• e enjte, 26 dhjetor 2024

Kostadinovska Stojçevska me thirrje që Propozim ligji për gjuhën maqedonase sa më shpejtë të votohet në Kuvend

Kostadinovska Stojçevska me thirrje që Propozim ligji për gjuhën maqedonase sa më shpejtë të votohet në Kuvend

Shkup, 2 nëntor 2023 (MIA) - Propozim ligji për gjuhën maqedonase ende është në Kuvend. Ky ligj nuk ka ndryshuar nga viti 1998. Unë vazhdimisht u bëj thirrje deputetëve dhe nuk mund të besoj se një ligj i tillë has në çfarëdo lloj pengesash, theksoi në brifingun e sotëm me gazetarët ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska Stojçevska. 

Ajo potencoi se i ka bërë thirrje kryetarit të Komisionit për Kulturë që të caktojë mbledhje, por ende nuk ka përgjigje. 

"Nuk mund të besoj që një ligj i tillë të hasë në ndonjë pengesë. Unë do ta kisha kuptuar nëse do të kishte qenë ndonjë ligj tjetër, për të mbledhur pikë politike, por për këtë ligj të propozuar, veçanërisht në një kohë kur shohim se gjuha si substancë e gjallë po përdoret gjithnjë e më shumë në mënyrë të parregullt dhe se kemi nevojë për pedagogë dhe mekanizëm të ndryshëm, por edhe nga Inspektorati se kush çfarë duhet bërë. Çdo masë tjetër që ne propozojmë të bëjmë si Qeveri do të jetë e kotë nëse nuk miratohet ky ligj. Deri në miratimin e ligjit jemi në gjendje të pakëndshme status quo", tha Kostadinovska Stojçevska.

Ajo shpreson se sa më shpejtë ligji do të vendoset në rend dite, do të shkojë në debat për amandamente dhe do të votohet. 

Në lidhje me Strategjinë e Kulturës, ministrja njoftoi se ka përfunduar lekturimi dhe do të dërgohet në Qeveri, ndërsa pastaj në Kuvend. 

"Strategjia për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore është drejt fundit. Nga këto dy dokumente rrjedhin Ligji për Kulturën dhe Ligji për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore. Grupi punues është duke punuar në lidhje me Ligjin për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, nuk po nxitojmë, nuk duam që të jetë ligj që do të miratohet brenda natës. Për atë Ligj do të punohet sepse duhet të harmonizohet me Ligjin për Ohrin, edhe pse këtë vit kemi pasur një vendim pozitiv nga UNESKO, ai ka mbetur në listë", tha Kostadinovska Stojçevska.

Ajo përkujtoi se nga 19 vërejtje nga UNESKO, vetëm dy ishin për ne, ndërsa 17 për Shqipërinë. 

"Këtë herë për herë të parë parashtrojmë bashkë me Shqipërinë, që të dëshmojmë se mundemi bashkërisht të menaxhojmë një trashëgimi kulturore natyrore të cilën e ndajmë", shtoi ministrja në brifing me gazetarët. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR