• e enjte, 26 dhjetor 2024

Kovaçevski: Prodhimtaria e rritur e energjisë elektrike hap mundësi për vendosjen e tarifës së lirë gjatë ditës

Kovaçevski:  Prodhimtaria e rritur e energjisë elektrike hap mundësi për vendosjen e tarifës së lirë gjatë ditës
Shkup, 23 shkurt 2023 (МИА) - Nga një janari i këtij viti deri më tetë shkurt EMV-ja i ka prodhuar mbi 720 mijë megavat orë energji elektrike, që është për 40 për qind më shumë se vitin e kaluar në të njëjtën periudhë, tha sot pasdite kryeministri Dimitar Kovaçevski, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve në Kuvend.
 
"Sipas raporteve zyrtare të muajit janar, për herë të parë pas 15 vitesh, nga nevojat e përgjithshme të energjisë elektrike në shtet, madje 87 për qind janë siguruar nga kapacitetet prodhuese vendore, ndërsa vetëm 13 për qind janë siguruar nga importi. Mesatarja më parë ishte 30 deri në 35 për qind energjia elektrike të jetë nga importi, ndërsa tani vetëm 13 për qind", tha Kovaçevski.
 
Kryetari i Qeverisë potencoi se për t'u përshëndetur janë paralajmërimet e Komisionit Rregullator për Energjetikë se janë duke u bërë analiza për vendosjen e tarifës së lirë ditore të energjisë dhe potencoi se mundësitë e tilla hapen me rritjen e prodhimit të energjisë elektrike.
 
SHA EMV i ka përfshirë të gjitha kapacitetet shtetërore për prodhimin e energjisë, siç janë tri blloqet në KEX Manastir, KEX Osllomej, ET Osllomej, si edhe dy elektranat e gazit në Shkup.
 
"Çmimi për qytetarët është stabil, nuk do të ketë rritje, ndërsa shkollat, sektori ushqimor dhe institucionet kryesore që ofrojnë shërbime shëndetësore për qytetarët kanë çmime të lira të energjisë elektrike. Me ndërhyrje dhe masa në kohë, si Qeveri kemi treguar se mund ta përballojmë krizën energjetike, pa pasur goditje çmimesh për produktet ushqimore bazë dhe energjinë elektrike. Në vitin 2022 janë prodhuar 27 për qind më shumë energji elektrike se në vitin 2021, ndërsa këtë vit parashikohet rritja për 20 për qind shtesë, e cila u konfirmua si e realizueshme në janar të këtij viti", tha Kovaçevski.
 
Ai shtoi se për të ndihmuar konsumatorët e vegjël që janë në tregun e rregulluar, në të cilin llogariten tarifat e energjisë dhe rrjetit, shpenzimet nga 1 janari janë ulur për 20 për qind. Ky çmim, thotë ai, aplikohet për 70 mijë kompani në vend, të cilat në periudhën e kaluar janë përballur me kosto të shtuara për energjinë elektrike.
 
 

QËNDRONI TË LIDHUR