Kovaçevski për MIA-n: Nevojitet konsensus nacional për arritjen e qëllimit strategjik - anëtarësim në BE
- Nevojitet konsensus nacional, shoqëror për të arritur më në fund qëllimin strategjik që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e BE-së, shprehet kryeministri Dimitar Kovaçevski në intervistë për MIA-n.
- Post By Fami Bajrami
- 15:20, 6 gusht, 2023
Shkup, 6 gusht 2023 (MIA) - Nevojitet konsensus nacional, shoqëror për të arritur më në fund qëllimin strategjik që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e BE-së, shprehet kryeministri Dimitar Kovaçevski në intervistë për MIA-n.
Duke folur për ndryshimet kushtetuese, të cilat janë pjesë e kornizës negociuese dhe kusht për mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare dhe fillimin praktik të negociatave me BE-në, për qëndrimin e opozitës se nuk pranon "ndryshime kushtetuese nën diktatin bullgar", por edhe për trazirat politike në BDI dhe si do të ndikojë e gjithë kjo në këtë proces, Kovaçevski theksoi se deputetët aktualisht kanë punë shumë më të rëndësishme sesa, siç tha ai, bërja e fushatave zgjedhore dhe kalkuliumeve për një karrige ministrore, parlamentare ose të drejtorit.
"Deputetët tani kanë, do të thosha, detyrën më të rëndësishme, e cila është të sigurojnë të ardhme evropiane dhe perspektivë të vendit për qytetarët të cilëve ua kanë dhënë mandatin. Jo vetëm qeveria, jo vetëm opozita, por e gjithë shoqëria, duhet të angazhohet për integrimin euro-atlantik të Maqedonisë së Veriut. Na duhet një konsensus shoqëror nacional për të arritur më në fund qëllimin strategjik të Maqedonisë së Veriut të bëhet anëtare e BE-së", thekson Kovaçevski.
Seanca për ndryshimet kushtetuese fillon më 18 gusht, ndërsa Kovaçevski pret, siç shprehet ai, debat të sinqertë, cilësor dhe të frytshëm parlamentar "përmes të cilit do të sqarohen të gjitha argumentet, në mënyrë që së bashku të arrijmë në një vendim jopartiak, siç na ngjan, e me të cilin ne do të tregojmë seriozitetin dhe përgjegjësinë tonë para momentumit që vështirë se do të përsëritet".
Sipas Kovaçevskit, opozita duhet të ndërtojë një qëndrim dhe të vendosë nëse është për integrimin në BE, në mënyrë reale dhe thelbësore, apo për izolimin.
Në vazhdim vijon intervista e plotë me kryeministrin Dimitar Kovaçevski:
Mesazhe uniteti u dërguan nga festimi i 2 Gushtit si nga kreu i shtetit ashtu edhe nga opozita, por sipas asaj që është thënë, ju keni përkufizime të ndryshme për kuptimin e fjalës unitet. Çfarë mendoni se do të thotë uniteti në këtë moment kur miratimi i ndryshimeve kushtetuese është i pasigurt?
- Ne, si vend që nga pavarësia, kemi vendosur disa qëllime strategjike - kemi përcaktuar se duam të jemi anëtar i NATO-s dhe anëtar i BE-së. Tridhjetë vjet më vonë, ne jemi vend anëtar i NATO-s, vend me negociata të filluara me BE-në, vend që fuqitë kryesore botërore si Shtetet e Bashkuara e njohin si partner strategjik dhe mik, një faktor stabiliteti në rajon, shoqëri funksionale demokratike, multietnike dhe multikulturore, me identitet të ruajtur dhe të forcuar, gjuhë të njohur të pastër maqedonase, e cila tashmë përkthehet në legjislacionin evropian. Dhe kjo nuk është gjë e vogël. Të gjitha këto ishin vendime të vështira që dikush duhej t'i merrte. Kur dikush ka durim dhe kur mendon në mënyrë vizionare dhe si burrështetas, qëllimet arrihen ngadalë, por sigurt. Sot, mendoj se gjithçka është marrë si e gatshme.
Tridhjetë vjet nuk janë shumë në kuptimin historik, dhe ne, kur ulesh të shfletosh, kemi arritur me të vërtetë shumë, veçanërisht nga qeveritë, të kryesuara nga LSDM-ja. Fokusi i qëllimeve strategjike dhe njohja e shansit që kemi për të përmbushur qëllimin e dytë strategjik, anëtarësimi i plotë në BE është jashtëzakonisht i rëndësishëm në këtë moment. Dhe këtu duhet të jetë uniteti. Të kemi virtytin të lëmë pas politikën e përditshme dhe të shohim se çfarë mund të bëjmë të gjithë së bashku sot për të pasur një të nesërme më të mirë.
Sepse ka rëndësi se çfarë lloj shteti duam dhe bëjmë sot dhe çfarë lloj shteti do të lëmë nesër. Ne kemi një detyrim t'ua lëmë Maqedoninë evropiane brezave të ardhshëm, nuk duhet të llogaritet me hapat e ardhshëm, duhet të merret një vendim dhe vendi duhet të vazhdojë në rrugën evropiane. Vetëm në këtë mënyrë do të ruajmë atë që kemi për sa i përket identitetit historik, kulturor dhe gjuhësor, vetëm në këtë mënyrë do të forcojmë pozicionet tona ndaj bashkësisë dhe partnerëve ndërkombëtarë dhe në të njëjtën kohë do të përmirësojmë situatën aktuale.
Afatet për ndryshimet kushtetuese po afrohen, a besoni se është e mundur të miratohen ato deri në përfundimin e skriningut?
- Ne vendosim afatet tona, kjo është shumë e rëndësishme të dihet. Po, skriningu do të përfundojë në fund të vitit dhe që është më e rëndësishmja me sukses. Por, nëse do të ndodhë vendimi për ndryshimet kushtetuese, e me këtë vazhdimi i rrugës evropiane, varet vetëm nga ne. Përgjegjësia është para të gjithë faktorëve shoqërorë, para të gjitha partive serioze parlamentare, para të gjithë deputetëve. Na takon të gjithëve të vendosim, ky është zëri për Evropën. Ne jemi ata që do të vendosim nëse duam të ecim menjëherë përpara në rrugën evropiane dhe të integrohemi ose nëse duam të izolohemi plotësisht dhe t'i jetojmë përsëri 10 ose 15 vjet vetëm dhe të pafuqishëm. Ky është një rast shumë specifik kur për herë të parë, vetoja mund të vijë nga brenda. Ne nuk duhet ta lejojmë këtë.
Personalisht besoj se Maqedonia e Veriut, deputetët nuk do ta humbasin këtë mundësi historike. Pas 17 vitesh pritje, në korrik të vitit të kaluar, më në fund hapëm bisedimet duke gjetur një zgjidhje cilësore, dinjitoze mbi të gjitha dhe me përcaktime të mbrojtura kombëtare dhe identitare. Një zgjidhje që ruan të gjitha pozicionet tona shtetërore dhe kombëtare. Ne e rikthyem vendin në rrugën evropiane. Gjuha dhe identiteti maqedonas janë ruajtur dhe mbrojtur nga korniza negociuese. Duke u integruar në BE, ne integrojmë gjuhën dhe identitetin maqedonas në mozaikun evropian, krah për krah me popujt e mëdhenj që krijojnë kombe të Evropës. Ky është qëllimi ynë dhe ato ishin pozicione thelbësore shtetërore për të cilat morëm mbështetje të fortë dhe arritëm të luftojmë.
Një gjë duhet të jetë e qartë për të gjithë ne në shtet - nuk do të ketë marrëveshje më të mirë, nuk do të ketë marrëveshje të re, nuk do të ketë kornizë tjetër negociuese. Dhe kjo është e vetmja e vërtetë, të cilën nuk e them unë, nuk e thotë LSDM-ja, Qeveria, ky është qëndrimi i Bashkimit Evropian. Prandaj, është e qartë se nëse e humbasim këtë mundësi historike, këtë mbështetje të fortë të Bashkimit, të Shteteve të Bashkuara, të partnerëve tanë strategjikë, vetëm do të humbasim 10 ose 15 vjet të tjera. Atdheu ynë nuk ka 15 vjet për të humbur, të rinjtë nuk kanë dekada për të humbur, qytetarët nuk kanë kohë për të humbur. Le ta shfrytëzojmë këtë shans, të marrim një vendim për të cilin të gjithë mund të jemi krenarë më pas.
Si do ta bindni opozitën, për të cilën keni nevojë për një shumicë prej dy të tretash, kur i thotë hapur “jo ndryshimeve kushtetuese nën diktatin bullgar”. Ata thonë se nuk janë kontaktuar për asgjë. A është ndërprerë gjithçka dhe fokusi është vetëm në zgjedhjet e parakohshme?
- A duhet të bindemi për të mirën e popullit? Nuk shoh pse të ketë nevojë për bindje, çdo parti politike duhet të tregojë përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe shtetit. Deputetët në Kuvend zgjidhen nga qytetarët, dhe qytetarët duan në BE. Dhe nuk po e them këtë unë, këtë e ke si të dhënë në çdo studim.
Opozita duhet të ndërtojë një qëndrim dhe të vendosë nëse është për integrimin në BE, në mënyrë reale dhe thelbësore, apo për izolimin. Qytetarët nuk duhet të mashtrohen me floskula ose të pavërteta. E para ishte “asimilimi dhe bullgarizimi”. Pasi pa se nuk ka asnjë nga këto, tani është “diktat bullgar”. Ndryshimet kushtetuese nuk janë diktati i askujt, as propozimi individual i dikujt, por janë pjesë e kornizës negociuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian. As më shumë, as më pak.
Për ne, temat shtetërore janë anëtarësimi në BE dhe përparimi ekonomik, dhe tema e zgjedhjeve të parakohshme ka kohë që është mbyllur. Megjithatë, i udhëhequr nga interesi shtetëror, në mbledhjen e udhëheqjes e ofrova këtë opsion si një mundësi për opozitën për të mbështetur ndryshimet kushtetuese. Nëse opozita voton ndryshimet kushtetuese, ne jemi gati të shkojmë në zgjedhje nesër, dhe kjo është e qartë.
Deputetët tani kanë punë shumë më të rëndësishme për të bërë sesa të detyrojnë fushatat zgjedhore dhe kalkulimet për një karrige ministrore, parlamentare ose të drejtorit. Deputetët tani kanë, do të thosha, detyrën më të rëndësishme, e cila është të sigurojnë të ardhme evropiane dhe perspektivë të vendit për qytetarët të cilëve ua kanë dhënë mandatin. Jo vetëm qeveria, jo vetëm opozita, por e gjithë shoqëria, duhet të angazhohet për integrimin euro-atlantik të Maqedonisë së Veriut. Na duhet konsensus shoqëror nacional për të arritur më në fund qëllimin strategjik të Maqedonisë së Veriut të bëhet anëtare e BE-së.
Korniza negociuese është ajo e mbështetur nga 27 shtete anëtare, përmban ndryshimet kushtetuese, si kusht për konferencën e dytë ndërqeveritare, nuk ka negociata rreth saj, do të thoni ju dhe përfaqësuesit evropianë, por nuk ka garanci se Bullgaria nuk do të na bllokojë më tej. Po sikur ndryshimet kushtetuese të jenë vetëm fillimi i një vorbulle të pafundme kërkesash të reja?
- Nuk ka vend për shqetësim, megjithëse i kuptoj druajtjet, veçanërisht pas hapave dhe provokimeve të caktuara që ishin në dëm të marrëdhënieve midis dy vendeve. Por, me politika dhe përgjegjësi evropiane nga të dyja palët, mund të arrihen edhe marrëdhënie evropiane. Teza e imponuar nga opozita është manipuluese dhe ka qëllim të dyfishtë. Nga njëra anë, për të mashtruar qytetarët, për të luajtur me emocionet e tyre. Nga ana tjetër, për të krijuar një alibi për papërgjegjshmërinë e tyre sepse nuk kanë argumente se si të mbrojnë përpjekjet e tyre për bllokada. Sidomos tani që e gjithë përmbajtja e ndryshimeve kushtetuese të propozuara është publikuar dhe vënë në dispozicion, askush nuk ka një vërejtje të vetme, as nuk ka diçka kundër. Gjërat janë dukshëm të qarta, nuk mund të ketë kushtëzime të reja për ne.
Ishin të qarta edhe mesazhet nga bashkësia ndërkombëtare se nuk do të kishte kërkesa të reja. Si shembull, kancelari Olaf Sholc gjatë takimit tonë të përbashkët, por edhe më pas theksoi publikisht se për Gjermaninë nuk ka dilema se nuk mund të ketë kërkesa të reja jashtë kornizës së vendosur të negociatave. Të përkujtoj se kjo u deklarua në mënyrë decide edhe në Deklaratën e Bundestagut gjerman. Se nuk ka pengesa për pranimin e Maqedonisë së Veriut në BE dhe se çështjet dypalëshe nuk do të përcaktojnë procesin e pranimit të vendit në Bashkim është gjithashtu qëndrimi i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme Zhosep Borel.
Bullgaria gjithashtu ka konfirmuar në mënyrë të përsëritur të njëjtën gjë. Presidenti bullgar Radev, zëvendëspresidentja Jotova, Ministria e Jashtme Bullgare, ishin të gjithë shumë të qartë në deklaratat e tyre se nuk ka kushte të reja, pritshmëritë janë që kushtet e dakorduar në kornizën negociuese do të përmbushen.
Pra, nuk ka vend për të menduar në drejtimin që po shkojmë në një vorbull kërkesash të reja. Kërkesat më tutje do të jenë reformat. Një proces në të cilin ne jemi transformuar dhe përsëri do të marrim vendime serioze dhe të vështira që do të sigurojnë një jetë më të mirë për qytetarët.
A është koalicioni qeveritar i qëndrueshëm, BDI-ja po përballet me shkëputje të anëtarëve, Izet Mexhiti më 13 gusht njoftoi zyrtarizimin e Lëvizjes Demokratike, funksionarë të BDI-së janë futur në listën e zezë të SHBA-së. Sa ndikojnë lëkundjet te integruesit në procesin e ndryshimeve kushtetuese dhe në kampusin politik shqiptar në përgjithësi?
- Koalicioni është i qëndrueshëm dhe ne nuk presim ndryshime në drejtimin e veprimit të partive pro-evropiane në raport me ndryshimet kushtetuese. Besoj se të gjitha partitë parlamentare, të gjithë deputetët individualisht janë të vetëdijshëm për rëndësinë e momentit historik dhe korrektësinë e marrjes së vendimit të duhur që do të hapë rrugën tonë evropiane.
Kuvendi është vendi ku në të kaluarën kemi marrë vendimet kyçe që përcaktojnë fatin dhe të ardhmen e shtetit. Kështu do të jetë edhe tani. Deputetët duhet të mendojnë shumë dhe të marrin një vendim historik - nëse do të hedhin votën e tyre për Evropën ose do të votojnë për izolimin, nëse do të vendosin për një të ardhme dhe prosperitet më të mirë ose për robërinë në të kaluarën.
Pres një debat të sinqertë, cilësor dhe të frytshëm parlamentar përmes të cilit do të sqarohen të gjitha argumentet, në mënyrë që të gjithë ne të vijmë në një vendim jopartiak, siç na ngjan, e me të cilin do të tregojmë seriozitetin dhe përgjegjësinë tonë para momentit që vështirë se do të përsëritet.
Korrupsioni është problem serioz me të cilin përballet shoqëria, paralajmërimet e hapura nga bashkësia ndërkombëtare nga SHBA nga BE, listat e zeza, prona e Orce Kamçevit është e bllokuar jashtë, por jo edhe këtu. Për shembull, kryetari i Komunës së Strugës është ende edhe në listë edhe në post, të gjithë ia hedhin topin njëri-tjetrit, kush e mbron korrupsionin në vendin tonë?
- Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin dhe të gjithë duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre. Institucionet kanë përgjegjësi të verifikojnë pretendimet për veprimtari të mundshme korruptive te çdo individ dhe të përcaktojnë nëse ato janë të vërteta.
Përgjegjësia ka emër dhe mbiemër dhe për këtë arsye ne inkurajojmë organet gjyqësore që të vendosin në mënyrë të pavarur dhe të ndërmarrin hapa për të çuar përpara planin e ushtrimit të drejtësisë dhe ushtrimit të paanësisë dhe profesionalizmit, gjë që gjithashtu do të forcojë integritetin e organeve gjyqësore.
Mosndëshkimi, veçanërisht i korrupsionit të lartë, ka qenë një vazhdimësi që nga pavarësia deri më sot, PSP-ja ka dështuar, nuk ka asnjë përshtypje se prokuroritë aktuale dhe sistemi i drejtësisë në përgjithësi po kanë sukses, ndihmësit e BE-së ishin këtu - ku është rrugëdalja?
- Politikat dhe reformat që po zbatojmë synojnë krijimin e një gjyqësori të pavarur dhe transparent. Gjyqësori, prokuroria, institucionet hetimore duhet të jenë të lira nga interesat politike, partiake apo të biznesit që dëmtojnë jo vetëm imazhin e të gjithë sistemit të drejtësisë, por edhe të shtetit tonë në tërësi.
Lufta kundër korrupsionit është përparësia jonë kryesore. Inkurajon faktin se më shumë institucione kompetente po marrin masa që synojnë parandalimin dhe sanksionimin e korrupsionit. Për shembull, ministria e brendshme intensifikoi aktivitetet në këtë fushë. Në vitin 2022, u zbuluan 124 krime korrupsioni, për të cilat u denoncuan penalisht 164 autorë (158 individë dhe 6 persona juridikë), duke shkaktuar dëme materiale mbi 227 milionë denarë.
Megjithatë, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit janë fusha në të cilat duhet të punohet vazhdimisht në mënyrë që të avancohen dhe përmirësohen. Ajo që na duhet në fushën e forcimit të luftës kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit është që të gjithë të kontribuojnë në përmirësimin e situatës, dhe kjo mund të arrihet përmes procesit të pranimit që zbulon dobësitë, por gjithashtu ofron zgjidhje përmes kritereve që duhet të plotësojmë për të hyrë në BE.
Që nga shtatori, paga dhjetë përqind më të larta për 130,000 punonjës të sektorit publik, sipas Kontratës së përgjithshme kolektive. Pagat më të larta dhe regresi peshojnë 49 milionë euro, të cilat u njoftuan se do të sigurojnë ribalanc buxhetor, a duhet të presim ribalancin muajin e ardhshëm?
- Me miratimin e Marrëveshjes së përgjithshme kolektive, pas 15 vitesh, u sigurua një zgjidhje sistematike që siguron rritjen e vazhdueshme të pagave. Së bashku me sindikatat, kemi arritur në një zgjidhje të pranueshme që nuk do të varet nga vullneti dhe dëshira e asnjë partie politike tani ose kurdoqoftë. Arritëm një fitore të përbashkët me punëtorët dhe zgjidhëm probleme dekadëshe.
Me Marrëveshjen e përgjithshme kolektive, punonjësit e institucioneve të sektorit publik, nga shtatori i këtij viti, do të marrin një rritje prej 10% të pagave ekzistuese, si dhe pagesën e pushimit vjetor për vitin 2023 prej 10,000 denarësh, të cilat do të paguhen deri në fund të vitit. Ne gjithashtu kemi krijuar një Metodologji të re të Pagave që do të zbatohet nga marsi i vitit 2025. Gjithashtu, në Kontratën e re të përgjithshme kolektive, kemi parashikuar pagesën e një vlere minimale K-15 prej 30% të pagës mesatare neto.
Vërtetë, këto mjete janë parashikuar të mbulohen nga ribalanci i buxhetit, për të cilin po bëhen analiza në Ministrinë e Financave. Pasi të kenë përfunduar analizat, ribalanci do të finalizohet dhe do t'i paraqitet opinionit.
Në pjesën e pagesës së regresit vjetor të pushimit, sot të gjithë të punësuarit në sektorin publik kanë të drejtë për regres vjetor të pushimit, i cili do të jetë 10,000 denarë për vitin 2023. Vitin e ardhshëm do të jetë 30% e pagës mesatare neto.
Qëllimi ynë si qeveri është pagat të rriten vazhdimisht. Rritja e pagave me Marrëveshjen e përgjithshme kolektive është vazhdimësi e rritjes së vazhdueshme që kemi siguruar gjatë viteve të fundit në disa sektorë. Përveç rritjes së pagave në mars dhe shtator të këtij viti, e gjithë administrata pati rritje të pagave në vitin 2019. Në sektorin e arsimit, pagat janë rritur në mënyrë të qëndrueshme që nga viti 2018, në tre vitet e fundit ka pasur rritje të pagave në arsimin e lartë. Të punësuarit në sektorin e kulturës patën një rritje prej 20% në vitin 2019 dhe 18% vitin e kaluar. Në vitin 2019 dhe 2022, pati një rritje prej 10% dhe 15% si në mbrojtjen fëmijërore edhe në atë sociale. Derisa vitin e kaluar, rritje prej 15% kishin të punësuarit në gjyqësor. Në tre raste, pagat u rritën për 10 për qind, 25 për qind dhe 5 për qind midis punonjësve shëndetësorë, ndërsa rritje të pagave kishte edhe Armata, MPB dhe resorët tjerë.
Të punësuarit në MIA janë në protestë paralajmëruese kundër mosaprovimit nga Qeveria për rritjen e pagave të tyre, të cilat janë nën mesataren. Këto pyetje duhet të ishin bërë në seancën e fundit qeveritare, por janë hequr nga rendi i ditës. Cila është arsyeja dhe kur do të zbatohet kjo kërkesë?
- Qeveria vlerëson rolin dhe rëndësinë e Agjencisë shtetërore të Informative Mediatike. Unë personalisht besoj se kjo çështje ka rëndësi të madhe dhe për këtë arsye pres që harmonizimi i pagave të punonjësve të MIA-s të zgjidhet me të vërtetë shpejt, në ndonjë nga seancat e radhës. Mediat e lira është themeli dhe shtylla e demokracisë. Kjo Qeveri, ndryshe nga disa të tjera në të kaluarën, ka vendosur standarde të larta në drejtim të transparencës dhe llogaridhënies, por edhe në drejtim të lirisë së medias dhe mundësive dhe kushteve të punës. Kjo është arsyeja pse Qeveria është vlerësuar si 100% transparente.
Ne në media shohim partnerë me të cilët vazhdojmë të punojmë në promovimin e lirive dhe të drejtave të medias. Dëshmia më e mirë e angazhimeve demokratike dhe evropiane të Qeverisë është fakti se sot Republika e Maqedonisë së Veriut renditet e 38-ta nga 180 vende në botë dhe shënon një përparim të ri në lirinë e medias në Raportin e fundit të organizatës ndërkombëtare “Reporterët pa Kufij”. Ndërsa, për krahasim, në vitin 2016, vendi ishte i 118-ti, nga 180 vende.
Duke folur për investimet, kohët e fundit u miratua grupi i tretë i kontratave për mbështetjen financiare të kompanive sipas Ligjit për mbështetjen financiare të investimeve. Sa janë të interesuara kompanitë, në çfarë investojnë më shumë dhe si ndikon kjo mbështetje në krijimin e vendeve të punës, por edhe në ekonominë në përgjithësi?
Pa investime të reja nuk ka rritje në ekonomi. Për ne, investimet e brendshme dhe të huaja janë po aq të rëndësishme. Pas numrave rekord të mbështetjes më të lartë financiare për numrin më të madh të kompanive në pesë vitet e fundit, të cilat i siguruam vitin e kaluar, dhe këtë vit vazhdojmë të shënojmë interes rekord për grupin e masave që sigurojmë përmes Ligjit për mbështetjen financiare të investimeve.
Këtë vit janë pranuar një numër rekord aplikimesh, gjithsej 427 aplikime të të njëjtit numër kompanish për mbështetje përmes këtij ligji, si dhe janë nënshkruar 294 kontrata të reja me investime të planifikuara prej 365.9 milionë euro, që është tre herë më shumë se ato të planifikuara në vitin 2022.
Është parashikuar më shumë se trefishi i numrit të vendeve të reja të punës që janë planifikuar të hapen me investime sipas kontratave të reja. Kështu, për të gjithë kohëzgjatjen e projekteve janë planifikuar 4439 vende të reja pune.
Prioriteti ynë kryesor është krijimi i një mjedisi të favorshëm biznesi për kompanitë, duke nxitur stabilitetin ekonomik afatgjatë. Investimi është jetik për ekonominë sepse stimulon rritjen ekonomike, krijon mundësi të reja pune, stimulon inovacionin, produktivitetin dhe konkurrencën, të gjitha këto nënkuptojnë rritje të prodhimit dhe një standard më të lartë jetese për qytetarët.
Shumica e kompanive janë në fushën e industrisë së drurit, mobiljeve, shtypjes dhe produkteve të letrës, pastaj industrisë metalo-mekanike, produkteve të fletës metalike, aluminit, qelqit, si dhe industrisë së përpunimit të ushqimit, por ka edhe industrinë e tekstilit, të përpunimit të lëkurës, pastaj industrinë e informatikës dhe komunikimit, industrinë farmaceutike dhe kimike. Numri rekord i aplikimeve është rezultat i rritjes së besimit të kompanive që njohin një partner në Qeverinë.
Përmendët edhe projektet e infrastrukturës, cila është dinamika e investimeve në infrastrukturë, a prisni që projektet aktuale të përfundojnë brenda afatit të përcaktuar?
- Kjo qeveri si asnjëherë më parë është e angazhuar fuqimisht për realizimin e ëndrrës me dekada të vjetër të paraardhësve të saj, që është krijimi i një shteti modern me infrastrukturë rrugore të zhvilluar, që Maqedoninë e Veriut do ta forcojë në hartën botërore ekonomike dhe investuese. Prandaj, prioriteti ynë është zbatimi i projekteve të investimeve në shkallë të gjerë që kontribuojnë në zhvillimin më të madh dhe më të shpejtë të rritjes ekonomike të shtetit. Ne investojmë në infrastrukturë sepse investimi në infrastrukturë nënkupton zhvillimin e ekonomisë. Ne jemi vazhdimisht në terren dhe insistojmë në efikasitet në performancë në mënyrë që të sigurojmë një cilësi më të mirë të jetës për qytetarët tanë dhe të trasojmë shpejt rrugën tonë drejt BE-së. Besoj fort se do të bëhemi udhëkryq kryesor në Ballkan dhe në Evropën Jugore.
Jemi të përkushtuar në përmirësimin e rrjetit rrugor dhe ndërtimin e infrastrukturës rrugore moderne. Ndërtojmë dhe rindërtojmë aksione në rajone që janë harruar dhe lënë pas dore për dekada, duke krijuar kështu kushte për vende të reja pune, investime të reja dhe mundësi të reja për bashkëpunim. Vitin e kaluar, në kushte të krizës më të madhe, kemi pasur një realizim rekord të investimeve kapitale prej 465 milionë eurosh, që është 60% më shumë se në vitin 2014. Vetëm në tre vitet e fundit, mes krizave shëndetësore, ekonomike dhe energjetike, vlera e investimeve kapitale qëndron në 1.1 miliardë euro. Janë ndërtuar dhe rehabilituar mbi 40 rrugë të shpejta, magjistrale dhe rajonale. Që nga viti 2017, janë ndërtuar dhe restauruar mbi 1.000 kilometra rrugë dhe janë investuar mbi një miliard euro në ndërtimin dhe modernizimin e rrjetit rrugor në vend.
Ndërtimi i hekurudhës filloi në pjesën lindore të Korridorit 8, një investim me vlerë mbi 600 milionë euro, me të cilin konfirmuam edhe një herë politikat tona të ndershme të fqinjësisë së mirë, të cilat janë ndër përparësitë kryesore në rrugën tonë drejt BE-së.
Me realizimin e projektit më të madh infrastrukturor ndonjëherë në historinë e vendit tonë, ndërtimin e Korridoreve 8 dhe 10d, Maqedonia e Veriut është pozicionuar në hartën ekonomike dhe rrugore botërore. Ky projekt, me vlerë 1.3 miliardë euro, do të përfaqësojë një impuls të ri ekonomik dhe zhvillimor të shtetit, një mundësi që Maqedonia e Veriut të bëhet një rrugë e pashmangshme transporti si në rajon ashtu edhe më gjerë. Ndërtimi i këtij projekti do të sjellë 8.000 vende të reja pune dhe rritje nominale të PBB-së prej 2 për qind në vit në pesë vitet e ardhshme, por gjithashtu do të hapë mundësi reale për zhvillimin e bizneseve të reja dhe vendeve të reja të punës për qytetarët. Kërkesa më e rëndësishme për çdo investitor është ekzistenca e një infrastrukture rrugore moderne dhe të sigurt.
Ana Cvetkovska
foto: arkivi i MIA-s