• e enjte, 26 dhjetor 2024

Kovaçevski në shëtitje me Vuçiqin dhe Bërnabiqin përgjatë Savës në Beograd

Kovaçevski në shëtitje me Vuçiqin dhe Bërnabiqin përgjatë Savës në Beograd
Beograd, 30 mars 2023 (MIA) - Kryeministri Dimitar Kovaçevski sonte bashkë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe me kryeministren Ana Bërnabiq e filloi vizitën e tij zyrtare në Beograd me shëtitje në shëtitoren përgjatë Savës në Beograd.
 
"Vizitën time e filloj me një shëtitje të këndshme të përbashkët nëpër shëtitoren e bukur përgjatë Savës në Beograd. Ndamë mendime për miqësinë e fortë, bashkëpunimin, partneritetin mes dy vendeve tona si dhe vizionin për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor", ka shkruar Kovaçevski në profilin e tij në Fejsbuk.
 
 
Presidenti serb Vuçiq në Instagram publikoi një fotografi nga shëtitja dhe shkroi se me krenari i tregon kryeministrit Kovaçevski se sa është ndërtuar Beogradi. 
 
"Thonë se gjatë një shëtitjeje të mirë bëhen planet më të mira dhe zhvillohen bisedat më të këndshme. Derisa me krenari po i tregoj mikut tim Dimitar Kovaçevski se sa shumë është ndërtuar Beogradi, ne po shkëmbejmë mendime për zgjerimin e nismave 'Ballkani i hapur', 'Rruga e BE-së drejt rajonit tonë', pozicioni dhe perspektivat e Ballkanit Perëndimor në hartën gjeopolitike të Evropës dhe botës, por edhe për planet për takimet e ardhshme dhe projektet e reja për t'u lidhur", ka shkruar Vuçiq në Instagram.
 
Kryeministri Dimitar Kovaçevski është për vizitë zyrtare në Serbi dhe e kryeson delegacionin nga Maqedonia e Veriut të përbërë nga disa ministra. Gjatë vizitës nesër do të nënshkruhen tre memorandume për bashkëpunim. fc/
 
Fotografia: Fejsbuku i Dimitar Kovaçevskit

QËNDRONI TË LIDHUR