• e enjte, 26 dhjetor 2024

Kovaçevski: Kemi një mundësi të vetme për anëtarësim të shpejtë në BE, për t'u bashkuar rreth një qëllimi të përbashkët

Kovaçevski: Kemi një mundësi të vetme për anëtarësim të shpejtë në BE, për t'u bashkuar rreth një qëllimi të përbashkët

Shkup, 6 shtator 2023 (MIA) - Sot kemi mundësinë më reale dhe të vetme për një proces të shpejtë të anëtarësimit në Union në vitet e ardhshme. Ju ftoj të gjithë së bashku të bashkohemi rreth qëllimit para nesh dhe ta bëjmë atë të funksionojë. Uniteti me të cilin u arrit e ardhmja e pavarur e Maqedonisë së Veriut në vitin 1991 është edhe sot e pranishme në përcaktimin e qytetarëve për të ardhmen evropiane të vendit tonë, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski në akademinë solemne që u mbajt sonte në Filarmoninë me rastin e Festës së Pavarësisë - 8 Shtatori.

Ai vlerësoi se sot "frenat janë vetëm në dorën tonë dhe disa prej politikanëve këtu në vendin tonë". "Arsyet e tentativave të tilla lidhen me interesat e huaja për pozicionimin gjeostrategjik, të ndryshëm nga qëllimi strategjik euroatlantik i Maqedonisë. Ato janë të lidhura edhe me populizmin për qëllime politike parazgjedhore dhe personale, qëllime materiale", vlerësoi kryeministri.

Ai paralajmëroi se nëse së bashku me fqinjët tanë nga Ballkani Perëndimor nuk bëjmë hapin drejt integrimit evropian, vendi ynë kërcënohet sërish me izolim.

"Drejtuesit politikë, Kuvendi dhe populli në vendin tonë kanë bërë gjithmonë atë që është e nevojshme. Dhe për shkak të gjithë kësaj, kështu duhet të jetë dhe do të jetë edhe sot", tha Kovaçevski.

Para 32 vitesh, në vitin 1991, kujtoi ai, me vendosmërinë e shumicës së mbi 95 për qind të qytetarëve, u realizua amaneti për shtetin tonë të pavarur maqedonas të gjeneratave pas nesh – zë që jehon nga Ilindeni 1903 dhe KAÇKM 1944.

"Tridhjetë e dy vjet më vonë, para nesh është zëri i qytetarëve, në përcaktimin e shumicës prej 80 për qind, për jetën në Evropë, në BE, por në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ne, brezat e sotëm, kemi detyrim t'i përgjigjemi thirrjes së 8 Shtatorit të sotëm, që kërkon nga ne vazhdimësinë e idesë shekullore të përparimit dhe progresit. Kjo mundësi vjen në kohën kur Republika e Maqedonisë së Veriut është një vend i themeluar ndërkombëtarisht, me kufij të siguruar, me gjuhë dhe identitet të njohur maqedonas, një vend që është shembull i një demokracie të suksesshme multietnike, e cila kontribuon në paqen rajonale dhe atë evropiane, si një vend i lirë dhe sovran, anëtar i NATO-s, një vend që sigurisht po ecën në rrugën drejt Bashkimit Evropian", tha kryeministri.

Ai përkujtoi se në fazën e parë më kritike pas pavarësisë së shtetit, në vitin 1992, kur u miratua Deklarata e Lisbonës, u tha se Komuniteti Evropian do ta njohë vendin tonë si shtet të pavarur, nëse Maqedonia pranon që në emrin e saj të mos qëndrojë fjala Maqedoni dhe mbiemri maqedonas.

Sot, pas 30 vitesh, theksoi ai, realiteti është krejtësisht ndryshe. Sot Evropa dhe bota flasin për shtetin maqedonas, popullin maqedonas dhe gjuhën maqedonase. Sot, vendi ynë i lindjes, Republika e Maqedonisë së Veriut është një vend i njohur ndërkombëtarisht, kufijtë e të cilit janë të vizatuar në hartën botërore. Dhe ky është dhe duhet të jetë motori ynë. Sot frenat janë vetëm në dorën tonë dhe disa prej politikanëve këtu në vendin tonë!

Ai vuri në dukje edhe periudhën kur u përballëm, siç tha ai, me disa kriza: embargo, tranzicion, konflikt ushtarak në vitin 2001, regjimi, izolim ndërkombëtar.

"Me vendime të mençura dhe bashkim ia dolëm të rivendosim demokracinë në vitin 2017. Dhe ne rinovuam marrëdhëniet me partnerët tanë strategjikë ndërkombëtarë. Në vitin 2020, Republika e Maqedonisë së Veriut u bë anëtarja e 30-të e plotë e NATO-s. Pas plot 17 vitesh që kur morëm statusin e kandidatit për anëtarësim në BE në vitin 2005, vitin e kaluar 2022, hapëm negociatat me Bashkimin Evropian. Dhe sot kemi mundësinë më realiste dhe unike të këtij lloji, për një proces të shpejtë të anëtarësimit në Union, në vitet e ardhshme", tha Kovaçevski.

Nëse kemi mësuar diçka në këto 32 vjet, theksoi ai, është se stabiliteti i Maqedonisë lidhet drejtpërdrejt me integrimin në sistemet demokratike, në NATO dhe në Bashkimin Evropian, si dhe me kohezionin e brendshëm etnik. Ne kemi mësuar se duhet të bëjmë aleatë, jo armiq. Dhe se ne duhet të veprojmë së bashku dhe të bashkuar. Ne kemi përjetuar se çfarë do të thotë izolim ndërkombëtar dhe sundim jodemokratik. E kemi parë se çfarë sjell intoleranca ndëretnike e cila çon në politika etnocentrike, populiste, prandaj edhe tejet të papërgjegjshme dhe joshtetërore", theksoi Kovaçevski.

Ai theksoi se bashkimi si vlerë evropiane është në kodin maqedonas dhe gjithmonë ka dalë mbi mosmarrëveshjet, nga kudo që ka ardhur.

Ai vuri në dukje mesazhet e partnerëve tanë strategjikë se Ballkani Perëndimor shihet si një potencial ekonomik për komunitetin transatlantik dhe theksoi përfitimet për qytetarët dhe bizneset nga anëtarësimi në BE.

Nëse nuk e bëjmë hapin drejt integrimit evropian bashkë me fqinjët tanë nga Ballkani Perëndimor, tha ai, vendi ynë kërcënohet sërish me izolim. Përsëri pritje dhe bllokime të përsëritura. Dhe kjo do të thotë një shans i humbur për përparim dhe anasjelltas, kthim dhe një errësirë ​​e re.

Në akademinë e titulluar "32 vjet pavarësi", marrin pjesë anëtarë të Qeverisë, përfaqësues të institucioneve, komunitetit akademik, biznesmenë, trupi diplomatik,...

Akademia filloi me intonimin e himnit kombëtar dhe projeksionin e materialit dokumentar për vendin dhe kthimin historik për zhvillimin e tij.

Aktivitetet e organizuara nga Qeveria me rastin e festës së Pavarësisë kanë nisur me akademinë solemne, ndërsa nesër vazhdojnë me manifestime kulturore, promovime dhe aktivitete sportive. sa/

 

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR