Konsulli i nderit i Kosovës në bisedë informative në stacionin policor Karposh
- Konsulli i nderit i Kosovës në vend, Arsim Papraniku në këtë moment është në bisedë informative në stacionin policor Karposh.
- Post By Besnik Shuki
- 14:19, 18 dhjetor, 2024
Shkup, 18 dhjetor 2024 (MIA) - Konsulli i nderit i Kosovës në vend, Arsim Papraniku në këtë moment është në bisedë informative në stacionin policor Karposh.
Ai, sipas informatave në media, lidhet me largimin e ish zëvendës kryeministrit Artan Grubi në Kosovë.
Kryeministri Hristijan Mickoski të hënën në emisionin "Click Plus" në TV21, zbuloi se Grubi me automjet diplomatik me një biznesmen ka shkuar në Kosovë.
"Informatat e mia janë se ish drejtori i Lotarisë shtetërore kohë më të gjatë nuk është në vend. Ndërsa, ish zëvendës kryeministri gjatë ditës së djeshme me një biznesmen, me automjet me targa diplomatike, u largua nga Maqedonia dhe ka shkuar tek fqiu i jonë verior, Kosova", tha Mickoski.
Grubi të dielën përmes publikimit në Fejsbuk ka shkruar se gjendet për vizitë private në Kosovë dhe se për këtë u informua sigurimi i tij personal policor.
"Sot kam udhëtuar për vizitë private. Ju lutem, mos shpifni dhe spekuloni. Kam udhëtuar me dokumente të rregullta dhe për këtë është njoftuar edhe sigurimi i im personal policor", ka shkruar Grubi në publikimin.
Grubi dhe drejtori i Lotarisë shtetërore, Përparim Bajrami, të cilët ngarkohen për keqpërdorim të rreth tetë milionë eurove nga Lotaria shtetërore, nuk janë të qasshëm për organet e ndjekjes. Gjykata themelore penale u caktoi masë parabargumi prej 30 ditëve, ndërsa sot Ministria e Punëve të Brendshme ka shpallur edhe fletarrest ndërkombëtar. bsh/
Foto: MIA arkiv