• e enjte, 11 korrik 2024

Kovaçevski: Konkluzionet e propozuara janë shumë të qarta dhe procesi i ndryshimeve kushtetuese është i pashmangshëm

Kovaçevski: Konkluzionet e propozuara janë shumë të qarta dhe procesi i ndryshimeve kushtetuese është i pashmangshëm

Bruksel, 13 dhjetor 2023 (MIA) - Konkluzionet e propozuara janë shumë të qarta dhe sigurisht që do të vazhdojmë me reformat, dhe procesi i ndryshimeve kushtetuese është një proces që do të vazhdojë, i cili është i pashmangshëm dhe përfundimisht do të rezultojë me përfundimin me sukses të negociatave dhe anëtarësimin në BE, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski para fillimit të Samitit BE-Ballkani Perëndimor.

Maqedonia e Veriut, theksoi Kovaçevski, ka përfunduar një proces të suksesshëm të skriningut, të cilin e ka pranuar edhe BE-ja, por, siç theksoi ai, "të gjithë e dini se kemi edhe një obligim që duhet ta përfundojmë".

"Tani varet nga ne, megjithatë, ai diskutim me siguri do të vazhdojë. Procesi do të vazhdojë dhe në mënyrë të pashmangshme do të përfundojë me inkuadrimin e Maqedonisë së Veriut në BE", theksoi Kovaçevski.

Sipas Kovaçevskit, sikur të gjithë aktorët politikë në vendin tonë të kishin një qëndrim siç ka koalicioni qeveritar, sot këtu do të ishte ndryshe dhe siç thotë ai, do të kishim diskutuar për hapjen e kapitujve dhe klasterëve.

Lidhur me  ndryshimet kushtetuese, Kovaçevski tha se është një obligim që është shumë qartë i theksuar në Raport dhe në konkluzionet e propozuara thuhet se sapo të miratohen ato ndryshime, menjëherë do të mbahet konferenca e dytë ndërqeveritare.

"Gjithçka që kam thënë gjatë një viti e gjysmë është konfirmuar si e vërtetë", tha Kovaçevski. sa/

Foto: skrinshot

QËNDRONI TË LIDHUR