• e enjte, 26 dhjetor 2024

Kovaçevski për MIA-n: Dialogu Beograd- Prishtinë në Ohër është konfirmim se vendi është faktor stabiliteti në Ballkan

Kovaçevski për MIA-n: Dialogu Beograd- Prishtinë në Ohër është konfirmim se vendi është faktor stabiliteti në Ballkan

Ohër, 18 mars 2023 (MIA) - Mbajtja e sotme e dialogut të nivelit të lartë për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës në Ohër është konfirmimi më i madh se Maqedonia e Veriut në këtë moment është faktor stabiliteti në Ballkan të cilin e konfirmuam përmes anëtarësimit tonë në NATO, përmes hapjes së negociatave me BE-në dhe përmes asaj si vend kryesues i organizatës më të madhe rajonale të sigurisë - OSBE në vitin ndoshta më të vështirë për Evropën pas Luftës së Dytë Botërore, thotë në intervistën për MIA-n, kryeministri Dimitar Kovaçevski.

“Kjo sigurisht se është e një rëndësie të jashtëzakonshme për vendin tonë duke pasur parasysh se jemi shembull që përmes dialogut dhe mjeteve diplomatike në shekullin 21 duhet të zgjidhen sfidat midis vendeve fqinje. Presim që bisedimet të zhvillohen në frymë të mirë dhe praktikisht për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe që në fund duhet të rezultojnë në integrimin e të gjithë rajonit në Bashkimin Evropian”, thekson kryeministri.

Sipas tij, dëshmi për rëndësinë e vendit është edhe konfirmimi i asaj se dje për herë të parë u mbajt takimi i Këshillit për Stabilizim- Asociim në Shkup që nga takimi i parë para 22 vitesh në Bruksel.

“Këshilli dërgoi mesazhe shumë të qarta për atë se vendi ynë po përparon në procesin drejt integrimeve evropiane. Biseduam për detaje për gjithçka që kemi bërë gjatë vitit të kaluar. Ndërsa vitin e kaluar në fushën e integrimeve evropiane për ne ka qenë një nga më të suksesshmit. Pas 17 vitesh pritje, arritëm të fillojmë negociatat me Bashkimin Evropian, të mbajmë Konferencën e parë ndërqeveritare, vitin e kaluar në tetor e nënshkruam Marrëveshjen me FRONTEKS-in ku për herë të parë gjuha maqedonase bashkë me të gjitha 24 gjuhët e tjera të Bashkimit Evropian qëndron në të njëjtën marrëveshje të nënshkruar midis vendit tonë dhe Bashkimit Evropian”, potencon Kovaçevski.

Ai thekson se janë marrë vlerësime pozitive nga përfaqësuesit e BE-së edhe në lidhje me procesin e skriningut që është në rrjedhë.

“Poashtu janë dërguar mesazhe shumë të qarta për faktin se ne kemi një kornizë të qartë negociuese që është miratuar nga ana e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe se negociatat po zhvillohen në kuadër të asaj kornize negociuese dhe në bazë të kritereve që dalin nga kriteret drejt qasjes në Bashkimin Evropian”, shton Kovaçevski.

Kryeministri në video intervistën për MIA-n që në tërësi do të publikohet pasdite, flet edhe për ndryshimet kushtetuese, si dhe për masat që ndërmerr Qeveria në ballafaqimin me krizën ekonomike dhe energjetike.

 

QËNDRONI TË LIDHUR