• e shtunë, 23 nëntor 2024

Kovaçevski për FAC: Votimi për ndryshimet kushtetuese është votë për të ardhme evropiane të qytetarëve

Kovaçevski për FAC: Votimi për ndryshimet kushtetuese është votë për të ardhme evropiane të qytetarëve

Shkup, 30 qershor 2023 (MIA) - Qëllimi strategjik i shtetit është anëtarësimi i plotë i Maqedonisë së Veriut në BE”, thotë kryeministri Dimitar Kovaçevski në një intervistë për gazetën gjermane "Frankfurter Allgemajne Cajtung" (FAC).

"Procesi i integrimit evropian të vendit garanton sigurinë dhe stabilitetin e rajonit, por edhe bashkëpunim më të mirë ekonomik, një treg të përbashkët me gati gjysmë miliardë banorë", deklaroi Kovaçevski.

Siç informoi shërbimi qeveritar për shtyp, Kovaçevski në intervistë flet për vendimet e ardhshme politike që duhet të merren në vend dhe nga të cilat varet e ardhmja evropiane e qytetarëve.

"Votimi nuk ka të bëjë vetëm me kushtetutën tonë, por me të ardhmen evropiane të vendit tonë. Ky vendim që duhet të marrim tani është për të mos vonuar procesin e mëtejshëm. Vetoja për anëtarësimin tonë ka ardhur gjithmonë nga jashtë, tani rrezikon të vijë nga brenda për herë të parë", thotë Kovaçevski.

“Kur morëm pavarësinë pas përfundimit të Jugosllavisë, ekonomia jonë ishte shumë më e fortë se ajo e Bullgarisë, Republikës Çeke, Sllovakisë apo Polonisë. Në atë kohë ishte e pamendueshme që njerëzit nga Maqedonia të shkonin në një nga këto vende për të punuar atje. Sot kjo është pikërisht ajo që po ndodh. Ekonomitë e këtyre vendeve nuk janë forcuar vetëm për shkak të performancës së tyre. Përkundrazi, kjo ndodhi sepse këto vende u bënë anëtare të Bashkimit Evropian, me një treg të përbashkët prej gati gjysmë miliardë banorësh. Kjo është arsyeja pse anëtarësimi është një qëllim strategjik për Maqedoninë e Veriut. Ne duam të jetojmë në një vend të BE-së", tha kryeministri për gazetën gjermane "Frankfurter Allgemajne Cajtung”.

Kryeministri Kovaçevski potencoi se Gjermania është mbështetëse e madhe e Maqedonisë së Veriut në procesin e inkuadrimit drejt BE-së, si dhe partnere më e madhe ekonomike.

"Jam shumë mirënjohës ndaj Gjermanisë dhe kancelarit Sholc për mbështetjen e tij ndaj rrugës sonë drejt BE-së. Gjermania është partnerja më e madhe ekonomike e Maqedonisë së Veriut. Tek ne aktivë janë 200 kompani gjermane. Gjysmën e tregtisë së jashtme e kryejmë me Gjermaninë. Në Gjermani jetojnë rreth 20.000 deri 30.000 bashkëkombas të mi", tha kryeministri. Kovaçevski.

Kovaçevski në intervistën për gazetën gjermane theksoi se negociatat inkuadruese të BE-së me Maqedoninë e Veriut janë me rëndësi thelbësore në rrethanat aktuale gjeopolitike dhe të sigurisë dhe në përballje me ndikimet në vende të cilat nuk kanë interes për Ballkan Perëndimor stabil dhe të integruar në BE. ab/

Foto: Qeveria

QËNDRONI TË LIDHUR