• e shtunë, 23 nëntor 2024

Kovaçevski: Korridori 8 është gurthemel edhe i investimeve të reja

Kovaçevski: Korridori 8 është gurthemel edhe i investimeve të reja

Tetovë, 4 prill 2023 (MIA) - Gurthemeli i Korridorit 8 nuk është vetëm fillimi i një infrastrukture të re rrugore, por është edhe gurthemeli i investimeve të reja - hapja e tregjeve të reja, mundësitë për bashkëpunime të reja si ndërmjet kompanive vendore ashtu edhe me ato ndërkombëtare, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski në shënimin e fillimit të ndërtimit të autostradës nga Tetova në Gostivar, që është pjesë e Korridorit 8.

Ndërtimi i Korridorit 8 nënkupton më pak shpenzime për transport dhe transport më të shpejtë, lidhje dhe integrim të Maqedonisë së Veriut, si dhe zhvillim ekonomik dhe rajonal të vendit. Do të thotë edhe lidhshmëri të shtetit me vendet e tjera evropiane, që nënkupton investime të huaja, zhvillim ekonomik të vendit, transferim më të shpejtë të njerëzve dhe mallrave, turizëm të zhvilluar dhe mbi të gjitha rrugë të sigurta për qytetarët.

"Akti i sotëm është fillimi i një vepre serioze strategjike dhe shtetërore, përfitimin e të cilit do ta shohin gjeneratat aktuale dhe të ardhshme të vendit tonë, por edhe dy vendet fqinje në lindje dhe në perëndim, që janë lidhur me Korridorin 8, dhe me të gjithë ata që do të kalojnë nëpër të. Me pozitën gjeostrategjike dhe Korridorin 8, ne bëhemi një rrugë e pashmangshme transporti si në rajon ashtu edhe më gjerë", tha Kovaçevski në fjalën e tij përshëndetëse.

Sot, theksoi ai, nis një ofensivë e fortë ndërtimore për ndërtimin e pjesës perëndimore të Korridorit 8.

 "Ndërtimi i autostradës moderne, bashkëkohore Tetovë - Gostivar, Gostivar - Bukojçan, Trebenisht - Strugë – Qafë Thanë, sot tregon se është një synim konkret, real dhe i arritshëm që është në interes të qytetarëve, për jetë më të mirë dhe prosperitet të komunitetit të biznesit. Çdo autostradë sjell një mundësi për biznese të reja dhe zhvillim ekonomik. Stacione të reja karburanti, hotele të reja, restorante, ambiente biznesi, më shumë punësim, punë më të paguara, më shumë konkurrencë dhe zhvillim më të shpejtë.  E di sa e rëndësishme është kjo autostradë për një impuls të ri ekonomik dhe zhvillimor jo vetëm në pjesën perëndimore të vendit, por edhe për zhvillimin rajonal të të gjithë vendit", thekson Kovaçevski.

Korridori 8 dhe Korridori 10d janë projekti më i madh infrastrukturor në vendin tonë në sektorin rrugor.

"Vlera e Marrëveshjes për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10d është 1.3 miliardë euro. Do të ndërtohen katër akse të autostradave me një gjatësi totale prej rreth 110 kilometrash. Një gjë e tillë nuk është bërë kurrë në historinë e vendit tonë. Deri më sot, këto dy korridore ishin vetëm një plan në letër, i cili nuk u realizua asnjëherë për arsye të ndryshme. Sot kjo ndryshon dhe fillon realizimi i tyre. Për herë të parë, si shtet, ne po lidhemi me perëndimin dhe lindjen, dhe jo thjesht të lidhim veriun me jugun si më parë. Me ndërtimin e autostradave, vendi ynë do të lidhet me dy porte të tjera. Porti i Durrësit dhe porti në Burgas janë gjithashtu një mundësi dhe perspektivë e shkëlqyer zhvillimi. Nëse Maqedonia e Veriut ishte një rrethrrotullim deri më tani, tani me këtë Korridor 8 po bëhet një udhëkryq i vërtetë në Ballkan. Kjo është e ardhmja jonë", porositi Kovaçevski.

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministrër i Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi, i cili është edhe kryetar i Komitetit për ndërtimin e Korridorit 8, falënderoi të gjithë që janë të përfshirë në procesin e realizimit të projektit, dhe veçanërisht dhe ambasadoren aktuale dhe atë të mëparshme të SHBA-së në vend, Anxhela Ageler dhe Kejt Mari Bërns dhe deputetët që votuan për Aktin e posaçëm të Ndërtimit të Korridoreve.

"Sot dua t'ju falënderoj. Më lejoni të filloj me kryeministrin Kovaçevski për gjithë mbështetjen e tij për projektin, por nuk do të doja të harroj edhe ish-kryeministrin Zaev për mbështetjen që i dha këtij projekti. Jam vërtet shumë krenar që konsorciumi i udhëhequr nga “Behtel dhe Enka” do të ndërtojë Korridorin 8 dhe 10 d dhe që me ta po shënojmë një ngjarje madhore në industrinë e ndërtimit në vend”, tha Grubi.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka treguar se Korridori 8 do të përmirësojë jetën e qytetarëve dhe do të lehtësojë nivelin e lëvizjes së tyre. Me të, siç tha ai, po ndërtohen ura mes gjithë Ballkanit.

"Ndërtimi i Korridorit 8 është një punë shumë mirënjohëse që do të shërbejë drejtpërdrejt për marrëdhënie më të forta mes banorëve dhe ekonomive të vendeve të rajonit", tha Ahmeti.

Ambasadorja amerikane Anxhela Ageler theksoi se sot është një ditë e veçantë për Maqedoninë e Veriut, për Ballkanin Perëndimor dhe për të gjithë Evropën, por është gjithashtu një ditë shumë e madhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për biznesin amerikan këtu në Maqedoninë e Veriut.

"Ky është një investim në të ardhmen e Maqedonisë së Veriut dhe të gjitha vendeve të lidhura me Korridorin 8 dhe më gjerë. Përmirësimi i rrugëve në Maqedoninë e Veriut është jashtëzakonisht i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik. Zhvillimi i këtij rrjeti modern rrugor do të ndihmojë në lëvizjen e njerëzve, lëvizjen e mallrave dhe tërheqjen e investimeve. Rrugët e mira të transportit si Korridori 8 do ta ndihmojnë Maqedoninë e Veriut të përmirësojë integrimin e saj rajonal dhe të ndërtojë marrëdhënie më të mira me fqinjët e saj", tha Ageler.

Ai shprehu besimin se gjërat do të ecin shpejt dhe me sukses në ndërtimin e këtij rrjeti rrugor, siç tha ai, modern.

Shon Keni nga konsorciumi “Behtel dhe Enka” falënderoi për besimin e dhënë për ndërtimin e këtij projekti të rëndësishëm infrastrukturor.

"Ne ofrojmë rezultate për klientët tanë. Ne kemi një histori të gjatë të autostradave të përfunduara me sukses në Ballkan. Ky partneritet vlerëson të gjithë projektin dhe ne do të përdorim furnitorët vendor, do të ofrojmë punësim për popullatën lokale, si dhe një furnizim afatgjatë të punëtorëve të ndërtimit që do të jenë në dispozicion për ne për përpjekjet e ardhshme të ndërtimit", tha Keni.

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Blagoj Boçvarski ka treguar se me ndërtimin e këtij projekti më të madh infrastrukturor kapital deri më tani në vend, po shkruajmë historinë si shtet modern dhe evropian.

"Sot po shkruajmë historinë e Maqedonisë moderne të begatë dhe evropiane. Ky është një moment që e kemi pritur prej kohësh, por ky gur themeli është dëshmi e punës së përkushtuar të institucioneve, e koordinimit, e përkushtimit të fortë për të luftuar dhe nisur zbatimin e sfidimit të projektit më të madh të infrastrukturës kapitale ndonjëherë. Sot ua bëjmë të qartë të gjithëve - infrastruktura është prioriteti më i madh i kësaj Qeverie dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut", tha Boçvarski.

Nga këtu, shtoi ai, po fillojmë ndërtimin dhe modernizimin e korridoreve 8 dhe 10 d, seksione të reja autostrade me gjatësi totale prej 110 kilometrash.

"Ky vit është viti i infrastrukturës. Ne po investojmë mbi një miliard euro në ndërtimin e rrugëve të reja, por po ndërtojmë edhe rrugë të reja eksprese, si dhe një hekurudhë të re në lindje. Sot shpallim fillimin e ndërtimit të të parës nga katër seksionet e autostradës Tetovë - Gostivar në gjatësi prej 17.5 kilometra, ndërsa tashmë javën e ardhshme do të shpallim ndërtimin e aksit Prilep - Manastir nga Korridori 10 d. Në të njëjtin muaj do të fillojnë edhe punimet ndërtimore në aksin Gostivar – Bukojçan në gjatësi prej 30.3 kilometra, ndërsa sipas kontratës kemi paraparë ndërtimin e aksit Trebenishtë – Strugë – Qafëthanë në gjatësi prej 21.7 kilometra e cila gjithashtu do të fillojë gjatë këtij viti", theksoi Boçvarski.

Të gjithë jemi të vetëdijshëm, theksoi ai, se kjo punë nuk do të jetë e lehtë.

"Ne përballemi me sfida të mëdha sepse ndërtimi është gjithmonë i pasigurt në terren. Por dua t'ju siguroj se jemi të fokusuar maksimalisht në ndërtimin e projekteve të korridoreve 8 dhe 10 d, dhe korridoret në Maqedoninë e Veriut janë të një rëndësie jetike për Ballkanin Perëndimor dhe për këtë arsye kemi mbështetje nga partnerët tanë strategjikë", tha Boçvarski.

Ai pret një menaxhim të mirë të projektit dhe, siç tha, beson se kompania kontraktore si kompani me famë botërore do të tregojë veprim të fuqishëm, metoda dhe teknologji moderne në terren, që është parakusht për forcimin e kapaciteteve të kompanive vendore të ndërtimit.

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, ka treguar se sot fillon realizimi i një prej investimeve më të mëdha kapitale.

"Një vend është i zhvilluar aq sa ka rrugë të zhvilluara. Korridori 8 lidh jo vetëm qytetet, por edhe shtetet dhe për rrjedhojë është një nga investimet më të mëdha në vend. Besojmë se “Behtel dhe Enka” do t’i ndërtojnë dhe sa më shpejt do ta gëzojmë këtë rrugë në të cilën kalojnë rreth 12 mijë vetura në ditë”, tha Taravari.

Drejtori i NP për  Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi tha se romakët e kanë quajtur këtë rrugë “Via Ignatia” dhe e kanë vlerësuar shumë kohë më parë.

"Sot po zbatojmë këtë projekt historik me një gjatësi totale prej 110 kilometrash që duhet të jetë gati për katër vjet e gjashtë muaj dhe të mundësojë që vendi të jetë një udhëkryq i vërtetë në Ballkan. Sot është një ditë e rëndësishme për të gjithë ne. Nëse 30 vjet më parë udhëtonim nga Tetova në Tiranë për 12 deri në 14 orë, sot në këtë rrugë do të udhëtojmë për katër ose pesë orë. Pas ndërtimit të kësaj autostrade do të duhen vetëm dy orë për të udhëtuar. Ky është avantazhi i këtij projekti kapital që do të mundësojë zhvillim më të madh ekonomik", tha Rustemi. sa/

Foto: Qeveria

 

QËNDRONI TË LIDHUR