• e enjte, 26 dhjetor 2024

Kostadinovska Stojçevska: Çdo projekt që kemi mbështetur dhe financuar në të kaluarën do të vazhdojmë ta mbështesim edhe në të ardhmen

Kostadinovska Stojçevska:  Çdo projekt që kemi mbështetur dhe financuar në të kaluarën do të vazhdojmë ta mbështesim edhe në të ardhmen

Shkup, 6 dhjetor 2023 (MIA) - Si ministre, unë bëj përpjekje çdo vit të kemi buxhet më të lartë. Çdo projekt që kemi mbështetur dhe financuar në të kaluarën do të vazhdojmë ta mbështesim edhe në të ardhmen, si dhe jemi të hapur për projekte të reja, tha sot ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska Stojçevska.

"Propozim buxheti i ri për vitin 2024 do të mbetet në kuadrin e asaj që kemi pasur në vitin 2023 kur kemi dhënë mbështetje të shkëlqyer për të gjitha projektet në fushën e kulturës, jo vetëm për institucionet nacionale, por edhe për përdoruesit e tjerë. Shpresoj që institucionet kombëtare do të realizojnë projekte nga mjetet e tyre", tha Kostadinovska Stojçevska në përgjigje të pyetjes së gazetarëve gjatë vizitës së sotme në Bibliotekën e qytetit "Goce Dellçev" në Shtip.

Ajo theksoi se pavarësisht sfidave të Kovid-it, krizës së energjisë dhe sigurisë në periudhën e fundit, institucionet nacionale arritën të realizojnë projektet e tyre.

Lidhur me vërejtjen e disa komunave se Ministria e Kulturës nuk i trajton të gjitha vetëqeverisjet lokale në mënyrë të barabartë, ajo tha se varet nga mënyra se si komuna e vlerëson kulturën dhe se në çfarë niveli është ndërgjegjësimi i administratës komunale për investimet në kulturë.

Ajo theksoi se këtë vit  përmes normës subvencione kapitale për njësitë e vetëqeverisjes lokale janë investuar rreth 40 milionë denarë të cilat i kanë mbuluar komunat Kratovë, Strumicë, Krushevë, Vallandovë dhe Dellçevë.

E pyetur nëse Makfesti do të ketë mbështetjen adekuate nga Ministria në vitin e ardhshëm, Kostadinovska Stojçevska tha se aplikimet për vitin 2024 vendosen nga komisionet e ekspertëve si çdo vit tjetër dhe shtoi se nuk mund të thotë paraprakisht nëse festivali do të ketë mbështetje, sepse varet mbi cilësinë e aplikacionit. sa/

Foto: Printskrin

 

QËNDRONI TË LIDHUR