• e diel, 24 nëntor 2024
Kongresi i Manastirit për alfabetin shqip
Manastir, 22 nëntor 2022 (MIA) – Më 22 nëntor të vitit 1908 në Manastir përfundoi kuvendi i pjesëmarrësve të Kongresit të Manastirit, të cilët njëzëri e pranuan vendimin e Komisionit për alfabetin, i cili përcaktoi Alfabetin e unifikuar shqiptar. Kjo është regjistruar në arkivat, librat, dokumentet dhe pllakën e mermerit në shtëpi, që dëshmojnë për ngjarjen e 114 viteve më parë, të iniciuar nga klubi “Bashkimi” i Manastirit. E gjithçka filloi më 27 gusht të vitit 1908 kur udhëheqësit e klubit “Bashkimi” nga Manastiri shpalli thirrje publike me të cilën i njoftoi të gjitha klubet dhe shoqëritë në dhe jashtë Shqipërisë për propozimin për organizimin e Kongresit të alfabetit më 14 nëntor të vitit 1908, në të cilin në Manastirin kozmopolit do të marrin pjesë të gjithë shqiptarët, gegë e toskë, si dhe të huaj e në veçanti të gjithë filozofët, të cilët janë të interesuar për çështjen rreth alfabetit shqiptar dhe vendimit për zgjidhjen e tij në Kongres. Në ngjarjen historike, 32 delegatë nga vilajeti i Manastirit, Shkodrës, Janinës dhe Kosovës, si dhe individë intelektualë nga Sofja, Bukureshti, Konstanca, nga Shkupi, Resnja, Ohri, Dibra, Korça, Elbasani dhe qytete të tjera, i zgjodhën anëtarët e komisionit Gjergj Fishta, Mithat Frashëri, Luigj Gurakuqi, Gjergj Qirijazi, Ndre Mjeda, Grigor Cilka, Dimitër Buda, Shahin Kolonja, Sotir Peci, Bajram Topuli dhe Nuzhet Vrioni. Ata në fund të Kongresit propozuan zgjidhje për unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Në dokumentacion dhe publikime të ruajtura të IK Muzeu i alfabetit shqip në Manastir mund të lexohet: “Salla në të cilën u mbajt seanca ishte e mbushur me shqiptarë të cilët me padurim prisnin t’i mësojnë konkluzionet e komisionit të alfabetit. Duke publikuar vendimin e komisionit, kryetari i Kongresit, Mithat Frashëri, tha se “Komisioni i zgjedhur nga delegatët e mbaroi punën e vet, duke u përpjekur dhe duke shpresuar për bashkim”. Pas këtyre fjalëve Luigj Gurakuqi solli tabelë, në të cilën ishin shkruar shkronjat e alfabetit. Vendimi i komisionit u pranua nga të pranishmit me duartrokitje dhe brohoritje “rroftë alfabeti”. Alfabeti që sot është në përdorim mbështeten në rregullën një shkronjë një zë dhe kjo rregull zbatohet si për shkronjat e thjeshta, ashtu edhe për ato të përbëra. Kongresi i Manastirit për alfabetin shqip përfundoi më 22 nëntor me seancën prapa dyerve të mbyllura, vetëm me pjesëmarrje të delegatëve, e në të cilën, sipas arkivave, është biseduar për çështje organizative. “Në këtë seancë delegatët pranuan njëzëri dy rezoluta, të cilat kishin të bëjnë me çështje organizative të lëvizjes kulturore-kombëtare. Në rezolutën e parë thuhet se të gjitha klubet dhe shoqëritë që ekzistojnë në Shqipëri duhet t’i dërgojnë çdo muaj nga një raport klubit shqiptar në Manastir. Në rezolutën e dytë thuhet se pas dy viteve, më 10 korrik të vitit 1910 në Janinë do të mbahet një kongres tjetër për çështjen e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Në mbrëmjen e ditës së fundit të Kongresit, delegatët organizuan darkë për udhëheqësin e Klubit të Manastirit dhe për shqiptarët e pranishëm, ndërsa në tavolinë u shfaq i gjithë gëzimi dhe u dërgua lutje, ashtu siç ishin të tubuar dhe bashkuar në tubimin, ashtu t’i keni gjithmonë të bashkuara mendjet dhe zemrat, në mënyrë që të punojnë për të mirën e atdheut. Kështu ka përfunduar Kongresi i Manastirit, dokumentet e të cilit dëshmojnë në vitrinat e Muzeut të sotëm të alfabetit shqip, institucion kombëtar në Manastir, i formuar me vendim të Qeverisë maqedonase nga viti 2009. Ekspozita e përhershme e vendosur në Muzeun përbëhet prej 51 fotografive, të përpunuara me teknologji më moderne, në të cilat janë prezantuar personalitete që kanë kontribuar në zhvillimin e alfabetit shqip gjatë shekujve, figura prej dylli të anëtarëve të komisionit, fotografi të personaliteteve pjesëmarrëse në Kongresin e Manastirit dhe 58 dokumente, në mesin e të cilave kopje autentike nga Vendimi për shpalljen e alfabetit të gjuhës shqipe, e nënshkruar nga pjesëmarrësit në Kongresin. Nga 22 nëntori i vitit 2007, në vazhdimësi, Dita e alfabetit shqip në vend kremtohet si festë shtetërore dhe ditë jopune për qytetarët e bashkësisë shqiptare në Maqedoni të Veriut. Marjan Tanushevski

QËNDRONI TË LIDHUR