• e enjte, 26 dhjetor 2024

Kovaçevski: Jemi një destinacion i shkëlqyer për investitorët e huaj

Kovaçevski: Jemi një destinacion i shkëlqyer për investitorët e huaj

Shkup, 23 gusht 2023 (MIA) - Potenciali për investime të huaja, si dhe politikat qeveritare për krijimin e klimës së volitshme të biznesit për tërheqjen e investimeve të huaja, ishin temë e bisedës në takimin e sotëm të kryeministrit Dimitar Kovaçevski, zëvendëskryeministrit për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqi dhe ministres së mbrojtjes Sllavjanka Petrovska me delegacionin e Hyundai Motor Group, të udhëhequr nga drejtori ekzekutiv, Euisun Çung dhe ambasadori i Koresë së Jugut, Bae Joning.

Në takim, informojnë nga shërbimi për shtyp i Qeverisë, u theksua se vendi ofron një sërë avantazhesh  për investime, duke përfshirë edhe lokacionin strategjik, afërsinë me portin e Selanikut, infrastrukturën e mirë rrugore, ndërsa në vijim është ndërtimi edhe i autostradës deri në portin e Durrësit.

Kryeministri Kovaçevski nënvizoi se këto të dhëna së bashku me marrëveshjet të cilat Maqedonia e Veriut i ka nënshkruar për tregti të lirë të cilat mundësojnë qasje në tregjet e 40-të vendeve me 600 milionë konsumatorë e bëjnë vendin tonë një destinacion të shkëlqyer për investitorët e huaj.

Në takim delegacioni i Hyundai u njoftua me faktin se për momentin 40-të kapacitete të biznesit në vendin tonë janë në pronësi të investitorëve të huaj nga Tajvani, Gjermania, Kanadaja, SHBA-ja dhe për mbështetjen financiare të cilën Qeveria e ofron për investitorët ndërkombëtarë që përdorin furnizues vendas. sa/

 Foto. Qeveria

QËNDRONI TË LIDHUR