• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Kovaçevski: LSDM dhe koalicioni nuk do ta mbështesin ribalancin

Kovaçevski: LSDM dhe koalicioni nuk do ta mbështesin ribalancin

Shkup, 12 gusht 2024 (MIA) - LSDM-ja dhe koalicioni nuk do ta përkrahin ribalancin, tha deputeti Dimitar Kovaçevski në debatin e përgjithshëm parlamentar që filloi sot pasdite, pas ekspozesë së ministres së Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska.

Siç tha Kovaçevski i cili shpjegoi këtë vendim, me ribalancin nuk janë siguruar mjete për rritje të vazhdueshme të pagave dhe rritje të pagës minimale, nuk janë paraparë mjete për shlyerjen e obligimeve kontraktuale për të mbështetur investimet e kompanive vendore, janë ulur mjetet për subvencione bujqësore, janë ulur për 10 milionë denarë mjetet për shoqatat e personave me aftësi të kufizuara dhe për organizatat që luftojnë dhunën në familje dhe fusha të tjera të ngjashme.

Kovaçevski foli edhe për treguesit ekonomikë, duke theksuar se sipas ribalancit, deficiti i BPV-së së planifikuar është 4,9 për qind që është një rritje për një të tretën në raport me deficitin e planifikuar origjinal.

"LSDM-ja nuk do ta prolongojë debatin për ribalancin. Gjatë debatit në komision, LSDM-ja dhe koalicioni kanë dorëzuar 58 amendamente prej të cilave asnjë nuk është pranuar. Në pjesën e pagave nuk janë parashikuar mjete për rritje të vazhdueshme të pagave dhe për rritje të pagës minimale nuk janë përcaktuar mjete për rritjen e pagave në arsim, edhe pse në buxhet ka të hyra më të mëdha, nuk janë dhënë mjete për mbulimin e detyrimeve të mbrojtjes sociale, as për rritjen e të drejtave për mbrojtjen e fëmijëve, janë ulur fondet për programin IPARD, gjegjësisht për bujqit, si dhe mjetet për paradhënie të subvencioneve bujqësore...", theksoi Kovaçevski i cili përmendi edhe katër ministritë e reja në buxhetin e ardhshëm, ku siç tha, "nuk ka mundësi të paguajnë paga për punëtorët në këtë moment".

Ka replikuar Igor Zdravkovski nga VMRO-DPMNE-ja.

"I keni futur në borxhe të gjallët dhe të palindurit. Tani 1,8 miliardë duhet të kthehen vetëm në bazë të kamatës për huazimet", theksoi Zdravkovski.

Në pjesën e kaluar të seancës, ministrja Dimitrieska Koçoska e vlerësoi ribalancin si përpjekje të Qeverisë së re për të siguruar likuiditet për kryerjen e rregullt të gjitha obligimeve deri në fund të vitit, duke siguruar njëkohësisht funksionimin normal të institucioneve dhe realizimin e projekteve që kanë dinamikën e duhur. rq/

Foto: printskrin

 

QËNDRONI TË LIDHUR