• e enjte, 26 dhjetor 2024

Kovaçevski në Samitin e tretë të komunitetit politik evropian në Granada

Kovaçevski në Samitin e tretë të komunitetit politik evropian në Granada

Granada, 4 tetor 2023 (MIA) - Kryeministri Dimitar Kovaçevski nesër në Granada, Spanjë, do të marrë pjesë në Samitin e tretë të Komunitetit politik evropian, së bashku me liderë nga gjithsej 47 vende, nga të cilat 27 shtete anëtare të Bashkimit Evropian, vende nga Ballkani Perëndimor, Zvicra, Norvegjia dhe Islanda, si dhe Azerbajxhani, Gjeorgjia, Turqia dhe Ukraina.

Në Samit, siç është njoftuar, do të marrin pjesë edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursulla fon der Lajen, si dhe presidenti i Këshillit Evropian, Sharl Mishel. 

Programi i Samitit përfshin një seancë plenare dhe diskutime në tryezë të rrumbullakët në lidhje me çështjet aktuale për të ardhmen e Evropës.

Kovaçevski do të marrë pjesë në seancën plenare të Samitit, ndërsa më pas me liderët e Suedisë, Francës, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Kroacisë, Lihtenshtajnit, Bullgarisë dhe Shqipërisë, si dhe Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian do të marrin pjesë në tavolinën e rrubullakët kushtuar tranzicionit digjital dhe inteligjencës artificiale.

Në kuadër të Samitit të tretë të Bashkësisë Politike Evropiane, kryeministri Kovaçevski parashihet të ketë takime bilaterale me kryeministrin e Holandës, Mark Rute dhe me kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar.

Komuniteti politik evropian është një platformë e koordinimit politik për vendet evropiane në të gjithë kontinentin, e cila synon të bashkojë liderët nga vendet evropiane në frymën e barazisë dhe unitetit dy herë në vit. Samiti i parë i Komunitetit Politik Evropian u mbajt në Pragë në tetor të vitit 2022, në qershor të këtij viti i ndjekur nga Samiti në Kishinjev të Moldavisë.

Gjatë vizitës në Granadë, kryeministri Kovaçevski do të shoqërohet nga bashkëshortja e tij Elena Kovaçevska, e cila, siç është paralajmëruar, do të ketë më shumë aktivitete dhe do ta shoqërojë kryeministrin Kovaçevski në darkën formale të organizuar nga Mbreti dhe Mbretëresha e Spanjës. qa/ab/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR