• e enjte, 26 dhjetor 2024

Kovaçevski: Askush nuk u la vetëm në përballjen me krizën

Kovaçevski: Askush nuk u la vetëm në përballjen me krizën

Shkup, 6 prill 2023 (MIA) - E kemi përmbushur premtimin dhe askush nuk ishte lënë vetëm që të përballet me krizën. Ka energji elektrike dhe ka edhe ngrohje qendrore. Çmimi i energjisë elektrike për amvisëritë nuk është rritur. Çmimi i energjisë elektrike për konsumatorët e vegjël, për 72.000 kompani të cilat i punësojnë 98 për qind të punëtorëve në shtet u zvogëlua për 20 për qind edhe përkundër të gjitha parashikimeve që vinin nga e gjithë bota. Kjo është vetëm për shkak të prodhimtarisë së rritur të energjisë elektrike në SHA EMV, theksoi sot kryeministri Dimitar Kovaçevski në konferencë shtypi, në të cilën u prezentuan të dhënat e Raportit financiar vjetor të SHA EMV për vitin 2022.

Kryeministri përmendi gjithashtu se ishte siguruar energji elektrike e lirë për prodhuesit e produkteve ushqimore bazë, për shkollat dhe stabilizimin e furnizimit me energji elektrike në funksionet themelore në shtet, para së gjithash të sistemit shëndetësor. 

"Për këtë tash e disa muaj dhe për shkak të masave të cilat i kemi ndërmarrë në pjesën e çmimeve, nga tetori e këtej kemi pasur ulje të inflacionit. E kmei sjellë pakon më të madhe të masave antikrizë në rajon, të vlerësuar nga Banka Botërore, për qytetarët, veçanërisht për shkak të kategorive më të cenueshme të qytetarëve dhe për ruajtjen e likuiditetit të kompanive prej mbi 760 milionë euro. Këto janë politika strategjike dhe kujdes i duhur për qytetarët dhe për kompanitë në kohë krize", tha Kovaçevski në konferencën për shtyp në të cilën fjalim pati edhe drejtori i SHA EMV, Vasko Kovaçevski, ndërsa në të morën pjesë edhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Ai potencoi, siç tha, disa fakte lidhur me mënyrën në të cilën Qeveria është përballur me krizën më të madhe energjetike, të cilën e mban në mend bota pas Luftës së Dytë Botërore.

Ai e përmendi se është rritur prodhimtaria vendore e energjisë elektrike dhe SHA EMV ka siguruar 100 për qind furnizim me energji elektrike, edhe pse me ligj është dashur t'i sigurojë 60 për qind.

"Paralelisht e ndërmorëm ngrohejn qendrore në kryeqytet. Furnizimi me energji termike në kryeqytet është obligim i Qytetit të Shkupit që nuk udhëhiqet nga Qeveria, e as nuk udhëhiqet nga paratë e koalicionit në pushtet, por përkundrazi udhëhiqet nga oponentë tanë politikë dhe kryetarja e tyre që fitoi në zgjedhjet lokale. Ata hoqën dorë nga ky obligim i tyre dhe atë e ndërmorëm për shkak të qytetarëve", potencoi Kovaçevski.

Paralelisht, me politika të drejta, shtoi kryeministri, e kemi zhvilluar tranzicionin e gjelbër, pasi prioriteti ynë është pavrësia energjetike.

"Vendi ynë është tashmë një lider rajonal në tranzicionin energjetik, me një potencial të madh për t'u bërë një qendër e energjisë së gjelbër. Interesi për investime në burimet e rinovueshme është vazhdimisht në rritje. Vetëm nga 1 janari 2022 deri më 28 shkurt të këtij viti, në vend janë ndërtuar dhe vënë në përdorim termocentrale të reja fotovoltaike me një kapacitet total të instaluar prej 181.2 megavat nga burimet e rinovueshme, të cilat mund t'i plotësojnë nevojat e 72.500 familjeve me energji elektrike mesatare. Gjegjësisht, me këto kapacitete nga burimet e rinovueshme të energjisë, disa prej të cilave janë ndërtuar edhe nga EMV në vendburimet e vjetra të minierës në Osllomej dhe që solemnisht i kemi vënë në përdorim së bashku, mund të plotësohen nevojat e amvisërive nga tetë qytete: Ohri, Tetovë, Kratovë, Krushevë, Kriva Pallankë, Sveti Nikollë, Resnjë dhe Dojran. Në dy muajt e parë të vitit janë 88 termocentrale të reja fotovoltaike me kapacitet 29 megavat për prodhimin e energjisë elektrike në vend, të cilët kanë marrë licenca operimi dhe prodhojnë energji elektrike", theksoi kryeministri.

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR