• e enjte, 26 dhjetor 2024

Kovaçevski: Masat antikrizë sigurojnë më shumë për ata që kanë më shumë nevojë për mbështetje

Kovaçevski: Masat antikrizë sigurojnë më shumë për ata që kanë më shumë nevojë për mbështetje

Shkup, 24 dhjetor 2023 (MIA) - Pakoja e re e masave antikrizë është vazhdimësi e mbështetjes që qytetarët dhe kompanitë e kanë pasur si gjatë kovid pandemisë ashtu edhe gjatë krizës energjetike, por edhe vazhdimësi e politikës së përgjithshme që Qeveria për gati shtatë vjet e udhëheq në drejtim të mbrojtjes së standardit jetësor, likuiditetit të kompanive dhe zhvillimit të ekonomisë, thotë kryeministri Dimitar Kovaçevski në një intervistë për Civil.

Ai thekson se masat antikrizë janë shqetësim për të gjithë qytetarët dhe sigurojnë më shumë për ata që kanë më shumë nevojë për mbështetje.

"Më shumë se dy miliardë euro janë drejtuar për qytetarët dhe kompanitë vetëm në tre vitet e fundit, kurrë më parë nuk ka pasur kaq shumë mbështetje financiare nga shteti, kaq shumë para për t'u kthyer tek qytetarët, tek ekonomia. Vetëm pakoja e re e nëntë e masave kundër krizës kap vlerën 662 milionë euro dhe përmban 26 masa si mbështetje për nxënësit, studentët, të rinjtë, pensionistët, kategoritë e rrezikaura, prindërit e vetëm, familjet me të ardhura të ulëta, fermerët, kompanitë. Pagesat për një pjesë të masave fillojnë në fund të këtij muaji dhjetor, thekson Kovaçevski, transmeton shërbimi për shtyp i qeverisë.

Ai bën të ditur se për një pjesë të masave nga pakoja e re e masave antirkrizë, pagesa fillon në fund të këtij muaji. Me këtë pako, thekson, është siguruar mbështetje për 120 mijë të rinj, 187 mijë pensionistë, mbi 74 mijë qytetarë të rrezikuar social, 40 mijë fermerë, 600 mijë amvisëri dhe mbi 70 mijë kompani.

"Për të rinjtë ofrojmë mbështetje financiare për nxënësit e shkollave të mesme dhe nxënësit nga familjet me të ardhura mujore deri në 50.000 denarë. Në gjashtë muajt e ardhshëm 35.000 gjimnazistë do të marrin 1.800 denarë në muaj ose 10.800 denarë deri në fund të vitit shkollor për nxënës. Nxënësit e arsimit fillor do të marrin 1200 denarë në muaj për gjashtë muajt e ardhshëm ose 7200 denarë deri në fund të vitit shkollor për një nxënës. Thirrja për nxënësit tashmë është hapur dhe zgjat deri më 26 dhjetor, pas së cilës do të fillojë pagesa. Studentët nga familjet e rrezikuara sociale marrin vauçer për transport nga 600 deri në 1200 denarë në muaj, këto janë 15.000 studentë. Thirrja për mbështetje financiare për studentët që jetojnë jashtë vendit të studimit për vitin akademik 2023/24 është e hapur deri më 24 dhjetor, ndërsa vauçeri do të jetë i vlefshëm nga ky muaj, dhjetor 2023", paralajmëroi kryeministri Kovacevski.

Me pakon e masave antikrizë, pensionistët me pension deri në 14.000 denarë marrin 3.000 denarë në muaj mbështetje financiare për 5 muajt e ardhshëm. Për 5 muaj kjo është mbështetje prej gjithsej 15.000 denarë. Pensionistët me pension prej 14.000 deri në 16.000 denarë marrin 2.000 denarë në muaj. Ata pensionistë me të ardhura nga 16.000 deri në 19.000 denarë në 5 muajt e ardhshëm do të marrin mbështetje prej 1.500 denarë. Pagesat e kësaj ndihme financiare, thekson kryeministri, pensionistët mund t'i presin në fund të këtij muaji, pas pak ditësh dhe as nuk duhet të aplikojnë, do të arrijë në llogaritë e tyre.

Për shfrytëzuesit e kompensimit për shkak të aftësisë së kufizuar, prindër të vetëm - shfrytëzues të ndihmës minimale të garantuar dhe prindër të fëmijëve me aftësi të kufizuara deri në 26 vjeç, kemi ofruar mbështetje prej 2.000 denarë për një periudhë pesë mujore. Gjithashtu, ne mbështesim 5000 familje në nevojë përmes Programit për Varfërinë Energjetike. Pagesat e kësaj mbështetje financiare do të bëhen në fund të këtij muaji.

"Vazhdon masa për energjinë elektrike të subvencionuar deri në 90 për qind, për mbi 600 mijë familje. Me masën për rritjen e pagave të punëtorëve në kompanitë private, hapim mundësinë e rritjes së pagave nga 3.000 në 9.000 denarë. Do të përmend edhe masën për “TVSH-ja ime”, për të cilën kufirin e kemi rritur në 2.100 denarë dhe me këtë masë janë përfshirë 540.000 shfrytëzues. Po ua kthejmë paratë qytetarëve dhe vetëm përmes kësaj mase qytetarëve u janë kthyer mbi 110 milionë euro", tha kryeministri Kovaçevski.

Kryeministri nënvizon gjithashtu se për herë të parë fermerët marrin paradhënie subvencionesh. Të gjithë 40 mijë fermerët që kanë fituar të drejtën për subvencione do të marrin paradhënie prej 30 për qind të subvencioneve, gjithashtu në fund të këtij muaji. Mbështetje ofrohet edhe për kompanitë, e cila forcon sektorin privat, zbut pasojat e krizës ekonomike dhe ruan konkurrencën e ekonomisë sonë.

Ai shton se rritje ka edhe te pensionet. Pensioni mesatar, siç thotë ai, sot është 20.100 denarë, që është për 6.400 denarë më shumë se në vitin 2016, kurse pensioni minimal tani është 13.150 denarë, 4.300 denarë më i lartë se në vitin 2016, përkatësisht dy herë më i lartë.

Ai theksoi të gjitha masat e marra nga qeveria për zbutjen e pasojave të krizës më të madhe ekonomike dhe energjetike në botë, si dhe përfitimet e tranzicionit energjetik.

Ai vlerësoi se kriza u shndërrua në një mundësi, me të cilën, siç theksoi, vendi u bë lider në rajon pas tranzicionit energjetik dhe përveç kësaj, u rikthye rryma e lirë për qytetarët.

Duke vënë në funksionim të gjitha kapacitetet energjetike që kemi në vend, shton kryeministri, kemi rritur prodhimin vendas të energjisë elektrike dhe EMV-së, në vend të 60 për qind të parashikuar me ligj të prodhimit të energjisë elektrike, kemi siguruar 100 për qind të energjisë elektrike për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël. ls/

Foto: Qeveria e RMV-së

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR