• e premte, 27 dhjetor 2024

Konferencë rajonale "Fuqia e zgjedhjes: Arritja e autonomisë trupore për gratë dhe vajzat"

Konferencë rajonale

Shkup, 5 tetor 2023 (MIA) - Bashkëshortja e presidentit të shtetit, Elizabeta Gjorgievska, sot do të jetë nikoqire e konferencës rajonale të nivelit të lartë "Fuqia e zgjedhjes: Arritja e autonomisë trupore për gratë dhe vajzat". Konferenca mbahet në bashkëpunim me Fondin e Kombeve të Bashkuara për popullsinë - UNFPA, ndërsa do të mbahet nën patronatin e presidentit Stevo Pendarovski, kumtuan nga kabineti presidencial.

Në hapje të konferencës, përveç Gjorgjievskës, do të drejtohen edhe ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, drejtoresha rajonale e UNFPA për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, Florens Bauer, koordinatorja e përhershme e OKB-së në Maqedoninë e Veriut, Rosana Duxhak, si dhe Diene Keita, zëvendës-drejtoreshë e UNFPA.

"Nëpërmjet katër paneleve me tema të ndryshme, folësit në konferencë do të japin një pasqyrë të realizimit të autonomisë trupore, do të prezantojnë të dhënat nga Hulumtimi mbi progresin dhe sfidat në praktikimin e autonomisë trupore tek gratë në rajon, do të debatojë se si gjinia dhe normat shoqërore ndikojnë në barazinë gjinore dhe autonominë trupore. Në panelin e fundit të konferencës do të flasin Armanda Begaj, bashkëshortja e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Mirela Beqiroviq, bashkëshortja e anëtarit të Kryesisë së Bosnjës e Hercegovinës, Elizabeta Gjorgievska, bashkëshortja e Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Tamara Vuçiq, gruaja e Presidentit të Republikës së Serbisë dhe Alesh Musar, bashkëshorti i Presidentes së Republikës së Sllovenisë, sqarohet në kumtesën.

Siç theksojnë nga kabineti presidencial, në konferencë do të marrin pjesë rreth 100 përfaqësues nga vendi dhe nga rajoni i Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore, OKB, komuniteti ndërkombëtar, politikëbërës, gra lidere, përfaqësues të shoqërisë civile, të rinjve ekspertë dhe palë të tjera të interesuara.

"Autonomia trupore dhe shëndeti dhe të drejtat seksuale dhe riprodhuese janë çelësi për përparimin drejt barazisë gjinore, arritjes së Objektivave për zhvillim të qëndrueshëm të OKB-së dhe qëllimeve të Programit për veprim të Konferencës ndërkombëtare për popullsinë dhe zhvillimin (ICPD) të mbajtur në Kajro, Egjipt , në vitin 1994, shtohet në kumtesën. ls/ 

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR