• e premte, 27 dhjetor 2024

Kovaçevski në Odën Ekonomike: Investimet e reja janë rezultat i politikave strategjike, anëtarësimit në NATO dhe fillimit të bisedimeve me Bashkimin Evropian

Kovaçevski në Odën Ekonomike: Investimet e reja janë rezultat i politikave strategjike, anëtarësimit në NATO dhe fillimit të bisedimeve me Bashkimin Evropian

Shkup, 26 maj 2023 (MIA) - Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, realizoi takim pune me kryetarin e Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut Branko Azeski dhe anëtarët e Bordit Drejtues të Odës. Në takim morën pjesë edhe Fatmir Bytyqi, zëvendëskryeministër i ngarkuar për çështje ekonomike, koordinim të resorëve ekonomikë dhe investimeve dhe zëvendësministri i Financave, Filip Nikolloski.

Në takim, kryeministri Kovaçevski i informoi përfaqësuesit e komunitetit të biznesit për vizitën e punës në SHBA, për të cilën theksoi se është me rëndësi nacionale dhe shtetërore.

“Në këto momente kyçe, vendi ynë mori një mbështetje shumë të fuqishme nga partnerët tanë më të mëdhenj dhe më të rëndësishëm strategjikë, SHBA-të, e cila është jashtëzakonisht e rëndësishme për të ardhmen e vendit dhe për vazhdimin e rrugës evropiane. SHBA-të e vlerësojnë kontributin tonë në proceset globale dhe faktin që ne jemi një vend që është një faktor i stabilitetit rajonal. Në historinë e tij të re, shteti maqedonas ka pasur mbështetje nga SHBA-të, por asnjëherë nuk ka pasur një mbështetje kaq të fuqishme, të theksuar dhe domethënëse për të ardhmen e vendit. Këtë duhet ta kemi parasysh. Sidomos tani në këto momente”, tha Kryeministri Kovaçevski dhe tha se kemi mbështetje të plotë nga SHBA-të për amendamentet kushtetuese, gjë që është theksuar edhe në deklaratën e Eskobarit, por edhe të ambasadores Ageler, se sa e rëndësishme në një kontekst nacional, rajonal por edhe në kontekst global që Maqedonia e Veriut të vazhdojë me integrimet evropiane që tashmë kanë filluar.

Në takim, Kryeministri Kovaçevski informoi për bisedimet me sekretarët shtetëror Blinken dhe Eskobar, të cilët konfirmuan se integrimi evropian i vendit është proces i pakthyeshëm, por shprehën shqetësim për bllokadën e opozitës.

"Sot ne jemi gjithashtu të përkushtuar për përparim të mëtejshëm drejt integrimit evropian - dhe herët ose vonë ato do të ndodhin, sepse vendi është në rrugën e duhur dhe prej këtu ka vetëm përpara.Maqedonia e Veriut më në fund ka një mjedis të favorshëm dhe të parashikueshëm të biznesit për kompanitë dhe për investime të reja, që është rezultat i politikave strategjike, anëtarësimit në NATO dhe fillimit të bisedimeve me Bashkimin Evropian”, tha Kryeministri Kovaçevski.

Në të njëjtën kohë, Kryeministri Kovaçevski theksoi se përkrahja që shteti ka nga SHBA-të është veçanërisht e rëndësishme për komunitetin e biznesit, duke theksuar se hyrja e kompanive të njohura të huaja në vendin tonë nënkupton edhe një vlerësim më të lartë të investimeve.

Kur një kompani përparon, është motiv që një kompani tjetër të hyjë dhe të investojë, tha Kryeministri Kovaçevski, duke shtuar se me rritjen e numrit të investimeve, hapet një mundësi - në vend të një vendi të lirë të punës, Maqedonia e Veriut të jetë një shtet i vendeve të punës më mirë të paguara.

“Sjellim investime që po rriten me shpejtësi. Dhe me këtë Maqedoninë e Veriut po e vendosim në hartë si një vend që ka kapacitet për investime të mëdha dhe për investime në shekullin 21”, tha Kryeministri Kovaçevski.

Në takimin në Odën Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, Kryeministri Kovaçevski theksoi se komuniteti i biznesit është i rëndësishëm për krijimin e politikave ekonomike të shtetit, sepse sektori privat është një nga shtytësit e ekonomisë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, Branko Azeski, tha se Oda edhe në të ardhmen do të kontribuojë në mënyrë konstruktive me masa për përmirësimin e ambientit afarist, duke theksuar progresin që ka arritur vendi në dialogun ndërkombëtar. mb/

Foto. Qeveria e RMV-së

QËNDRONI TË LIDHUR