• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Kovaçevski: Ndryshimet në Kodin Zgjedhor tashmë janë përgatitur, LSDM do t'i mbështesë kur të vihen në votim

Kovaçevski:  Ndryshimet në Kodin Zgjedhor tashmë janë përgatitur, LSDM do t'i mbështesë kur të vihen në votim

Shkup, 20 shkurt 2024 (MIA) - Kryetari i LSDM-së Dimitar Kovaçevski theksoi se ndryshimet në Kodin zgjedhor tashmë janë përgatitur sipas rekomandimeve të OSBE-së dhe ODIHR-it dhe në momentin kur do të vihen në votim në Kuvend, LSDM-ja do t'i mbështesë.

Sa i përket ndryshimeve më thelbësore të Kodit Zgjedhor, Kovaçevski mbetet i mendimit se është tepër vonë për të ndryshuar legjislacionin zgjedhor pasi zgjedhjet janë shpallur tashmë.

"Sot nëse i vënë në votim ndryshimet e Kodit Zgjedhor, ne do t'i votojmë. Sa i përket ndryshimeve thelbësore, mund të hapet një diskutim, por mendoj dhe shoh se edhe partitë tjera politike mendojnë se tani është vonë për të ndryshuar legjislacionin zgjedhor pasi zgjedhjet janë shpallur tashmë", tha Kovaçevski pas vizitës së sotme në Qendrën për Ndërmarrësi Sociale në Shkup, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Drejtësisë Sociale.

Kovaçevski theksoi se LSDM-ja në zgjedhje do të ketë kandidatin e saj për president, si në të gjitha zgjedhjet që nga shpallja e pavarësisë së shtetit dhe u bëri thirrje të gjitha partive politike që ndajnë vlerat e LSDM-së që ta mbështesin kandidatin e tyre.

"Çdo parti politike ka të drejtë legjitime për të kandiduar kandidatin e vet për president dhe sipas dinamikës së proceseve politike pres që të gjithë ata që ndajnë vlerat tona ta mbështesin kandidatin tonë", shtoi Kovaçevski.

I pyetur se si do të ndikojë në LSDM fakti që BDI do të ketë kandidatin e vet në zgjedhje, Kovaçevski tha se një vit më parë kanë biseduar për koalicion parazgjedhor me BDI-në për të siguruar një konsensus më të gjerë në fushën e integrimit në BE, por vendimet varen nga disponimi i anëtarëve të partisë dhe nga analizat dhe anketat.

Ai theksoi se LSDM-ja do të ketë përfaqësues të saj në të gjitha njësitë zgjedhore, ndërsa nëse një pjesë e atyre listave të deputetëve do të jenë përfaqësues nga BDI apo nga parti të tjera politike që tradicionalisht nuk janë në koalicion me LSDM-në, këtë do ta tregojnë edhe më tej analizat dhe vendimet e organeve të partisë.

Në pyetjen e një gazetari nëse BDI-ja dhe LSDM-ja do të mbajnë takim këtë javë për të diskutuar për listat e përbashkëta, Kovaçevski tha se një takim i tillë nuk është caktuar.

"Një takim i tillë nuk është planifikuar. Ndoshta palët kanë biseduar në nivel sekretarësh. Nëse ka një takim atëherë do të informoheni. BDI-ja sigurisht që ka vlerësimet e veta sa i përket programeve të kandidatëve për president që kanë. Kandidati ynë për president angazhohet për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE, për ndërtimin e një shoqërie në të cilën çdo individ do të trajtohet në të njëjtën mënyrë, pavarësisht nga përkatësia etnike apo çfarëdo përkatësie tjetër, sepse në vendin tonë kemi pasur raste kur trajtimi nuk ishte i njëjtë për të gjithë", shtoi Kovaçevski.

Në pyetjen e një gazetari nëse është e vërtetë që LSDM-ja këtë javë do ta shpallë kandidatin për president, Kovaçevski përsëriti se kongresi në të cilin do të shpallet kandidati për president do të jetë ose në fund të këtij muaji ose në fillim të muajit të ardhshëm. sa/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR