• e mërkurë, 21 janar 2026

"Konkluzionet e kryesimit danez për zgjerimin": BE-ja mbetet e përkushtuar në integrimin gradual të Maqedonisë së Veriut në tregun e saj të brendshëm

Bruksel, 17 dhjetor 2025 (MIA) - Këshilli i BE-së e përshëndet mbajtjen e integrimit në Bashkimin Evropian si qëllim strategjik i Maqedonisë së Veriut dhe i bën thirrje vendit t'i intensifikojë përpjekjet për progresin e reformave të lidhura me inkuadrimin drejt Unionit.

Kjo citohet në pjesën kushtuar vendit në Propozim-konkluzionet e Këshillit të BE-së për zgjerimin, të cilat pasi nuk u miratuan në mbledhjen e djeshme të Këshillit për punë të përgjithshme për shkak të kundërshtimit të Hungarisë në pjesën për Ukrainën, Danimarka në përbërjen e kryesuesit aktual me Unionin i publikoi si "Konkluzionet e kryesimit danez për zgjerimin".

"Këshilli mbetet i përkushtuar në progresin e mëtejshëm të integrimit gradual të Maqedonisë së Veriut në tregun e brendshëm të BE-së, në bazë të zbatimit të përforcuar të Marrëveshjes për stabilizim dhe asocim. Këshilli e përshëndet zbatimin rrjedhës të Planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor në Maqedoninë e Veriut, i cili është në rrugën e duhur për t'u sjellë përfitime konkrete qytetarëve. Dy disbursimet e para në kuadër të Mekanizmit të Reformës dhe Rritjes gjithashtu merren pozitivisht në konsideratë dhe Maqedonia e Veriut inkurajohet të vazhdojë zbatimin e Agjendës së saj të Reformës", thuhet në dokument.

Në të theksohet se marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal mbetet elementi thelbësor i procesit të zgjerimit dhe përkujtohet vlera e arritjes së rezultateve të dukshme dhe nga "zbatimi me vullnet të mirë të marrëveshjeve dypalëshe, duke i përfshirë edhe Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë, në pajtim me kornizën e negociatave".

Në tekst shënohet se vendi ende nuk i ka zbatuar ndryshimet kushtetuese, në të cilat është obliguar dhe konfirmohet përkushtimi i Këshillit për konvokimin e konferencës së dytë ndërqeveritare, pa vonesa të mëtejshme ose vendime politike plotësuese, sapo të bëhet ndryshimi i Kushtetutës dhe për "hapjen e Klasterit 1 të negociatave sa më shpejtë të jetë e mundur në pajtim me kornizën e negociatave".

Në konkluzione theksohet se nevojiten veprime të shpejta dhe vendimtare me qëllim që vendi t'i plotësojë kriteret e Klasterit 1 - Vlerat themelore, si dhe t'i intensifikojë përpjekjet për zbatimin e reformave, para se gjithash në fushën e sundimit të ligjit, mbrojtjen e pavarësisë dhe integritetit të gjyqësorit dhe përforcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

"Këshilli i bën thirrje Maqedonisë së Veriut të miratojë një Kod të ri penal në pajtim me ligjvënien e BE-së dhe standardet ndërkombëtare. Këshilli shënon se është arritur një progres i caktuar në fushën e reformës së administratës publike dhe e inkurajon Maqedoninë e Veriut t'i intensifikojë përpjekjet e tij në lidhje me modernizimin e administratës publike dhe sigurimin e kapacitetit të nevojshëm administrativ. Këshilli i merr parasysh informacionet e dhëna nga Komisioni për progresin e arritur kohëve të fundit dhe i inkurajon autoritetet e Maqedonisë së Veriut ta përgatisin dhe finalizojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse punën e të gjithë tre udhërrëfyesve për funksionimin e institucioneve demokratike, reformën në administratën publike dhe kapitujt e sundimit të ligjit, si dhe planin e veprimit kushtuar mbrojtjes së të drejtave të personave të cilët u përkasin pakicave ose komuniteteve", shtohet në tekst.

Në lidhje me kriteret ekonomike, shënohet niveli i mirë i përgatitjes në zhvillimin e ekonomisë funksionale të tregut dhe inkurajohet vendi t'i përforcojë përpjekjet e tij për përforcimin e kapacitetit të tij për t'u përballur me presionin e konkurencës dhe forcat e tregut në kuadër të BE-së dhe t'i zbatojë reformat e nevojshme strukturore. sa/

Foto: MIA Arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR