• e enjte, 26 dhjetor 2024

Kovaçevski nga Granada: Pas shumë vitesh, tani në agjendë si temë e kemi zgjerimin e Bashkimit Evropian

Kovaçevski nga Granada: Pas shumë vitesh, tani në agjendë si temë e kemi zgjerimin e Bashkimit Evropian

Granada, 5 tetor 2023 (MIA) - Pas shumë vitesh, tanimë si temë në agjendë kemi zgjerimin e Bashkimit Evropian. Ky është një takim jashtëzakonisht i rëndësishëm me të gjitha vendet e Evropës dhe një nga temat kryesore që ka rëndësi më të madhe për ne është zgjerimi dhe sigurisht që do të diskutojmë edhe tema që kanë të bëjnë me digjitalizimin dhe futjen e inteligjencës artificiale për të përmirësuar kushtet për qytetarët, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski, para fillimit të takimit të tretë të Komunitetit Politike Evropiane, që sot mbahet në Granada të Spanjës.

Kovaçevski, theksoi se Maqedonia e Veriut gjendet në një pozitë të shkëlqyer duke pasur parasysh që bisedimet me BE-në i kemi filluar vitin e kaluar, ndërsa në Union tashmë ka filluar procesi i përshtatjes të funksionimit të disa vendeve anëtare.

"Mendoj se jemi në një pozitë të shkëlqyer duke pasur parasysh që bisedimet me BE-në i kemi filluar vitin e kaluar. Nga ana tjetër, BE-ja ka një interes strategjik dhe një proces tashmë të hapur për përshtatjen e tij, i cili është një proces paralel për faktin se do të duhet të funksionojë në të ardhmen me vende që kanë një numër më të madh se ky aktual. Që do të thotë se do të ketë dinamikë në anën e vendeve kandidate për anëtarësim, para së gjithash kam parasysh vendet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë Maqedoninë e Veriut, por edhe dinamikën brenda BE-së në drejtim të përshtatjes së funksionimit të disa vendeve anëtare", deklaroi kovaçevski.

Sipas Kovaçevskit,  është e rëndësishme që nesër do të mbahet një takim jozyrtar i Këshillit Evropian, ku do të diskutohen çështjet që janë të rëndësishme për ne, si për paqen dhe sigurinë në Evropë, për mbështetjen për Ukrainën, por edhe për zgjerimin e Bashkimit Evropian.

"Siç njoftoi edhe kryetari i  Këshillit Evropian Sharl Mishel, tashmë ka një debat brenda BE-së në lidhje me përgatitjen e BE-së për pranimin e anëtarëve të rinj nga njëra anë dhe nga ana tjetër proceset e anëtarësimit që vetë vendet anëtare kanë me Bashkimin Evropian", deklaroi Kovaçevski.

Sipas Kovaçevskit, ajo që qëndron në dokumentin e përpunuar nga Gjermania dhe Franca është pozitive për vendin tonë dhe vendet e rajonit.

"Nuk mund ta komentoj këtë për momentin, sepse është një dokument pune që nuk është finalizuar, prandaj do t'i lë ta komunikojnë ata, megjithëse e kam parë dhe mendoj se ajo që shkruhet në vetë dokumentin e punës është pozitive për vendin tonë dhe vendet e rajonit", tha Kovaçevski.

Në suaza të takimit, siç theksoi, është planifikuar të ketë takime pune ku do të marrin pjesë kryeministrat e Francës, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve tjera, si dhe me përfaqësuesin e Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian.

"Shpresoj në takime të suksesshme. Do të kemi edhe takim dypalësh me kryeministrin e Holandës, kryeministrin e Irlandës dhe nënkryetarin e KE-së", tha Kovaçevski.

Sot, Granada është qendra e politikës evropiane. Qyteti me pak më shumë se 200,000 banorë me një trashëgimi të madhe historike dhe kulturore e ndërthurur nga tre kulturat e mëdha monoteiste - krishtere, myslimane dhe hebreje është sot nikoqir i samitit të tretë të Komunitetit Politik Evropian (EPC), në të cilin 27 anëtarë të BE-së janë ftuar,  17 vende të tjera fqinje, si Mbretëria e Bashkuar, Turqia, Ukraina, Zvicra dhe shtetet e Ballkanit.

Komuniteti politik evropian synon të inkurajojë dialogun politik dhe bashkëpunimin në zgjidhjen e çështjeve me interes të përbashkët, për të forcuar sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit evropian. E konceptuar si një platformë koordinimi politik, e krijuar në maj të vitit 2022 me iniciativën e presidentit francez Emanuel Makron, ajo nuk zëvendëson asnjë organizatë, strukturë apo proces ekzistues dhe nuk synon të krijojë të reja në këtë fazë. sa/

Foto. MIA

QËNDRONI TË LIDHUR