• e enjte, 26 dhjetor 2024

Kovaçevski: Dialogu nënkupton edhe lëshime, vendimet e vështira janë për një të ardhme më të mirë

Kovaçevski: Dialogu nënkupton edhe lëshime, vendimet e vështira janë për një të ardhme më të mirë

Ohër, 18 mars 2023 (MIA) - Ne jemi politikanë që marrim vendime të vështira, por vendime shtetërore. Askush nuk e ka të lehtë në situata të tilla, sepse dialogu nënkupton edhe lëshime, por e dimë se ato vendime të vështira janë për një të ardhme më të mirë të brezave të tashëm dhe të ardhshëm. Këtë e theksoi kryeministri Dimitar Kovaçevski nga Ohri, ku sot po zhvillohet vazhdimi i bisedimeve për marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës nën patronazhin e BE-së.

Në fjalimin para mediave, Kovaçevski inkurajoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti që të jenë konstruktiv dhe të kenë takim produktiv në Ohër.

"Dialogu është mjet i vetëm për konsolidimin e rajonit dhe integrimin evropian të dy vendeve. Dialog i hapur me të cilin do të zgjidhen çështjet e hapura nga aspekte të ndryshme është i një rëndësie të madhe për stabilitetin rajonal, ruajtjen e paqes dhe rrugën që çon drejt një të ardhme të begatë jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por edhe për të gjithë rajonin", tha Kovaçevski.

Ai thekson se shteti njihet si partner i respektuar i bashkësisë ndërkombëtare dhe faktit për stabilitet në rajon.

"Marrëveshjet që nënshkruam - ai i Ohrit, Prespës si dhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë, janë konfirmim i frymës sonë evropiane, për mbylljen e një çështje me të cilën trasojmë rrugën e zhvillimit të ardhshëm të vendit. Qeveria zbaton politika të zgjidhjes, jo politika të krijimit të problemeve. Vendet në rajon kanë liderë që sillen në mënyrë evropiane dhe vendet e tyre meritojnë perspektivë evropiane", theksoi tutje Kovaçevski.

Prandaj, vlerëson kryeministri, tani është momenti i duhur për të përshpejtuar procesin eurointegrues i cili është i rëndësishëm për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

"Vendi ynë me mbështetjen e BE-së arriti një hap historik i cili trason rrugën drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike. U bëmë anëtare e NATO-s, ndërsa në korrik të vitit të kaluar mbajtëm Konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në në Bruksel. Në vazhdim edhe skriningu bilateral i cili po zhvillohet me shumë sukses e që është konstatim i BE-së dhe jo vetëm konstatimi i jonë", shtoi kryeministri.

Sipas tij, sot vendi është një partner shumë i respektuar i komunitetit ndërkombëtar. 

"Ne treguam dhe dëshmuam se jemi një vend që ndërton miqësi dhe jemi shembull i fqinjësisë së mirë. Besojmë fuqishëm në dialogun si një formë e civilizuar e komunikimit, si e vetmja rrugë që çon drejt progresit dhe zhvillimit. Qëllimi ynë strategjik është hyrja në BE bashkë me të gjithë fqinjët tanë, theksoi Kovaçevski.

Vendi i Ballkanit Perëndimor, sipas kryeministrit është në BE, gjeografikisht, historikisht, politikisht, veçanërisht në kushtet e trazirave gjeopolitike, ndarjes së thellë të botës dhe agresionit ushtarak në kontinentin evropian.

Ai edhe një herë potencoi se dëshiron që rajonin ta sheh plotësisht të integruar në BE për çka premtoi se do të bëjë gjithçka që është në dorën e tij duke i dhënë madje mbështetje këtij procesi.

Foto: Qeveria

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR