• e premte, 27 dhjetor 2024

Kovaçevski nuk mendon të japë dorëheqje

Kovaçevski nuk mendon të japë dorëheqje

Shkup, 19 maj 2023 (MIA) - Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski është decid se nuk mendon të japë dorëheqje edhe pse afati për ndryshimet kushtetuese është deri në nëntor. Ai ka thënë se qeveria ka kompetenca për të menaxhuar me shtetin, ndërsa për ndryshimet kushtetuese nevojitet shumicë prej dy të tretash.

“Ky është detyrim jo vetëm i Qeverisë, por edhe i të gjithë aktorëve politikë e shoqërorë në vend. Është obligim i çdo deputeti që të marrë vendim për të ardhmen e qytetarëve, sepse qytetarët tanë duan dhe meritojnë të ardhme evropiane. Ne këtu në detaje diskutojmë se çfarë nënkupton anëtarësim në BE”, ka thënë Kovaçevski pas takimit me liderët e koalicionit qeveritar.

Ai theksoi se Rumania, Çekia dhe Sllovakia pas hyrjes në BE kanë zhvillim të përshpejtuar dhe standard më të lartë jetësor, dhe siç thotë Kovaçevski, ky është rezultat i anëtarësimit të këtyre vendeve në BE.

“Ne kemi pasur një standard më të lartë se ata, kur kemi qenë pjesë e Jugosllavisë dhe ata kur ishin pjesë e Traktatit të Varshavës. Së dyti, një shtet anëtar nga fondet e BE-së merr 11 herë më shumë mjete financiare për kokë banori sesa një vend kandidat dhe të gjitha këto janë argumente në favor të anëtarësimit të vendit në BE dhe ai proces nuk mund të mbahet peng i interesave për politika ditore të dikujt”, ka thënë Kovaçevski.

Ai thotë se për këtë arsye mandati i Qeverisë nuk lidhet me votimin e ndryshimeve kushtetuese, por siç tha ai, kjo Qeveri do të dëshmojë se ka shumicë parlamentare pro-evropiane.

“Shpresoj se opozita në fund të marrë vendim ku do t’i bashkohet bllokut evropian, sepse është obligim i opozitës që të marrë vendime që janë në interes të qytetarëve dhe interesi më i lartë i qytetarëve është hyrje në Bashkimin Evropian. Rruga drejt BE-së nënkupton reforma, përmirësim i të gjitha sistemeve dhe sferave në shoqëri”, thotë Kovaçevski.

Ai theksoi se në 11 vitet e fundit vendi nuk ka pasur as rritje të PBV-së dhe zhvillim ekonomik.

“Sot me hyrjen në NATO kemi rritje të shtuar të investimeve të huaja, një numër të shtuar të punëtorëve që punojnë në kompani të huaja. Ata punëtorë përmes vendeve të tyre të punës i paguajnë pagat e punëtorëve në sektorin publik, përmes pagesës së taksave”, ka thënë Kovaçevski.

Porositi se këto janë argumente pse vendi duhet të bëhet anëtar i BE-së, ndërsa janë të mbrojtur gjuha dhe identiteti, ndërsa tani na mbetet përmbushja e vendimeve që kanë të bëjnë me obligimet nga korniza negociuese.

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR