaxhim të fortë, proaktiv, të angazhuar dhe kompetent të OSBE-së, të udhëhequr nga aspirata për të dhënë kontributin tonë të veçantë dhe të njohur në proceset e arritjes së një stabiliteti më të madh në një nivel më të gjerë, janë të dukshme. Ne vazhdojmë të këmbëngulim në angazhimin tonë thelbësor, i cili është e vetmja rrugë përpara - për të nxitur dialog gjithëpërfshirës, ​​thelbësor dhe të hapur, bazuar në parimet thelbësore të multilateralizmit dhe në zemër të Organizatës sonë", tha ai.

Kovaçevski në fjalimin e tij konludoi se "të gjithë ne në OSBE kemi nevojë për paqe, stabilitet, besim dhe bashkëpunim të ripërtërirë, historia do të na gjykojë për veprat tona". 

Në Këshillin Ministror marrin pjesë rreth 1.000 delegatë nga 57 vende anëtare të Organizatës dhe vende partnere. fc/

 

QËNDRONI TË LIDHUR