• e enjte, 26 dhjetor 2024

Kovaçevski: Maqedonia e Veriut 30 vjet në KB - kaluam shumë vështirësi, por me sukses i tejkaluam të gjitha sfidat

Kovaçevski: Maqedonia e Veriut 30 vjet në KB - kaluam shumë vështirësi, por me sukses i tejkaluam të gjitha sfidat

Shkup, 5 maj 2023 (MIA) - Kryeministri Dimitar Kovaçevski, në kuadër të vizitës së tij të punës në Nju-Jork, mbrëmë pati fjalim në pritjen në selinë e Kombeve të Bashkuara, me rastin e 30 vjetorit të anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në KB. 

“Tridhjetë vjet mund të jenë shumë domethënëse në jetën e një njeriu, por në të njëjtën kohë janë domethënëse edhe për një vend, aq më shumë për historinë e tij. Data 8 prill e vitit 1993 do të mbahet mend gjithmonë si një nga datat më domethënëse në historinë tonë. E kemi përmbushur ëndrrën e kamotshme të brezave për një shtet të lire, sovran, të pavarur dhe demokratik, të ankoruar fort në familjen e kombeve”, theksoi Kovaçevski.

Ai përkujtoi, se presidenti ynë i parë, Kiro Gligorov, në fjalimin e tij gjatë pranimit, drejtuar në gjuhën maqedonase në sallën e Asamblesë së Përgjithshme, tha se pranimi në familjen ndërkombëtare të kombeve është akt me të cilin fiton drejtësia.

“Republika e Maqedonisë së Veriut gjatë gjithë këtyre viteve u soll me përgjegjësi, si vend që i kupton proceset globale dhe i respekton parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe fqinjësisë së mirë. Maqedonia e Veriut kaloi shumë momente të vështira, por falë urtësisë së qytetarëve dhe zbatimit të politikave të arsyeshme dhe lidershipit të politikanëve të saj, i kapërceu me sukses të gjitha sfidat dhe tundimet që i qëndruan në rrugën e saj”, tha kryeministri.

Ai shtoi se në 30 vitet e fundit kemi marrë shumë vendime të vështira. - Zgjedhjet e vështira, por imagjinative dhe të guximshme, na lejuan të bëhemi një vend i NATO-s dhe të fillojmë negociatat e anëtarësimit me BE-në, me gjuhë, identitet dhe kulturë të mbrojtur dhe të njohur. Nga një vend që priti misione paqeruajtëse 30 vjet më parë, ne jemi tani një vend që pret negociatat ndërkombëtare. Kjo është bërë sepse po ndërtojmë lidershipin dhe përvojën dhe vizionin e politikanëve dhe diplomatëve që i përmenda më herët”, theksoi Kovaçevski.

Sot, theksoi kryeministri, kemi brezin e ri të ministrave dhe diplomatëve. “Ministri Osmani, i cili tregoi një shkallë të lartë të fokusimit dhe njohurive gjatë negociatave tona me BE-në dhe në Bullgarinë fqinje vitin e kaluar. Ambasadori Popov, i cili është nga gjenerata e re, por diplomat me përvojë dhe me diplomatë dhe ministra të tillë, jam i sigurt se do të vazhdojmë në rrugën e diplomacisë së suksesshme që e praktikojmë që nga dita e parë e pavarësisë”, tha Kovaçevski.

Ai theksoi se Marrëveshja e nënshkruar e Ohrit, Marrëveshja e Prespës si dhe Marrëveshja e fqinjësisë së mirë janë konfirmim i përkushtimit të vazhdueshëm për t'i hapur rrugë zhvillimit aktual dhe të ardhshëm të vendit drejt një dialogu të hapur. “Vendi ynë, Maqedonia e Veriut, ka një brend të veçantë diplomacie, të demonstruar përmes dialogut konstruktiv, për zgjidhjen e çështjeve të hapura. Dhe të gjitha këto pyetje ishin të lidhura me identitetin. Nëse ka një vend në botë ku ka prova se diplomacia punon për të zgjidhur çështjet e identitetit, atëherë ajo është Maqedonia e Veriut, shtoi Kovaçevski.

Shefi i Qeverisë së Maqedonisë theksoi se si kryetar i OSBE-së për vitin 2023, vendi ynë i promovon këto parime thelbësore që dalin nga Karta e KB-së dhe konfirmimi i të cilave sot është më shumë se kurrë më parë. “Ne besojmë fort në KB dhe vlerat e saj. Ne besojmë fuqishëm në potencialin tonë të përbashkët për të promovuar qeveritë globale gjithëpërfshirëse, efektive dhe të qëndrueshme bazuar në rregullat dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare”, shtoi ai.

Kovaçevski në fjalën e tij theksoi se ambiciet tona para 30 vitesh dhe sot janë të njëjta. Respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, demokracia dhe zhvillimi ekonomik dhe zgjidhja e çështjeve të përbashkëta që prekin planetin tonë.

“Ndërsa jemi të gjithë këtu në këtë godinë epokale në Ist River për të festuar 30 vjetorin e anëtarësimit në KB, dua t'ju ftoj të shihni ekspozitën e organizuar bashkërisht nga Arkivi Kombëtar i vendit tonë dhe Ministria e Punët e Jashtme, ku të gjitha ato momente kur vendi ynë u vu në provë, të gjitha hallet, por edhe të gjitha sukseset”, tha kryeministri Kovaçevski.

Në fund të fjalës së tij ai theksoi se mezi pret tridhjetë vitet e ardhshme të punës së përbashkët dhe partneritetit. "Siç thonë, njëqind vitet e para janë më të vështirat, por thonë se detyrat e vështira i takojnë atyre që mund të durojnë më shumë", theksoi kryeministri Kovaçevski.

Foto/video: Qeveria e RMV-së

 

QËNDRONI TË LIDHUR