• e enjte, 26 dhjetor 2024

Kovaçevski për MIA-n: Maqedonia e Veriut është faktor stabiliteti në rajonin e Ballkanit

Kovaçevski për MIA-n: Maqedonia e Veriut është faktor stabiliteti në rajonin e Ballkanit

Shkup, 19 shkurt 2023 (MIA) - Përshtypja nga Konferenca e sivjetme e Sigurisë në Munih është se rajoni perceptohet si stabil dhe se Maqedonia e Veriut aktualisht është faktor i stabilitetit në Ballkan, si anëtare e NATO-s, vend që filloi negociatat me BE-në dhe vend i cili këtë vit ka presidencën e OSBE-në, thotë kryeministri Dimitar Kovaçevski në një intervistë për MIA-n, dhënë në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Munih.

“Ne jemi vend anëtar i NATO-s, vend i cili filluar negociatat me BE-në dhe që kryeson me OSBE-në, por edhe një vend që pas asaj që kaloi në fillim, në fund të viteve nëntëdhjetë dhe në vitin 2001, jemi një vend që është pjesëmarrës në procesin e Berlinit, një vend nga Ballkani i Hapur. Këto janë praktikisht organizata dhe procese që forcojnë dhe avancojnë bashkëpunimin rajonal, gjegjësisht lëvizjen e lirë të njerëzve, kapitalit, mallrave dhe shërbimeve, ndërsa një faktor tjetër shumë i rëndësishëm, është se Maqedonia e Veriut është depozituese e marrëveshjeve të nënshkruara në procesin e Berlinit”, thekson Kovaçevski.

Ai theksoi se në diskutimet që u mbajtën në Munih, vendi u vu në dukje si shembull që përmes marrëdhënieve të mira fqinjësore, përmes përpjekjeve diplomatike, arriti t'i zgjidhë problemet e mëdha që kishte dhe tani po përparon në integrimet evropiane, duke u theksuar se paraprakisht u bë edhe  vend anëtar i NATO-s.

Kovaçevski thekson se Konferenca tregoi se vendet perëndimore dhe anëtarët e NATO-s dhe BE-së janë më të bashkuar se kurrë dhe shprehën mbështetje të qartë për Ukrainën.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për një sulm nga një vend kundër një vendi tjetër, por ky është një sulm nga një vend më i fortë kundër një më të dobëti, dhe nëse kjo nuk parandalohet dhe Ukraina nuk ndihmohet, mund të inkurajojë vendet e tjera në botë të bëjnë të njëjtën gjë. Natyrisht, kjo do të ndikojë në sigurinë e gjithë botës demokratike në të cilën jetojmë sot”, shton Kovaçevski.

Në intervistën dhënë gazetares speciale të MIA-s në Munih, kryeministri Kovaçevski ka folur për luftën kibernetike dhe sulmet e hakerëve në kuadrin global, por edhe në vend, për marrëdhëniet Shkup-Sofje, ndryshimet kushtetuese, reformat e nevojshme në rrugën drejt BE-së, mbështetjen e procesit të integrimit evropian, stabilitetin e mazhorancës qeveritare....

Vijon intervista e plotë e kryeministrit Dimitar Kovaçevski për MIA-n:

Kryeministër, ju po merrni pjesë në Konferencën e 59-të të Sigurisë në Munih, ku fokusi ishte Ukraina, sulmi ndaj Ukrainës, gati një vit nga agresioni rus. E gjithë kjo hapi nevojën për një strukturë të re sigurie në nivel global, por edhe një siguri të rishikuar evropiane. Çfarë nënkupton kjo për Maqedoninë e Veriut?

“Unë isha i nderuar të drejtoja delegacionin tonë në Konferencën e Sigurisë në Munih. Çështje kyçe ishte siguria e Evropës në dritën e luftës që po zhvillohet në Ukrainë. Maqedonia e Veriut ka treguar se aktualisht jemi faktor stabiliteti në Ballkan, jemi këtu si anëtare e NATO-s, së dyti, jemi këtu si vend që ka filluar negociatat me BE-në dhe së treti si vend që kryeson OSBE-në, organizata më e madhe e sigurisë në Evropë.

Konferenca në Munih tregoi disa gjëra të rëndësishme. Së pari, NATO-ja, vendet perëndimore dhe BE-ja janë më të bashkuar se kurrë. Së dyti, përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara, zëvendëspresidenti i Amerikës dhe kancelari Sholc dhe kryetari i KE-së, si dhe liderë të tjerë nga Evropa, shprehën mbështetjen e tyre të qartë për Ukrainën, sepse ky nuk është vetëm një sulm nga një vend kundër një vendi tjetër, por një sulm i një vendi më të forti kundër një shteti më të dobët dhe se nëse kjo nuk parandalohet dhe nëse Ukraina nuk ndihmohet, mund të inkurajojë shtetet e tjera të botës që të bëjnë të njëjtën gjë. Sigurisht, kjo do të ndikojë në sigurinë e gjithë botës demokratike në të cilën jetojmë sot.

Tema e dytë që ishte jashtëzakonisht e rëndësishme ishte lufta kibernetike që po zhvillohet dhe e cila praktikisht është pjesë e luftës që po shpërthen në Ukrainë, ndaj së cilës janë të ekspozuara të gjitha vendet, veçanërisht vendet e botës perëndimore, dhe tashmë dihet se nga cilat vende po vijnë këto sulme hibride kibernetike. Gjithashtu u diskutua për ndihmën që duhet t'u jepet vendeve që merren me këto sulme kibernetike. Ne jemi një nga vendet e ekspozuara ndaj sulmeve kibernetike, por jo i vetmi. Po të shikojmë mediat do të shohim se me këtë po përballet edhe Mali i Zi, ndërsa më parë u përballën vende si Gjermania, Serbia dhe vende të tjera. Sigurisht që kjo nxjerr në pah nevojën e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe konferenca e Munihut ishte vendi ku 450 përfaqësues, liderë shtetesh, përfaqësues të sektorit joqeveritar, individë të dalluar, diskutuan pikërisht për këto tema.

Siguria në Ballkanin Perëndimor ishte gjithashtu një nga temat e kësaj Konference. Ju merrni pjesë në një panel që diskutoi për Ballkanin Perëndimor dhe nevojën për integrimin evropian, pra përshpejtimin e procesit. Sa perceptohet rajoni si i sigurt dhe sa i mundshëm është integrimi i përshpejtuar evropian i rajonit dhe vendeve në të, duke pasur parasysh çështjet e pazgjidhura Beograd-Prishtinë, por edhe ftohjen e marrëdhënieve tona me Sofjen në periudhën e kaluar?

“Para së gjithash, paneli për Ballkanin Perëndimor ishte një mundësi e shkëlqyer për të theksuar edhe një herë faktin se nuk është më çështja nëse Ballkani Perëndimor do të bëhet pjesë e BE-së, por kur do të bëhet pjesë e BE-së. Kjo është gjëja e parë dhe themelore. E dyta është se progresi i vendeve në proceset integruese evropiane u diskutua shumë hapur, Ballkani nuk është si dukej në vitet nëntëdhjetë. Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Sllovenia, Kroacia, Mali i Zi, nëse flasim për vendet e ish-Jugosllavisë, tashmë janë vende anëtare të NATO-s. Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë nisur negociatat me BE-në. Aktualisht bëhet fjalë për një ambient tjetër.

Rajoni perceptohet si stabil dhe veçanërisht Maqedonia e Veriut si një vend që është faktor stabiliteti në rajon. Pse? E theksoj edhe një herë, ne jemi një vend anëtar i NATO-s, një vend që ka nisur negociatat me BE-në dhe një vend që kryeson OSBE-në, por edhe një vend që, pas asaj që kaloi në fillim, në fund të viteve nëntëdhjetë dhe në 2001, ne jemi një vend në të cilin jemi pjesëmarrës në procesin e Berlinit, i cili është një vend nga Ballkani i Hapur. Këto janë praktikisht organizata dhe procese që forcojnë dhe avancojnë bashkëpunimin rajonal, gjegjësisht lëvizjen e lirë të njerëzve, kapitalit, mallrave dhe shërbimeve dhe një faktor tjetër shumë i rëndësishëm, është se Maqedonia e Veriut është depozituese, shteti, d.m.th. Ministria jonë e Punëve të Jashtme është deponente e marrëveshjeve që u nënshkruan në procesin e Berlinit. Në vetë diskutimin, Maqedonia e Veriut ishte praktikisht një shembull që përmes marrëdhënieve të mira fqinjësore, përmes përpjekjeve diplomatike, arriti të zgjidhë problemet e mëdha që kishte dhe tani ka progres në integrimet evropiane. Ndërkohë paraprakisht u bë edhe vend anëtar i NATO-s.

Në Konferencë ishte edhe presidenti bullgar Rumen Radev. Keni pasur takime me përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian, të organizatave ndërkombëtare, të shteteve evropiane, me liderë rajonalë... Pse nuk u takuat me Radevin? A keni gjykuar ndoshta se mund të mos jetë koha për këtë apo ka ndonjë arsye tjetër?

“Nuk kam pasur takim me presidentin Radev, sepse nuk ishte planifikuar në agjendën time, por kjo nuk do të thotë se nuk do të shihemi në ndonjë konferencë tjetër. Të premten, për shkak se isha në Parlament ku po vazhdon rikonstruksioni i Qeverisë, nuk munda të jem këtu për hapje, ndërsa të shtunën ishin caktuar takime të tjera.

Duke pasur parasysh ftohjen e marrëdhënieve Shkup-Sofje, a keni plan për përmirësimin e tyre? Mesazhi i fundit i Radevit, mendoj nga Athina, ishte se nuk ka vazhdim të negociatave pa ndryshime kushtetuese.

“Është e rëndësishme të theksohet se pas 17 vitesh pritje, Maqedonia e Veriut filloi negociatat me BE-në dhe ato negociata filluan, si të gjitha negociatat, si të gjitha vendet e tjera, me fazën e shqyrtimit apo skriningut. Tashmë kemi nisur skriningun dypalësh ku shqyrtohet legjislacioni ynë, zbatimi i legjislacionit, zbatimi i institucioneve, kapitull pas kapitulli, sektor pas sektori, departament pas departamenti. Vetë procesi i shqyrtimit po shkon drejt përfundimit siç është planifikuar, diku para fundit të këtij viti. Nga Brukseli vijnë sinjale pozitive, nga ekipet tona negociuese, se procesi do të përfundojë në mënyrën më të mirë, që do të thotë se në fund do të marrim një raport që do të tregojë saktësisht se cilat fusha duhet të përmirësojmë, cilat ligje duhet të përpilohen dhe cilat reforma duhen zbatuar.

Sa i përket vetë negociatave, do të theksoj edhe një herë se ne nuk po negociojmë me Bullgarinë, por me BE-në.

Nuk do t'i komentoja deklaratat e politikanëve bullgarë, sepse janë në fushatë. Pra, ata janë të gatshëm të bëjnë çfarëdo lloj deklaratë për të fituar votë, duke pasur parasysh se janë vazhdimisht në zgjedhje dhe përpiqen të mbledhin vota çdo gjashtë muaj, prandaj nuk do të komentoja deklaratat e presidentit të tyre apo dhe kandidatëve të tjerë, pretendentë për funksione të tjera në Bullgari.

A mendoni se stabilizimi i situatës politike, pra njëfarë sigurie atje, do të stabilizojë marrëdhëniet mes Shkupit dhe Sofjes?

“Mund të them se kur Bullgaria kishte një Qeveri politike, dhe ishte Qeveria e kryeministrit Petkov, marrëdhëniet me Bullgarinë ishin avancuar në një nivel jashtëzakonisht të lartë, ku u diskutuan temat që kishin të bënin me të ardhmen. Ju e dini që kemi grupe pune që diskutuan infrastrukturën, integrimin evropian, arsimin dhe kulturën etj. Dhe si rezultat i atyre bisedimeve dhe atmosferës që u krijua, ne arritëm të arrijmë një marrëveshje me të 27 vendet anëtare të BE-së dhe të fillojmë negociatat.

Aktualisht, si në Bullgari ashtu edhe në vendin tonë ka individë dhe grupe, si dhe parti politike, që nuk duan ta shohin rajonin të integruar në BE. Ata individë, parti politike dhe grupe fatkeqësisht financohen dhe inkurajohen nga palë të treta, pra nga shtete që gjithashtu nuk duan ta shohin rajonin të integruar në BE. Kjo tashmë është e qartë për të gjithë. Prandaj, mbetet që institucionet zyrtare të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut të vazhdojnë me komunikimin, i cili duhet të bazohet në komunikimin institucional, në ruajtjen e dinjitetit të institucioneve dhe qytetarëve të të dy vendeve, dhe nëse vazhdojmë në atë drejtim, atëherë ne do të kemi marrëdhënie të mira me Bullgarinë fqinje, ashtu siç kemi marrëdhënie me Serbinë, Greqinë dhe Shqipërinë fqinje.

Dua të theksoj gjithashtu se marrëdhëniet tona me Bullgarinë kanë një dimension tjetër. Është një dimension ekonomik. Dimensioni në bashkëpunim në lidhje me projektet strategjike. Të mos harrojmë se në krizën më të madhe ekonomike dhe energjetike, së bashku me autoritetet bullgare, arritëm të rrisim kapacitetin e të vetmit interkonektor që kemi aktualisht dhe të mundësojmë liberalizimin e furnizimit me gaz të vendit. Këtu, natyrisht, ndihmuan edhe partnerë të tjerë nga NATO-ja, para së gjithash SHBA-ja në pjesën e rregullimit nënligjor, në pjesën e zhvillimit të negociatave për rritjen e kapacitetit të vetë gazsjellësit, i cili kalon përmes Bullgarisë në Maqedoninë e Veriut.

Këto tema janë të rëndësishme edhe për qytetarët e vendit tonë, por edhe për bashkëpunimin mes dy vendeve. Nëse punojmë në atë drejtim, në tema dhe projekte që bashkojnë qytetarët, atëherë besoj se marrëdhëniet mes dy vendeve do të jenë në një nivel të denjë për dy vendet fqinje që janë anëtarë të NATO-s, partnerë në NATO dhe që së shpejti do të bëhen edhe partnerë në BE.

Zëvendëskryeministri Mariçiq dje i ka dërguar një thirrje opozitës për një debat, bisedë, për ndryshimet kushtetuese. VMRO-DPMNE-ja u përgjigj shprehimisht se e refuzon një ofertë të tillë dhe kërkon sërish zgjedhje të parakohshme parlamentare. A është ky thjesht një prononcim publik, apo mos jeni në dijeni nëse opozita është gati të ulet dhe të arrijë një marrëveshje, apo është thjesht një bllokim i të gjithë procesit dhe si do të siguroni një shumicë prej dy të tretash për ndryshimet kushtetuese nëse nuk gjeni gatishmëri për bisedime?

“VMRO-DPMNE, për fat të keq, ka dy vjet që është parti politike që bllokon të gjitha proceset në Kuvend, këtë e bën sepse mendon se në këtë mënyrë do të fitojë pikë politike, sepse sa më keq të jetë për shtetin dhe për të tjerët aq më mirë është për ta. Ky është vlerësimi i tyre politik. Po të shohësh miratimin e ligjeve në Kuvend, zgjedhjen e gjyqtarëve kushtetues etj, ajo ngjason me çdo gjë veçse aspak  me një debat politik në Parlament. Unë personalisht jam pjesë e debateve në Parlament, ku përveç kualifikimeve personale, madje edhe atyre për familjarët, disa sulme të ulëta, nuk mund të dëgjosh asgjë tjetër më të mirë.

Nga ana tjetër, që në fillim të skriningut, VMRO-DPMNE-së i është dërguar ftesë që të sigurojë ekspertët e saj të cilët do të marrin pjesë në ekipet negociuese të organizuara nga Sekretariati për Çështje Evropiane, të udhëhequr nga zëvendëskryeministri Mariçiq, duke qenë kështu  të përfshirë në procesin e negociatave. Procesi i negociatave është një proces që fillon vetëm një herë dhe që përfundon me anëtarësimin në BE. Nuk është proces as i një personi, e as i ndonjë partie politike apo ndonjë Qeveri. Është një proces që do të vazhdojë edhe në vitet në vijim, që sipas vlerësimeve tona dhe sipas objektivit që kemi vendosur, do të vazhdojë për 8 vitet e ardhshme, deri në vitin 2030, për t'u bërë anëtare e BE-së.

Nga ana tjetër, besoj se për një shumicë prej dy të tretash në Parlament, ndryshimet kushtetuese janë një nga vendimet që duhet të marrë shteti në fushën e anëtarësimit në BE, është një nga vendimet që kërkon një shumicë prej dy të tretash, sepse pas kësaj do të pasojë reforma në sistemin e drejtësisë që edhe kjo kërkon dy të tretat. Reforma në sistemin e prokurorisë, duhen sërish dy të tretat. Reforma e decentralizimit, sërish dy të tretat. Reforma në administratën publike duhen sërish dy të tretat. Nëse ndonjë parti politike e kushtëzon mbështetjen e këtyre reformave me zgjedhje, do të thotë se do të duhet të shkojmë në zgjedhje para çdo reforme.

Prandaj u bëj thirrje të gjitha partive opozitare që procesi i integrimeve evropiane është një proces mbipartiak në të cilin duhet të marrin pjesë të gjithë, ndërsa debati politik mund të bëhet për shumë tema të tjera dhe për ato tema të tjera mund të humbim apo të fitojmë vota të qytetarëve për çdo zgjedhje të  ardhshme të rregullta.

Kryeministër, a është e qëndrueshme mazhoranca qeveritare me ndryshimet e fundit? Hyrja e Aleancës, dalja e Alternativës, e Lidhjes Demokratike. A keni arritur të realizoni atë që po kërkoni - krijimin e një koalicioni evropian, apo ky rikonstruksion, siç thonë disa, është rimarketim për poste të caktuara drejtuese? Sa deputetë do të keni tani?

“Para së gjithash, vetë debati në Kuvend dhe ekspozimi im tregon se ky rikonstruksion qeveritar nuk drejtohet nga individë dhe nuk drejtohet thjesht për poste. Këtë e tregon edhe fakti se koalicionit qeverisës i është bashkuar një parti politike që ndan të njëjtat pikëpamje për integrimin evropian të shtetit. Dhe të mos harrojmë se në të kaluarën partia e Aleancës mbështeti vendimet për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

Nga ana tjetër, thashë dhe them akoma, se dera për të gjitha partitë politike që ndajnë të njëjtin vizion dhe që duan të jenë pjesë e zbatimit sa më të shpejtë të strategjisë për anëtarësimin e vendit në BE, është e hapur për koalicion.

Megjithatë, ne jemi ende një shoqëri demokratike, ka parti politike që kanë një këndvështrim tjetër për gjërat dhe sigurisht që kanë gjithmonë mundësi të jenë pjesë e koalicionit qeverisës ose të jenë pjesë e opozitës.

Disa prej tyre në mënyrë deklarative thonë se janë për BE-në, por praktikisht nuk mbështesin asnjë vendim. Ja për shembull marrim votimin për Marrëveshjen FRONTEX. Është një marrëveshje ku për herë të parë shteti ynë nënshkruan marrëveshje me të gjitha shtetet anëtare të BE-së ku gjuha maqedonase është pjesë e marrëveshjes me të gjitha gjuhët e tjera të shteteve anëtare të BE-së për herë të parë. Pa asnjë shtesë, pa fusnotë dhe pa asnjë sqarim. Dhe shikoni votimin, as VMRO-DPMNE dhe as Lidhja Demokratike nuk ishin të pranishëm në atë votim. Ata mund të kenë shpjegimet e tyre, ka pasur pushim, kanë qenë jashtë, pastaj kanë hyrë, por pushimi ka qenë edhe për ata që kanë votuar. Dhe votuan deputetët e LSDM-së, të BDI-së, të Aleancës, për të mos harruar edhe disa nga partitë që përfaqësojnë komunitetet etnike, nga komuniteti turk nga komuniteti serb etj.

Pra, është tjetër gjë që ju të mbështesni diçka në mënyrë deklarative, dhe në praktikë të mos bëni asgjë dhe pastaj vetëm të kërkoni justifikime. Prandaj mendoj se në fund të fundit, ky rikonstruksion do të mbështetet në Kuvend dhe mazhoranca parlamentare do të jetë më e madhe se më parë dhe do të mund të vazhdojë me reformat dhe me zbatimin dhe votimin më efikas të ligjeve që qeveria i dorëzon kuvendit apo ato që propozojnë vetë deputetët.

Siç e përmendët tashmë, një nga temat e Konferencës së Sigurisë në Munih ishin edhe kërcënimet hibride, u diskutua edhe në panele të veçanta, por ishin pjesë pothuajse e të gjitha diskutimeve që u mbajtën në nivele të ndryshme. Në vendin tonë kemi qenë dëshmitarë të kërcënimeve të rreme me bomba, sulmeve në ueb-faqet e institucioneve, dhe tani më i fundit ishte sulmi ndaj Fondit të Shëndetësisë, gjegjësisht sistemit IT të Fondit të Shëndetësisë. A kanë lidhje këto sulme me njëra-tjetrën? Ndoshta ato janë të lidhura me agresionin rus kundër Ukrainës, apo janë të motivuara nga disa arsye krejtësisht të ndryshme, le të themi, kriminale apo të tjera?

“Ato janë absolutisht të lidhura me luftën që po bëhet në Ukrainë, sepse më parë nuk ekzistonin. Së dyti, lufta hibride që po zhvillohet dhe që përfshin sulme kibernetike që përfshijnë sulme hakerimi dhe që përfshin dezinformimin është praktikisht një mënyrë e re lufte që nuk është parë kurrë më parë.

Ajo ka disa qëllime. Së pari, për të bllokuar sistemet kyçe jetike në vendet anëtare të NATO-s, të BE-së, të cilat përcaktohen nga Perëndimi. Së dyti, për të sjellë pasiguri tek qytetarët, sepse po sulmohen sistemet që i shërbejnë një numri të madh të qytetarëve. Dhe së treti, të krijohet një sistem dezinformimi në shtete, që në fund të fundit i shërben dhe përfitojnë vetëm ata që nuk duan ta shohin rajonin tonë konkretisht të jetë pjesë e BE-së apo të jetë pjesë e NATO-s.

Sulmi ndaj Fondit u karakterizua si një sulm kriminal që kërkon shpërblesë? Pra, mund të jetë e një natyre tjetër, si reagon shteti këtu, duke pasur parasysh që kjo situatë vazhdon prej 13 ditësh, me të dhëna të ndjeshme për qytetarët që janë bllokuar diku atje? Si do ta zgjidhni këtë problem? A ka shteti kapacitete, fonde, ekspertizë? Çfarë mungon për të pasur një reagim të shpejtë në situata të tilla?

“Fillimisht, për sa i përket sulmeve kibernetike, të gjitha sulmeve kibernetike, të gjitha sulmeve të hakerëve, të gjitha kërcënimeve hibride, dezinformatave, të gjitha kanë një prapavijë, që nuk mund të karakterizohet në asnjë mënyrë si legal dhe i drejtë. Por përkundrazi karakterizohen pikërisht ashtu siç e parashtruat edhe ju pyetjen.

Në rastin e Fondit të Shëndetësisë, ekspertë nga vendi ynë punojnë së bashku me ekspertë nga vendet anëtare të NATO-s, të cilët janë ekspertë të lartë. Ka pasur edhe një njoftim nga Fondi i Shëndetësisë në të cilin u tha se  të dhënat personale të qytetarëve në lidhje me kartelat e tyre mjekësore etj., mbrohen brenda sistemeve të Fondit, por sistemet e tjera aktive të softuerit të përdorur janë nën sulm kibernetik.

E kuptoj revoltën e punonjësve të shëndetësisë. Së pari, kishte informacione se nuk kishte para në Buxhet. Në buxhet ka para, si në Fondin e Shëndetësisë ashtu edhe në Buxhetin Qendror, por duke pasur parasysh mënyrën se si paguhen pagat dhe duke pasur parasysh sulmin kibernetik që po ndodh, një gjë e tillë nuk ishte e mundur ditëve të kaluara. Ne kemi punuar së bashku me Ministrinë e Financave dhe punonjësit e Thesarit që kjo të bëhet nga thesari qendror, që është një çështje e komplikuar, por që po punohet për të gjetur një zgjidhje.

Por dua të theksoj diçka tjetër, që është ajo se ku ishte krizë e koronës, heronjtë tanë kanë qenë mjekët dhe të gjithë kemi pasur mirëkuptim absolut për ta dhe i kemi dhënë të gjitha fjalët lavdëruese në atë mënyrë që me përpjekje mbinjerëzore me 24 orë punë u përballën me krizën dhe ndihmuan qytetarët. Sot, me këto sulme kibernetike dhe me këtë luftë hibride, ka sërish njerëz që punojnë 24 orë në ditë. Këta janë inxhinierë IT që punojnë në institucione. Ne kemi formuar edhe një ekip të posaçëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme në të cilin marrin pjesë inxhinierë IT nga Agjencia e Inteligjencës dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare. Ata njerëz kanë emra dhe mbiemra, por ne nuk i dimë, sepse nuk kanë pasur kurrë mundësi të jenë pjesë e një diskutimi publik nga media. Megjithatë, ata punojnë nga 24 orë në ditë. Dhe ata kanë familjet e tyre që nuk i kanë parë dhe unë personalisht do të përpiqem që në një nga festimet jubile që feston vendi ynë, të paktën njërit prej tyre t'i jepet një çmim shtetëror në emër të të gjithëve, të cilët punojnë 24 orë në ditë për t'i mbrojtur ata dhe për të zhbllokuar sistemet që janë nën sulme kibernetike.

Me të vërtetë, kur kemi të bëjmë me vendet partnere të NATO-s, do të thotë se ata punojnë tekstualisht 24 orë në ditë, sepse bashkëpunojnë jo vetëm me ekspertë nga Australia, por edhe me ekspertë nga Shtetet e Bashkuara. Bëhet fjalë për një diferencë kohore prej 8, 9, 10 orësh. Dhe me të vërtetë mund të shpreh vetëm mirënjohje për atë që ata po bëjnë.

  Nga ana tjetër thashë se e kuptoj revoltën e qytetarëve dhe punonjësve të FSSH-së në funksion të situatës së krijuar, e cila do të zgjidhet sa më shpejt. Kanë ndryshuar procedurat e tyre, kanë zgjatur orarin e punës, kanë punuar në mënyrë manuale për të kryer një pjesë të punimeve që kanë qenë digjitale, për t’i ofruar të gjitha shërbimet për qytetarët. Ky problem do të zgjidhet absolutisht, si çdo problem tjetër, kur punoni shumë dhe keni ekspertë që mund ta bëjnë këtë.

Shfrytëzoj rastin edhe një herë të apeloj për qetësi në mesin e qytetarëve, sepse kjo bëhet që të ketë pakënaqësi  në mesin e qytetarëve, si dhe falënderoj ata që punojnë 24 orë në ditë për të mbrojtur dhe eliminuar këto sulme që janë prezente në sistemet vitale të shtetit. Ju e dini se çfarë po ndodhte në Shqipëri, edhe në Mal të Zi dhe ata po përballeshin me këtë bashkë me ndihmën e partnerëve strategjikë. Përmend këtu fillimisht Gjermaninë, SHBA-në, etj.

Ana Cvetkovska

 

QËNDRONI TË LIDHUR