• e enjte, 26 dhjetor 2024

Kovaçevski: Promovimi dhe mbështetja publike e dhunës seksuale dhe dhunës ndaj grave është krejtësisht e papranueshme

Kovaçevski: Promovimi dhe mbështetja publike e dhunës seksuale dhe dhunës ndaj grave është krejtësisht e papranueshme

Shkup, 23 shkurt 2023 (MIA) - Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot duke iu përgjigjur pyetjes parlamentare të deputetes së LSDM-së, Daniela Markovska, për rastin e gazetarit Dragan Pavloviq Latas tha se është i shqetësuar dhe i tmerruar nga promovimi publik i dhunës seksuale dhe diskriminimit.

"Për këtë rast, këtu nga foltorja e Kuvendit dua të flas në radhë të parë si qytetar, si burrë, si baba dhe më pas si kryeministër. Kam dëgjuar për këtë disa ditë më parë dhe që atëherë e deri më sot, sa herë që mendoj për rastin mërzitem shumë dhe ndihem i zemëruar. Kjo sjellje nuk është e turpshme vetëm për burrat, dhe jo vetëm këtu, por në botë, kjo është e turpshme për të gjithë njerëzit, për çdo qenie njerëzore. Promovimi dhe përkrahja publike e dhunës seksuale dhe abuzimit seksual është krejtësisht e papranueshme", thekson Kovaçevski.

Ai theksoi se nuk guxon të tolerohet një trajtim i tillë, siç tha ai, poshtërues, nënçmues, degradues ndaj grave.
"Çdo sjellje e tillë duhet të dënohet publikisht dhe të dërgojë një mesazh të qartë se dhuna ndaj grave është e papranueshme", theksoi kryeministri, duke shtuar se dënimi i fortë publik ishte plotësisht me vend.

"Prandaj u bëj thirrje institucioneve që realisht t'i përgjigjen kompetencave të tyre që e çojnë këtë çështje deri në fund. Për të treguar se në Maqedoninë e Veriut  kemi sundim të ligjit.  Në të njëjtën kohë, i bëj thirrje Shoqatës së Gazetarëve që të shkëputen nga kolegët që përhapin ksenofobinë dhe diskriminimin, sepse njerëz të tillë nuk janë të denjë të shkruajnë dhe të flasin para publikut", theksoi Kovaçevski.

Ai thekson se liria e shprehjes në Republikën e Maqedonisë së Veriut është e garantuar me Kushtetutë, por kjo nuk do të thotë edhe se secili mund të shkelë të drejtat e njeriut, të përhapë urrejtje, mizogjini, ide ksenofobike dhe diskriminuese.
"Liria e shprehjes njëkohësisht nënkupton përgjegjësi dhe ekzistencë të vetëdijes së lartë për parimet demokratike dhe për liritë, të drejtat dhe detyrimet në një shoqëri të hapur", tha Kovaçevski. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR