• e enjte, 26 dhjetor 2024

Kovaçevski dhe Bërnabiq promovuan sistemin e përbashkët elektronik të integruar për pikëpagesa

Kovaçevski dhe Bërnabiq promovuan sistemin e përbashkët elektronik të integruar për pikëpagesa

Shkup, 16 korrik 2023 (MIA) - Kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe të Serbisë, Dimitar Kovaçevski dhe Ana Bërnabiq, kanë promovuar sot sistemin e përbashkët elektronik të integruar për pikëpagesa, i cili është iniciuar nga "Ballkani i Hapur", në pikëpagesën e Preshevës – pikë mobile e shitjes.

Ky sistem do të mundësojë kalim të shpejtë të pikëpagesave në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, ndërsa qytetarët që tashmë përdorin sistemin M-tag do të mund t'i kalojnë pa probleme dhe automatikisht pikëpagesat në shtetin fqinj duke u regjistruar në sistemin specifik të iniciuar nga "Ballkani i Hapur".

Sipas kryeministrit Kovaçevski, ky është konfirmimi më i mirë se "Ballkani i Hapur" është një iniciativë që, siç tha ai, jep rezultate, funksionon dhe njerëzit e duan.

"Në vetëm tre muaj, inxhinierët serbë dhe maqedonas arritën të krijojnë zgjidhjen për pagesën në pikëpagesën e vetme elektronike. Zgjidhja për trafikun e mallrave do të bëhet deri të premten e ardhshme", tha ai.

Kovaçevski theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Serbinë në aspektin e shkëmbimit të produkteve, shërbimeve dhe punës dhe tregoi se në të ardhmen do të punohet pikërisht për këtë.

"Ky është një tjetër konfirmim se nisma funksionon pikërisht për të përshpejtuar fluksin e njerëzve, mallrave dhe shërbimeve dhe kapitalit. Kryeministri tha se falë kësaj nisme, tregtia mes dy vendeve është rritur me mbi 25% nga ana jonë në 50%, dhe eksportet në Serbi janë rritur. Gjithashtu edhe eksportet nga Serbia në Maqedoninë e Veriut", tha ai.

Ai përkujtoi se numri i turistëve që kanë ardhur në vendin tonë gjatë dy viteve të fundit është 500% më i lartë se para krijimit të iniciativës Ballkani i Hapur.

"Ajo që vijon është vendosja e zgjidhjes softuerike për shkëmbim të qetë të punëtorëve, në mënyrë që të gjithë të vijnë dhe të regjistrohen përmes një softueri të vetëm në Serbi dhe në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri pa procedura administrative që sot zgjasin nga 3 muaj", tha Kovaçevski.

Kryeministrja e Serbisë, Bërnabiq, theksoi se qëllimi i "Ballkanit të Hapur" është që t'ua lehtësojë jetën njerëzve në këto zona dhe të lehtësojë tregtinë, e cila, siç tha ajo, do të fitojë më shumë pasuri, por edhe do të rrisë standardin e qytetarëve. 

Ajo tha se aktualisht aplikacioni për pagesën e vetme me Maqedoninë e Veriut mund të përdoret vetëm për qarkullimin e udhëtarëve, ndërsa nga e premtja do të mundësohet edhe për kamionët dhe ekonominë.

"Kjo është një iniciativë e tillë që lehtëson jetën, udhëtimin dhe qarkullimin e produkteve në mënyrën më të mirë të mundshme", tha ajo, duke iu referuar bashkëpunimit të mëparshëm në kuadër të Ballkanit të Hapur, për të cilin tha se me të vërtetë ka dhënë rezultate.

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve i Maqedonisë së Veriut, Blagoj Boçvarski, theksoi se kjo politikë nuk është shembull vetëm për rajonin, por edhe për vendet e tjera evropiane.

"Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin në drejtim të lehtësirave shtesë për transportin e kompanive dhe udhëtarëve që kalojnë tranzit nëpër dy vendet", tha ai.

Goran Vesiq, ministër i Ndërtimtarisë, Transportit dhe Infrastrukturës së Serbisë, theksoi se ky projekt është pjesë e politikës së vendit të tyre, e cila, siç tha ai, është heqja e të gjithë kufijve.

Vesiq ka bërë të ditur se për dhjetë ditë tashmë rreth 13 mijë qytetarë të Serbisë e kanë instaluar aplikacionin dhe rreth 7 mijë vetura me targa serbe kalojnë kufirin me vendin tonë në baza ditore.

Projekti u iniciua në kuadër të Ballkanit të Hapur dhe siç informoi Marjan Zabërçanec, koordinator kombëtar për "Ballkanin e Hapur", Shqipëria do t'i bashkohet në momentin që do të instalojë sistemin në pikëpagesat e saj.

Në Maqedoninë e Veriut, sipas të dhënave të NPRRSH-së nga qershori i këtij viti, janë të instaluara rreth 20 mijë automjete me M-tag, ndërsa në Serbi mbi 500 mijë automjete kanë të instaluar M-tag dhe të gjitha do të mund të jenë në mundësi, me regjistrimin e sistemit të përbashkët të integruar elektronik të pagesës së pikëpagesave,  të mund të kalojnë pa probleme në kabinat e pagesës që do të regjistrojnë automatikisht aplikacionin e tyre.

Përdoruesit e pajisjes elektronike të pagesës do të mund të përdorin pajisjen ekzistuese ENP duke e rikonfiguruar atë dhe duke regjistruar kartën e pagesës në një nga pikat e shitjes. Pajisja ENP do të lidhet me kartën e pagesës së përdoruesit, ndërsa vetë përdoruesi do të jetë në gjendje të zgjedhë nëse do të paguajë në valutë kombëtare apo të huaj. Sistemi i pikëpagesave të vetme do të rrisë sigurinë në trafik dhe do të zvogëlojë bllokimet e autostradave dhe mënyra e re e pagesës së tarifave duhet të lehtësojë edhe qarkullimin e automjeteve në pikat e pagesës.

Avantazhi për qytetarët është se nuk do të duhet të presin në radhë gjatë sezonit të pikut dhe do të arrijnë sa më shpejt në destinacionin e dëshiruar. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR