• e premte, 27 dhjetor 2024

Kostadinovska- Stojçevska: Kultura nuk është e gjithëfuqishme, por është një mesazh i fortë për jetë pa paragjykime, racizëm dhe diskriminim

Kostadinovska- Stojçevska: Kultura nuk është e gjithëfuqishme, por është një mesazh i fortë për jetë pa paragjykime, racizëm dhe diskriminim

Shkup, 27 qershor 2023 (MIA) – Ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska-Stojçevska në kuadër të vizitës së saj të punës në Strasburg mori pjesë dhe mbajti fjalim në mbledhjen e shtatë plenare të Komitetit drejtues kundër diskriminimit, diversitetit dhe gjithëpërfshirjes.

Siç informon Ministria e Kulturës, Kostadinovska- Stojçevska ka theksuar se Republika e Maqedonisë së Veriut edhe pse është një vend i vogël për nga territori, ajo është shtëpi e shumë bashkësive etnike.

"Romët janë një popull i njohur dhe i regjistruar në Kushtetutën e Maqedonisë, kanë komunën e tyre, kryetarin e tyre, vetëqeverisjen e tyre lokale të vetme në Evropë. Por nuk do të thotë se paragjykimet janë zhdukur me automatizëm...", tha ministrja e Kulturës.

Ajo shtoi se duke vlerësuar lart kulturën rome dhe veçantinë e saj si shenjë e pandashme e identitetit të tyre, Ministria e Kulturës krahas disa dobësive të theksuara në Planin kombëtar aksionar për kulturën, është një aleate dhe mbështetëse e fuqishme e zbatimit të Strategjisë së përfshirjes së romëve 2022 – 2030.

“Në Strategjinë, si borxhi ynë ndaj kulturës unike rome, angazhohemi për ruajtjen, zhvillimin dhe promovimin institucional të saj. Këtë po e bëjmë dhe jam i bindur se do të bëhet edhe më herët se afati që i kemi vënë para vetes. Në fund të fundit, romët janë pjesë e pandashme e kulturës sonë të përbashkët. Dhe sa më shumë e kuptojmë kulturën e tyre, aq më shumë e kuptojmë bukurinë dhe dobinë e diversitetit”, ka thënë Kostadinovska-Stojçevska.

Ajo përkujtoi se edhe këtë vit, përmes Programit vjetor për mbështetje të projekteve me interes kombëtar në kulturë, Ministria e Kulturës ka mbështetur projekte të shumta të autorëve romë, manifestime dhe festivale në botimet, folklorin, dramaturgjinë dhe veprimtaritë ndërkombëtare.

“Nëpërmjet programit Evropa kreative vazhdoi të funksionojë një projekt i jashtëzakonshëm për edukimin muzikor falas për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë e talentuar që nuk mund të përballojnë financiarisht as edhe arsimin e lëre të blejnë ndonjë instrument. Organizata joqeveritare ‘Roma rok skull’ në vitet e kaluara krijoi bende të shumta me anëtarë nga të gjitha komunitetet etnike, të cilat muzikës rok i dhanë një sharm unikal. Ky projekt mbështetet edhe nga Ministria e Kulturës”, informoi Kostadinovska-Stojçevska.

Kostadinovska- Stojçevska shprehu shpresën dhe besimin se brezat më të rinj, të cilët tani po rriten në një botë tjetër, do të jetojnë në një botë pa paragjykime, pa racizëm dhe pa diskriminim.

Foto: Ministria e Kulturës

 

QËNDRONI TË LIDHUR