• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Kovaçevski hapi Forumin Ekonomik të Shkupit: Të mos kthehemi në të kaluarën, por të fokusohemi në të ardhmen për të përmirësuar ekonomitë tona

Kovaçevski hapi Forumin Ekonomik të Shkupit: Të mos kthehemi në të kaluarën, por të fokusohemi në të ardhmen për të përmirësuar ekonomitë tona

Shkup, 1 mars 2023 (MIA) - Forumin ekonomik sivjet e pritëm me edhe një sfidë të madhe, për të cilën konsiderojmë se ngjarje të tilla do të jenë pjesë e historisë dhe do të mbeten aty. Por, për fat të keq, po përballemi me agresionin ushtarak të Federatës Ruse ndaj Ukrainës, i cili ka zhvendosur plotësisht skenën gjeopolitike, duke lënë pasoja të mëdha me të cilat po luftojmë për çdo ditë. Forumi paraprak, i pari, Ekonomik, u mbajt në kulmin e krizës së koronës dhe tani, dy vjet më vonë, jemi përballur me krizën botërore ekonomike dhe energjetike, e cila shkaktoi ngadalësimin e ekonomive dhe rritjen e inflacionit në nivel global, theksoi kryeministri Dimitar Kovaçevski në hapjen e Forumit Ekonomik të Shkupit të organizuar nga Forumi Ekonomik Delfi dhe Asociacioni Grek i Biznesit.

"Qeveria ia doli që me masa me kohë të frenojë rritjen e energjisë elektrike dhe të zbusë goditjen e çmimeve për qytetarët, me mbi 760 milionë euro. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, ne kemi ndarë mbështetjen më të lartë buxhetore në rajon. Të gjitha masat u miratuan në partneritet me palët e prekura, me mbështetjen e shteteve të rajonit, BE-së dhe partnerëve tanë strategjikë SHBA. Megjithatë, edhe përvoja e keqe është mësim. Të paktën ne, popujt e këtyre hapësirave, kemi kaluar momente të trazuara historike të mbushura me konflikte, ndarje, përçarje, vrasje. Duke mësuar nga ato ndarje dhe përçarje, nuk duhet t'i kthehemi të kaluarës, por duhet të fokusohemi në të ardhmen, se si të përmirësojmë ekonomitë tona, si t'u ofrojmë qytetarëve tanë një standard më të mirë dhe jetë më cilësore", tha Kovaçevski.

Kovaçevski transmetoi konkluzionet e Konferencës së Sigurisë së Munihut të mbajtur para do kohë, ku, siç tha, Maqedonia e Veriut është dalluar si faktor i stabilitetit në Ballkan.

"E kam thënë deri tani, por do të theksoj sërish, nuk është më çështja nëse Ballkani Perëndimor do të bëhet pjesë e BE-së, por kur do të bëhet pjesë e BE-së. Forumin Ekonomik e shoh si vazhdimësi apo plotësim të nismave të përbashkëta rajonale, duke përfshirë Ballkanin e Hapur, ku përmes projekteve të ndryshme lehtësojmë dhe përmirësojmë jetën e qytetarëve. Maqedonia e Veriut është vend anëtar i NATO-s, vend që i ka filluar bisedimet me BE-në, një vend pjesëmarrës në Procesin e Berlinit dhe një vend që, duke filluar nga ky vit, mori kryesimin e OSBE-së. Ne jemi një vend që çështjet e hapura në nivel dypalësh, rajonal apo ndërkombëtar i zgjidhim në mënyrë diplomatike, e jo me dhunë. Prandaj, për ne është i pakuptueshëm dhe i papranueshëm agresioni ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës, akt ky që shkel të gjitha normat dhe rregullat ndërkombëtare, të bartura në marrëveshjet ndërkombëtare", bëri të ditur Kovaçevski.

Kryeministri vlerësoi se vendi po ecën me vendosmëri drejt BE-së, duke falënderuar partnerët strategjikë të SHBA-ve dhe vendeve anëtare të BE-së, të cilët, theksoi, në periudhën e kaluar dhanë dhe vazhdojnë të japin mbështetje të parezervë për anëtarësimin tonë në BE si dhe mbështetjen e proceseve reformuese në atë rrugë.

"Shteti ynë, së bashku me Serbinë dhe Shqipërinë, tashmë funksionon si Bashkim Evropian në miniaturë. Para do kohë, Kuvendi ratifikoi zgjidhjet ligjore që rezultuan nga nisma e Ballkanit të Hapur. Me këtë, nuk ka më kufij mes këtyre tre vendeve. Ballkani i Hapur është realitet për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë, të cilët do të mund të punojnë në cilindo nga tre vendet pa marrë leje pune, pa asnjë pengesë, pa aplikime dhe pritje, pa shpenzime administrative. Me këtë liberalizohet tregu rajonal i punës. Bëhet fjalë për ndihmë dhe lehtësim të madh për kompanitë që më lehtë të hapin vende të reja pune dhe të angazhojnë më lehtë punëtorë dhe t'u sigurojnë paga të mira dhe kushte të mira pune", theksoi ai.

Kovaçevski tha gjithashtu se "korridoret e gjelbër" janë të një rëndësie vendimtare për tregtinë në rajon dhe më gjerë, për të cilat, tha ai, do të duhet të punojmë së bashku në përmirësimin dhe zgjerimin e funksionimit të tyre edhe ndaj vendeve anëtare të BE-së.

"Vitin e kaluar, 2022, një nga vitet e krizës më të madhe në Evropë, kemi një numër rekord të investimeve direkte të huaja - 430 milionë euro në zonat zhvillimore teknologjike industriale. Janë hapur 2300 vende të reja pune, me paga më të larta se mesatarja shtetërore. Me qëllim që ne si shtet t'i ndihmojmë kompanitë, e në përputhje me Ligjin për Mbështetjen Financiare të Investimeve, në vitin 2022 kemi paguar ndihmë rekorde shtetërore prej 23 milionë euro për 410 kompani, të cilat punësojnë mbi 27 mijë punëtorë. Vitin e kaluar janë nënshkruar 277 kontrata të reja, që është numri më i madh i kontratave të nënshkruara që nga miratimi i ligjit", tha Kovaçevski, duke shtuar se vala e investimeve të reja të huaja do të vazhdojë edhe këtë vit, dhe se kjo është për shkak të përfitimeve që ne si shtet i mundësuam për investitorët e huaj, që e shohin Maqedoninë e Veriut si destinacion të sigurt investimi.

Ai u bëri thirrje të gjithë investitorëve potencial që të mos hezitojnë, por të investojnë mjetet e tyre, duke ndjekur shembullin e investitorëve që aktualisht po investojnë në vendin tonë, duke ofruar paga evropiane për kushtet e Maqedonisë, duke theksuar se qytetarët tanë, si dhe qytetarët nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, meritojnë kushte evropiane të punës dhe paga evropiane.

"Për ne, viti 2023 është vit i mundësive të reja. Është po aq e rëndësishme për ne që këtë vit të fokusohemi në shfrytëzimin e potencialit tonë si vend, në drejtim të transformimit të gjelbër të shtetit, i cili do t'i mundësojë shtetit tonë të ketë pavarësi kombëtare energjetike dhe të na japë siguri për zhvillim të parashikueshëm të ekonomisë. Planifikojmë investime të përforcuara, mbështetje dhe lidhje energjetike të rajonit. Transformimi i gjelbër lëviz në tre drejtime. I pari është lidhja dhe diversifikimi i energjensave për shtetin. Maqedonia e Veriut për momentin ka vetëm një burim gazi, që është përmes Bullgarisë. Është në rrjedhë investimi i një gazsjellësi të ri nga Republika e Greqisë, si dhe i një gazsjellësi tjetër nga Republika e Bullgarisë. Segmenti i dytë i investimeve janë burimet e ripërtëritshme të energjisë. Përveç mbështetjes që e sigurojmë për fotovoltaikët, të cilët janë investimi dominues i kompanive, ne investojmë edhe në hidrocentrale të vogla, centralet e erës
, si dhe centralet e biogazit", theksoi Kovaçevski.

Ai nënvizoi se përcaktim strategjik i Qeverisë është përmirësimi i diversifikimit në furnizimin me gaz natyror, për të cilin në qershor të këtij viti pritet të fillojë realizimi i interkonjeksionit me Greqinë, ndërtimi i të cilit pritet të përfundojë në vitin 2025. Dy interkonjeksionet e mbetura, me Serbinë dhe me Kosovën, tha ai, janë në fazën e hartimit të dokumentacionit të projektit.

"Në këtë kontekst, kompania greke "Mytilineos" në Shkup ka shprehur dëshirën dhe ka dorëzuar dokumentacionin për ndërtimin e një central të gazit që do të prodhojë energji elektrike në vlerë prej 211 milionë euro, ndërsa Qeveria e aprovoi investimin si strategjik. Dua të përmend gjithashtu se kompania shtetërore greke “PPS”, dorëzoi ofertë në procedurën për ndërtimin e objektit tonë më të rëndësishëm energjetik HEC Çebren, që për momentin është duke u vlerësuar. Në HEC Çebren do të prodhojë energji elektrike prej të paktën 333 megavat. Duke qenë se është një termocentral i kthyeshëm, do të ketë një rëndësi të madhe për balancimin e sistemit energjetik dhe integrimin e burimeve të rinovueshme të energjisë. Përveç kësaj, duke rritur kapacitetin e tanishëm të gazsjellësit me Bullgarinë, u bë i mundur diversifikimi i burimeve tona të furnizimit, si dhe përdorimi i të gjitha burimeve që për momentin janë të pranishme në tregun e gazit natyror në rajon. Me këtë мarrëveshje zvogëlohet varësia nga gazi rus që vendi e kishte në dekadat e kaluara", theksoi Kovaçevski në fjalimin e tij në hapjen e Forumit Ekonomik të Shkupit.

Në forum është paralajmëruar pjesëmarrja e disa politikanëve, ndër të cilët kryeministrat e Kosovës dhe Malit të Zi, Albin Kurti dhe Dritan Abazoviq.

Në panelin "Një vit më vonë: Ndikimi i agresionit rus në Ukrainë mbi Evropën Juglindore", zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Artemis Malo dhe ambasadorët e Francës, Greqisë dhe Suedisë do të diskutojnë ndikimin e luftës në Ukrainë në niveli kombëtar dhe rajonal dhe skenarët e mundshëm në të ardhmen.

“Ndjekje e Samitit në Tiranë: Anëtarësimi i Ballkanit në Bashkimin Evropian” është paneli i dytë në të cilin do të diskutohet për pikat kyçe të Samitit dhe ndikimin e tyre në të ardhmen e rajonit. Panelistë do të jenë komisionari evropian Oliver Varhej, Martin Dvorzhak, zëvendësministër i Punëve të Jashtme i Republikës Çeke dhe ambasadori evropian Dejvid Gir.

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR