• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Kovaçevski: Në vitin 2024 do të arrijmë dy për qind të BPV-së për mbrojtje, respektivisht 304 milionë euro

Kovaçevski: Në vitin 2024 do të arrijmë dy për qind të BPV-së për mbrojtje, respektivisht 304 milionë euro

Vilnus, 12 korrik 2023 (MIA) - Maqedonia e Veriut, sipas projeksionit afatmesëm buxhetor, vitin e ardhshëm do të arrijë nivelin e dy për qind të PBV-së për mbrojtje, në përputhje me angazhimin e vendeve anëtare të NATO-s në Vilnus që tani e tutje të jetë dy për qind minimumi i mjeteve të ndara, tha sot kryeministri Dimitar Kovaçevski në një konferencë për media në kryeqytetin lituanez.

Siç njoftoi raportuesi special i MIA-s nga Vilnius, 11 vende anëtare tashmë e kanë arritur këtë përqindje, disa prej tyre e kanë tejkaluar atë, e në pyetjen e MIA-s nëse kemi një buxhet për këtë qëllim dhe mundësia eventuale e tejkalimit të dy përqindëshit, Kovaçevski vuri në dukje se në kornizën afatmesme parashikohet që në vitin 2024 të ndahen 304 milionë euro.

Për momentin, Maqedonia e Veriut ndan 1.85 për qind të PBV-së për mbrojtjen, respektivisht, sipas kryeministrit, gjithsej 274 milionë euro.

“Investimet e reja do të ndihmojnë në forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse, përballjen me terrorizmin, me kërcënimet kibernetike dhe hibride në rritje, si dhe keqpërdorimin e teknologjive të reja”, tha kryeministri.

Lidhur me modernizimin dhe rekomandimin për ndarjen e 20 për qind të buxhetit, Kovaçevski vuri në dukje se për momentin Maqedonia e Veriut ndan 30 deri në 33 për qind.

“Kjo do të thotë pajisje të reja ushtarake, të cilat sigurohen ekskluzivisht nga SHBA-ja, Franca, Gjermania, një pjesë nga Turqia, pra nga vendet anëtare të NATO-s, e cila është më moderne dhe që përdoret nga armatat  tjera. Në të njëjtën kohë, këtu bëjnë pjesë investime në rinovimin, rindërtimin e objekteve në të cilat anëtarët e Armatës punojnë dhe qëndrojnë, dhe natyrisht rritjen e të ardhurave personale të anëtarëve të Armatës, të cilat gjatë viteve të fundit që kur u bëmë anëtare e NATO-s në veçanti janë me të vërtetë në nivel të lartë", tha kryeministri.

Ai theksoi se disa nga anëtarët kanë ndarje më të mëdha se minimumi 2 për qind, por shtoi se kjo shpesh varet nga struktura e PBB-së dhe forcat ushtarake në dispozicion të secilit prej shteteve.

“Ka shtete që janë shumë më të zhvilluara se ne, që kanë një pjesë më të madhe të shpenzimeve të mbrojtjes, por ka edhe vende që janë më të zhvilluara dhe kanë më pak PBB si përqindje e investimeve të mbrojtjes, por si vlerë absolute është një vlerë shumë shumë më e madhe duke marrë parasysh strukturën e PBB-së dhe madhësinë e buxhetit. Megjithatë, ne jemi brenda kuadrit të asaj që është projektuar dhe që është si angazhim minimal nga sot, ose dje, i Aleancës së NATO-s", theksoi Kovaçevski.

Ai përmblodhi zhvillimet në samitin dyditor, të cilin ai e përshkroi si të suksesshëm dhe në të cilin ai mbajti dy takime dypalëshe në margjinat, ndër të tjera, me kryeministrin estonez Kallas dhe kryeministrin grek Micotakis, si dhe takime të shumta joformale me presidentët dhe kryeministrat e vendeve anëtare të NATO-s.

“Përveç diskutimeve thelbësore, kemi pasur një agjendë intensive të takimeve me krerët e NATO-s, por edhe me krerët e BE-së, Ukrainës dhe partnerët e ngushtë nga Indo-Paqësori, Australia, Japonia, Zelanda e Re dhe Koreja e Jugut. “Si krerë të vendeve anëtare të NATO-s, ne kemi marrë vendime thelbësore që do të forcojnë mbrojtjen kolektive dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve tanë”, theksoi kryeministri.

Përkujtoi se u miratuan planet rajonale për mbrojtjen kolektive dhe reagimin e shpejtë ndaj kërcënimeve përmes tokës, ujit dhe ajrit, duke përkujtuar se ky është një transformim i gjeneratave që do të forcojë NATO-n në planin afatgjatë.

Kovaçevski theksoi se në Samit u mor një vendim për të vazhduar mbështetjen e qartë dhe të fortë për Ukrainën.

“Si shtet, ne kemi një qëndrim shumë të qartë dhe Maqedonia e Veriut gjithmonë do të mbështesë të drejtën për vetëmbrojtje dhe mbrojtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Ne jemi një vend më i ri anëtar i NATO-s dhe si i tillë ne jemi mbështetës të fortë të politikës së dyerve të hapura, falë së cilës ne jemi bërë gjithashtu një vend anëtar, dhe NATO tashmë ka marrë një vendim në vitin 2008 që Ukraina duhet të bëhet anëtare e plotfuqishme", tha Kovaçevski.

Ai përmendi gjithashtu Këshillin NATO-Ukrainë, i cili u konstituua në këtë Samit dhe i cili është pjesë e paketës së masave për ta sjellë Ukrainën më pranë NATO-s. Theksoi se është shpallur deklaratë e përbashkët e G7 për Ukrainën , e cila, siç tha ai, “e mirëpresim dhe mbështesim dhe që në të ardhmen do të jetë kornizë e dobishme për mbështetjen tonë për Ukrainën”.

Lidhur me mënyrën se si Maqedonia e Veriut do të mbështesë Ukrainën, ai theksoi se vendi mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës dhe është një shtet që ofron ndihmë ushtarake dhe joushtarake për Kievin.

"Deri më tani, ne kemi dërguar disa paketa ndihme në Ukrainë, të cilat u realizuan së bashku me vendet partnere të NATO-s dhe në të ardhmen gjithçka që mund të jetë në përputhje me mjetet në dispozicion të Ministrisë së Mbrojtjes dhe që normalisht do të harmonizohet me partnerë të tjerë strategjikë, do të jetë e mundur t 'u dorëzohet qytetarëve dhe Qeverisë së Ukrainë", tha Kovaçevski, duke theksuar se aktualisht ai nuk mund të thotë me saktësi se cilat mjete janë të përfshira.

Kovaçevski theksoi se në Samitin gjithashtu është theksuar rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë midis NATO-s dhe BE-së.

Në deklaratat e mia që i kam dhënë ditëve të fundit, por edhe në deklaratat e përfaqësuesve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përkujtova se bashkëpunimi NATO-BE ka një ndikim të rëndësishëm në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit të përshpejtimit të proceseve të integrimit evropian në rajon. Maqedonia e Veriut, si anëtare e NATO-s me fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, padyshim që vepron si faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor, theksoi kryeministri, duke shtuar se pikërisht kjo është arsyeja pse ata po punojnë në mënyrë aktive dhe janë plotësisht të përkushtuar për arritjen e qëllimit të dytë strategjik - anëtarësimin e plotë në BE.

Kovaçevski tha se të dy qëllimet strategjike, NATO dhe BE, kërkonin vendime të guximshme, vizionare dhe shtetformuese, e qytetarët, siç tha ai, nuk meritojnë asgjë më pak se ky vizion pa kalkulime politike.

Ai theksoi se mbështetja që vendet anëtare të NATO-s i japin rajonit është pikërisht në drejtim të anëtarësimit të vendit tonë dhe vendeve të tjera nga rajoni në BE.

"Kjo e përkthyer do të thotë se çdo frenim politik, kryesisht i bërë nga opozita në vendin tonë, këtu kryesisht mendoj për VMRO-DPMNE-në në aspektin e bllokadave të reformave dhe në aspektin e mosbashkëpunimit për vendimin për ndryshimet kushtetuese, është një punë e drejtpërdrejtë dhe aktive kundër anëtarësimit në BE, e me këtë edhe kundër NATO-s dhe stabilitetit dhe  sigurisë së rajonit. Kjo është e qartë për të gjithë këtu dhe për aleatët tanë të NATO-s dhe partnerët në NATO dhe BE që janë këtu me ne sot”, tha Kovaçevski.

Foto/Video: Qeveria

QËNDRONI TË LIDHUR