• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Koshta: Zgjerimi i Ballkanit Perëndimor është investimi më i rëndësishëm gjeostrategjik që BE-ja mund ta bëjë

Koshta: Zgjerimi i Ballkanit Perëndimor është investimi më i rëndësishëm gjeostrategjik  që BE-ja mund ta bëjë

Shkup, 16 dhjetor 2024 (MIA) - Zgjerimi i Ballkanit Perëndimor është investimi gjeostrategjik më i rëndësishëm që mund ta bëjmë. Prandaj liderët e 27-të vendeve anëtare dhe liderët e Ballkanit Perëndimor sërish do të takohen në Bruksel më 18 dhjetor, publikoi në platformën "X" kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Koshta.

"E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian. BE-ja është serioze ndaj të gjitha detyrimeve të saj. Këto nuk janë vetëm fjalë, ne investojmë në paqe dhe prosperitet për të gjithë njerëzit në Ballkanin Perëndimor. Investojmë në të ardhmen e përbashkët", thotë Koshta në videon e shkurtër të publikuar në "X".

Koshta shton se në këto kohë të pasigurta, më shumë se kurrë duhet të punojmë së bashku".

Më 18 dhjetor në Bruksel do të mbahet samiti i rregullt vjetor i liderëve të BE-së dhe vendeve nga rajoni. Ky do të jetë samiti i parë me të cilin do të kryesojë Antonio Koshta, kryetari i sapozgjedhur i Këshillit Evropian.

Shefat e shteteve dhe qeverive të BE-së do ta miratojnë deklaratën në fund të samitit, ndërsa nga liderët rajonal pritet të harmonizohen me të. Mes tjerash, do të konstatohet se zgjerimi është një investim gjeostrategjik në paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet.

"Ka një dinamikë të re në procesin e zgjerimit. Përshpejtimi i procesit të anëtarësimit, bazuar në kushtëzimin e drejtë dhe rigoroz dhe parimin e meritave të veta, është në interesin tonë të përbashkët", thuhet ndër të tjera në draftin e deklaratës përfundimtare që liderët do ta miratojnë në fund të samitit më 18 dhjetor. 

Bashkëpunimi rajonal do të zërë një pjesë të rëndësishme të deklaratës së përbashkët, ku do të nënvizohet se pajtimi, bashkëpunimi gjithëpërfshirës rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, përfshirë edhe vendet anëtare të BE-së, janë pjesë integrale e procesit të zgjerimit.

Delegacioni i Maqedonisë në Samit do të udhëhiqet nga kryeministri Hristijan Mickoski, ku do të jenë ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski dhe ai i Çështjeve Evropiane Orhan Murtezani, ndërsa sipas njoftimeve do të kenë takime bilaterale me përfaqësues të lartë të BE-së dhe vendeve anëtare. sa/

Foto: Printskrin

 

QËNDRONI TË LIDHUR