• e premte, 27 dhjetor 2024

Kovaçevski ia uroi fitoren Medat Kurtovskit për kryetar të komunës Mavrovë- Rostushë

Kovaçevski ia uroi fitoren Medat Kurtovskit për kryetar të komunës Mavrovë- Rostushë
Shkup, 20 gusht 2022 (MIA) - Kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski ka uruar Medat Kurtovskin për fitoren si kryetar i Komunës Mavrovë dhe Rostushë. “Sot është një ditë e madhe dhe ju me vendosmëri thatë se dëshironi që Mavrovë dhe Rostushë të ecë përpara. Dua të falënderoj të gjithë qytetarët që sot dolën dhe dhanë votën e tyre dhe kontribuuan që kjo ditë zgjedhore të kalojë në mënyrë demokratike dhe dinjitoze”, deklaroi Kovaçevski gjatë prezencës në këtë komunë. Ai tha se komuna Mavrovë dhe Rostushë votoi masivisht dhe dinjitetshëm për Medat Kurtovskin dhe koalicionin evropian të udhëhequr nga LSDM-ja, duke theksuar se 3.238 kundrejt 1.900 votave janë konfirmim se Medati shkëlqyeshëm e ka kryer punën e tij në katër vitet e fundit dhe me elan edhe më të madh do të vazhdojë ta kryejë funksionin e tij në katër vitet e ardhshme në interes të qytetarëve. “Ju siguroj se me punë të përkushtuar Medati do të vazhdojë për ju dhe mbarë Mavrovë- Rostushën të realizojë projektet e premtuara. Në këtë do të ketë përkrahje edhe nga Qeveria e vendit sepse qytetarët e Mavrovës dhe Rostushës këtë e meritojnë”, tha Kovaçevski duke falënderuar kundërkandidatin e VMRO-DPMNE-së për zgjedhjet e drejta dhe demokratike. Kurtovski nga ana tjetër ka falënderuar për mbështetjen të gjithë ata që dhanë votën për të. “E falënderoj edhe kundërkandidatin tim dr. Mehmed Xhaferi dhe duartrokitje edhe për të. E falënderoj për fushatën korrekte dhe raportin e drejtë dhe shpresoj se edhe më tej do të punojmë bashkë në interes të të gjithë qytetarëve tanë pa dallim se kush për cilën parti politike voton.  Ne këtu jemi një komunë e vogël dhe doemos të punojmë së bashku në interes të të gjithë qytetarëve. Kjo fitore e madhe për ne nënkupton edhe përgjegjësi të madhe dhe premtoj se ndershëm dhe me përgjegjësi do t'i realizojmë të gjitha projektet për vendbanimet tona. Rroftë Mavrovë-Rostushë, rroftë LSDM, rroftë Republika e Maqedonisë së Veriut”, tha Kurtovski.  

QËNDRONI TË LIDHUR