• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Kovaçevski: Nga ne varet se sa shpejt do t’i plotësojmë kushtet, qëllimi ynë duhet të mbetet BE-ja

Kovaçevski: Nga ne varet se sa shpejt do t’i plotësojmë kushtet, qëllimi ynë duhet të mbetet BE-ja

Shkup, 15 shtator 2023 (MIA) - Si asnjëherë më parë, Europa është e interesuar dhe e përkushtuar ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në një kohë relativisht të shkurtër, vendet e rajonit kanë mundësinë të intensifikojnë reformat institucionale dhe strukturore, si dhe të forcojnë konkurrencën e tregut global, të përfitojnë nga përfitimet e digjitalizimit, zhvillimit teknologjik dhe zhvillimit ekologjik, si shtete anëtare të ardhshme të Bashkimit Europian. Anëtarësimi në BE varet nga entuziazmi në BE për zgjerimin dhe thellimin e integrimit europian, por edhe nga përpjekjet e shteteve kandidate për të përmbushur kriteret dhe standardet e larta të nevojshme, përmes respektimit të vlerave themelore europiane. Ky proces është i dobishëm për të dyja palët, tha sot kryeministri Dimitar Kovaçevski në fjalimin hapës të Forumit Ekonomiko-Financiar të Shkupit (FEFSH).

Siç theksoi Kovaçevski, BE-ja u dha vendeve të Ballkanit Perëndimor një shans real për t'u integruar në Union. Kryeministri theksoi se plani për Ballkanin Perëndimor i shpallur nga Kryetarja e Komisionit Europian, Ursula fon der Lajen, e cila promovoi qëllimin e përbashkët për përshpejtimin e procesit të integrimit europian në forumin në Bratisllavë në maj të këtij viti, është veçanërisht i rëndësishëm. Ky plan, theksoi Kovaçevski, hapi mundësi për integrim shumë më të shpejtë në Union.

Ai tha se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të fokusohen në përballjen me sfidat që e pengojnë prosperitetin.

 “Drejtimi ynë duhet të jetë i qartë, si të përballemi me korrupsionin në prokurimet publike, në blerjet e paligjshme të pronave, në konfliktin e interesave, me financat e paligjshme. Ne të gjithë duhet të forcojmë përpjekjet tona dhe të përmbushim pritshmëritë e qytetarëve tanë. Nga ne varet se sa shpejt do t'i bëjmë reformat në rrugën drejt BE-së, sa shpejt do t'i përmbushim kushtet dhe çfarë dinamike do të ndjekim, kjo varet nga dialogu i brendshëm politik. Por një gjë është e sigurt - fokusi dhe synimi ynë duhet të mbetet BE-ja. Duhet të përpiqemi të forcojmë kapacitetet e institucioneve që punojnë në parandalimin dhe zbulimin e hershëm të korrupsionit, për të kryer hetime dhe ndjekje të suksesshme të autorëve. Ky është një prioritet i lartë në agjendën tonë në procesin e anëtarësimit në BE. Ne i përkasim pjesës demokratike dhe të lirë të Evropës dhe ashtu si ne, vendet e Ballkanit Perëndimor, që kemi interes të jemi anëtarë të BE-së, edhe BE-ja ka një interes të madh që në Ballkan të mos ketë konflikte rajonale, të ketë stabilitet politik, të ketë shtete ekonomikisht të qëndrueshme që do të zhvillohen dhe do të perfeksionohen, në nivel demokratik, administrativ, politik dhe të sigurisë. Lufta e shumë brezave për një Europë të bashkuar do të vazhdojë me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Partneritetin e Europës Lindore dhe kjo na jep një nxitje të fortë reformash”, tha Kovaçevski.

 Sipas tij, transformimi dhe përparimi i ekonomisë në vendet e Ballkanit Perëndimor është i një rëndësie të madhe për një jetë më cilësore të qytetarëve.

“Por po aq të rëndësishme janë edhe proceset e reformave sistematike që ne mund t'i arrijmë vetëm si anëtarë të Bashkimit Evropian. Kjo do të nënkuptonte reforma thelbësore për vendosjen e vlerave themelore europiane si shteti i së drejtës, respektimi i të drejtave të njeriut, sepse vetëm kështu do të rritet besimi i opinionit tek institucionet shtetërore, gjyqësori, prokuroria dhe politikanët. Një administratë publike më e përditësuar dhe efikase që do të zgjidhë në mënyrë të drejtë, korrekte dhe të shpejtë problemet me sektorin e biznesit, një sistem shëndetësor më të mire dhe një arsim më cilësor. Maqedonia e Veriut ka treguar se nuk devijon nga aspiratat e saj për të arritur qëllimet e saj strategjike, si në ruajtjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore ashtu edhe në përkushtimin e vendit për anëtarësim në Bashkimin Europian. Vendi ynë jo vetëm ndan parimet e politikës së jashtme të BE-së, por ka arritur një shkallë të lartë përafrimi me qëndrimet e Bashkimit, që është një konfirmim se ndajmë edhe politikën e vlerave të Bashkimit Evropian”, nënvizoi Kryeministri.

 Ai iu referua edhe përfitimeve ekonomike të BE-së, të cilat, theksoi, kanë një shtrirje të gjerë.

“Katër shtyllat e planifikuara për vendet e Ballkanit Perëndimor do të na japin mundësinë të ndjejmë përfitimet e shtytësit kryesor të suksesit ekonomik - fuqisë transformuese të integrimit evropian. Këtu e kam fjalën për fuqinë ekonomike me pjesëmarrjen e BE-së në ekonominë botërore dhe tregtinë prej rreth 16 për qind. Vetëm në vitin 2021, BE-ja ka eksporte prej 2.18 trilionë eurosh. Bashkimi Europian ka një treg të vetëm prej 500 milionë banorësh, i cili ofron fuqi të madhe absorbuese dhe mundësi për ekonomi me përmasa të mëdha. Vlerësohet se produkti i brendshëm bruto i BE-së në tërësi është më i lartë për nëntë për qind pikërisht si rezultat i integrimit tregtar dhe financiar. Në para reale, kjo do të thotë rreth 850 euro të ardhura vjetore shtesë për banor. Në historinë tonë të pavarur, ka pasur një nivel jashtëzakonisht të lartë të mbështetjes qytetare për anëtarësimin e nevojshëm në Bashkimin Evropian për tridhjetë vjet. Në gjithë këto vite, mbështetja financiare e BE-së llogaritet në mbi 3.3 miliardë euro, fonde që vendi ynë i ka marrë përmes granteve dhe mbështetjes makrofinanciare, të cilat na kanë ofruar mbështetje likuiditeti, përshpejtim të aktivitetit të biznesit dhe indirekt paga dhe pensione më të larta, uljen e papunësisë, rritjen e investimeve të huaja”, thekson kryeministri. 

Duke parë treguesit objektivë, shtoi ai, në vitet e fundit, me politikën e hapur evropiane të kësaj Qeverie, Maqedonia e Veriut ka ruajtur stabilitetin ekonomik edhe përballë disa krizave njëherësh. 

“Maqedonia e Veriut në 5 vitet e fundit ka qenë bartëse e flukseve pozitive politike dhe ekonomike, ne ofrojmë mundësi për ekonominë, komunitetin e biznesit, investojmë në një lidhje funksionale, moderne të vendit tonë me të gjithë rajonin, me investime kapitale në infrastrukturën rrugore hapen rrugë të reja evropiane. Orientimi ynë evropian si Qeveri sjell rezultate. Do të bëj disa krahasime, me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, kemi mundësuar një mjedis të qëndrueshëm të sigurisë në vend, i cili hapi mundësinë për investitorët që ta njohin vendin tonë si një portë të rëndësishme për në tregun europian. Shkalla e papunësisë, në ndryshim nga viti 2016 kur ishte gati 24 për qind, sot ka rënë në 14.4 për qind. Në vetëm një vit kemi rritur punësimin me 9.5 për qind. Krahasimi për këto vite është i madh edhe për sa i përket investimeve të huaja direkte, nëse në vitin 2016 ato arritën në 338 milionë euro, në vitin 2022, vit pas pandemisë së Kovid 19 dhe në kulmin e krizës globale ekonomike dhe energjetike, ato arritën në gati 754 milionë euro. Dy herë më shumë se sa ishin në vitin 2016”, theksoi Kovaçevski. 

Kryeministri përmendi edhe investimet në ZZHIT, të cilat, kujtoi ai, në vitin 2016 arritën në 600 milionë euro, ndërsa në vitin 2023, sot janë dy miliardë euro. 

“Nëse në atë kohë ishin 600 milionë euro, sot në vetëm një vit investimet e reja të dakorduara janë në nivelin e 1 miliardë eurove. Për krahasim, në vitin 2016, paga minimale në vend ishte 10.000 denarë, ndërsa tani në mars të këtij viti është 20.175 denarë, që do të thotë dy herë më shumë në krahasim me atë që kemi gjetur.Paga mesatare neto në vitin 2016 ishte vetëm mbi 22.000 denarë, ndërsa në vitin 2023, paga mesatare neto historikisht është më e larta dhe arrin në gati 37.000 denarë. Kjo është 230 euro më shumë në muaj në buxhetin e brendshëm të secilit në vend. Për herë të parë sollëm një zgjidhje sistematike për rritjen e pensioneve. Pensioni mesatar është rritur për 40 për qind, krahasuar me atë që ishte në vitin 2016, pensioni mesatar ishte rreth 13.700 denarë, ndërsa sot në vitin 2023 është mbi 19.000 denarë. Dhe do të ketë një rritje të re që do të ndodhë në shtator dhe një tjetër e re që do të ndodhë marsin e ardhshëm në 2024. Pensionistët tanë janë integruar në këtë vend dhe meritojnë një jetë dinjitoze dhe të denjë, në të ardhmen e afërt, në një shtet anëtar të BE-së”, theksoi Kovaçevski.

 Sa i përket anëtarësimit në BE, ai përmendi se përfitimet ekonomike do të jenë të mëdha.

 “Hulumtimet e shumta që janë bërë vite më parë tregojnë se pakënaqësia më e madhe e qytetarëve që jetojnë në rajonin e Ballkanit Perëndimor është për shkak të situatës ekonomike, shkallës dyshifrore të papunësisë, daljes së madhe të fuqisë punëtore me kualifikim të lartë dhe të ulët. Ne duhet ta sjellim Evropën këtu dhe kështu të njihemi si një anëtar i ri dinjitoz dhe i respektuar. Dhe tani lind pyetja - Cilat do të ishin efektet ekonomike të anëtarësimit në Bashkimin Evropian? Në 5 vitet e para, kjo nënkupton pagë më të lartë nga 70 deri në 100 për qind. Rritja e PBB-së nga 80 në 90 për qind, rritja e numrit të vendeve të punës. Numri i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme është rritur me 30 deri në 40 për qind. Në vitin 2008, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia ishin në të njëjtin pozicion për t'u bërë anëtarë të Unionit. Dy ditë më parë, kolegu im kroat Andrej Plenkoviq theksoi se për dhjetë vjet anëtarësim në BE, Kroacia është 12 miliardë euro plus. Kroacia hyri në BE në vitin 2013 me një normë papunësie prej 17,3 për qind në vitin 2022, shkalla e papunësisë në Kroaci është ulur në 6,7 për qind”, tha Kovaçevski.

 Ai tregoi edhe shembullin e Polonisë.

 “Anëtarësimi në BE ka sjellë përfitime edhe për Poloninë, e cila u anëtarësua në BE në maj të vitit 2004 me një papunësi prej 19 për qind, në vitin 2022, papunësia në Poloni do të jetë 2.6 për qind. Përsa i përket investimeve të huaja direkte, ato janë rritur mesatarisht me 28 për qind në 5 vitet e para të anëtarësimit. Rumania ka 7 miliardë euro investime të huaja direkte në vit. Në këtë drejtim, Malta ka rritjen më të theksuar, nga 400 milionë në vit, pesë vjet pas anëtarësimit, në Maltë kanë hyrë investime të huaja direkte prej 21 miliardë eurosh”, tha Kovaçevski.

Kryeministri konkludoi se anëtarësimi në BE ka përfitime dhe ndikim mbrojtës në rritjen ekonomike dhe tregtinë, në pjesëmarrjen në bashkimin doganor të BE-së, në uljen e barrierave tregtare dhe në rritjen e konkurrencës. 

“Anëtarësimi në BE nënkupton edhe ndihmë financiare për të reduktuar diferencat ekonomike ndërmjet shteteve anëtare. Me këto fonde financohen projekte infrastrukturore, zhvillimi rajonal dhe nisma të ndryshme për stimulimin e rritjes ekonomike. Politika e Përbashkët Bujqësore (PPB) dhe Fondet Evropiane Strukturore dhe Investuese (FESI), të cilat mbështesin bujqësinë, zhvillimin rural, kërkimin dhe inovacionin dhe sektorë të tjerë, nënvizoi Kovaçevski. 

Foto: Qeveria 

 

QËNDRONI TË LIDHUR