• e shtunë, 23 nëntor 2024

Kovaçevski: Janë duke u bërë analiza për ribalancin e buxhetit

Kovaçevski: Janë duke u bërë analiza për ribalancin e buxhetit

Shkup, 6 gusht 2023 (MIA) - Në Ministrinë e Financave po bëhen analiza për ribalancimin e Buxhetit, në të cilin duhet të parashikohen mjete për paga më të larta të të punësuarve në sektorin publik që pasoi pas nënshkrimit të Kontratës së përgjithshme kolektive, zbulon kryeministri Dimitar Kovaçevski në intervistën për MIA-n.

"Këto mjete janë planifikuar të mbulohen nga ribalancimi i Buxhetit, për të cilin po bëhen analiza në Ministrinë e Financave. Pas përfundimit të analizave, ribalanci do të finalizohet dhe do të prezantohet edhe para opinionit", thekson Kovaçevski. 

Me KPK-në për sektorin publik, e cila u nënshkrua më 18 korrik të këtij viti, nga shtatori rreth 130 mijë punonjës në sektorin publik duhet të marrin një pagë 10 për qind më të lartë, si dhe pagesën e rekursit për pushim vjetor, që këtë vit do të jetë në 10.000 denarë, ndërsa nga viti i ardhshëm është planifikuar pagesa prej 30 për qind të pagës mesatare neto.

"Me miratimin e Kontratës së përgjithshme kolektive, pas 15 vitesh u sigura një zgjidhje sistematike që siguron rritje të vazhdueshme të pagave. Së bashku me sindikatat kemi arritur në një zgjidhje të pranueshme që nuk do të varet nga vullneti dhe dëshira e asnjë partie politike tani e as kurrë. Me punëtorët fituam një fitore të përbashkët dhe zgjidhëm problemet dhjetëvjeçare", thotë Kovaçevski në intervistën.

Për sa i përket inflacionit, ai pret që trendi në rënie të vazhdojë deri në fund të vitit dhe të ruajë nivelin njëshifror, ndërsa tashmë vitin e ardhshëm të jetë rreth 2 për qind.

"Paralelisht me këtë do të rriten edhe pagat, si minimalja. mesatarja, pensionet dhe pagat në sektorin publik", thotë Kovaçevski.

Duke krahasuar parametrat ekonomikë tani dhe në kohën e qeverisjes së kaluar, kryeministri tregon se në periudhën 2011-2017 paga neto është rritur për 9,2 për qind, ndërsa në periudhën 2017-2023, e njëjta është rritur për 59,3 për qind.

"Nëse i krahasojmë këto shifra edhe nga këndvështrimi i rritjes së inflacionit në këto dy periudha kohore, përkatësisht nëse shohim se si ka lëvizur fuqia reale blerëse e qytetarëve, do të shohim se standardi i jetesës është përmirësuar në mënyrë dramatike nga viti 2017 deri në sot. Kumulativisht, inflacioni nga maji 2011 deri në maj 2017 ishte 5,7 për qind, ndërsa rritja e pagës neto ishte 9,2 për qind, përkatësisht fuqia reale blerëse e qytetarëve u rrit për 3,5 për qind. Në periudhën nga maji 2017 deri në maj 2023, gjatë pandemisë si dhe një krize të madhe ekonomike dhe energjetike, në të cilën vala inflacioniste nuk kurseu asnjë ekonomi kombëtare, inflacioni kumulativ u rrit për 29,1 për qind.Në të njëjtën periudhë, rritja e pagës mesatare ishte 59,3 për qind", shpjegon Kovaçevski. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR