• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Konferencë për sigurinë në komunikacion: Faktori njeri kyç për aksidentet në komunikacion

Konferencë për sigurinë në komunikacion: Faktori njeri kyç për aksidentet në komunikacion

Shkup, 30 maj 2024 (MIA) - Faktori njeri është kyç për mospasjen e viktimave në aksidente trafiku. Shkaku kryesor i aksidenteve në komunikacion është vozitja e shpejtë mbi 60 për qind, ndërsa cilësia e rrjetit rrugor ndikon me një për qind të aksidenteve në komunikacion.

Kjo u bë e ditur nga pjesëmarrësit në Konferencën e tretë ndërkombëtare për sigurinë në komunikacionin rrugor të organizuar nga Këshilli republikan për siguri në komunikacionin rrugor (KRSKRr), ku morën pjesë ekspertë të fushës së komunikacionit nga vendi, Serbia, Kroacia, Bosnje e Hercegovina, Republika Sërpska dhe Bullgaria.

Siç theksoi kryetarja e KRSKRr, Gordana Kozhuvarovska, qëllimi i konferencës është ngritja e sigurisë në komunikacion në nivel nacional dhe ndërkombëtar.

"Do të ketë linja të ndryshme prezantimesh që do të japin fryte për rritjen e sigurisë në komunikacion dhe rritjen e kulturës në komunikacion. Në nivel të Ballkanit jemi diku në një nivel mesatar sa i përket sigurisë në komunikacion. Punojmë në mënyrë konstante që të zvogëlohet numri i aksidenteve në komunikacion dhe i viktimave dhe jemi pjesë e projektit që deri në vitin 2030 të mos ketë asnjë fëmijë që do të humbte jetën në aksident", tha Kozhuvarovska.

Sipas zëdhënësit të MPB-së, Toni Angellovski, nëse të gjithë i respektojmë rregullat nuk do të kemi aksidente në komunikacion. Statistika, thekson Angellovski, tregon se edhe pse kemi një trend të rënies në tre vitet e fundit ka rreth 120 viktima në aksidente, duke theksuar se sipas të gjitha analizave deri tani shkaku më i madh i aksidenteve në komunikacion është vozitja e shpejtë me mbi 60 për qind.

"Mesatarisht kemi rreth 250 mijë gjoba në vit, pra kjo tregon se sa intensivisht punon MPB-ja, por edhe sa intensivisht nuk respektohen rregullat. Ne vazhdojmë të punojmë në mënyrë preventive, të ndikojmë në vetëdijen e qytetarëve, sepse fatkeqësisht te disa qytetarë mesazhet tona nuk arrijnë", tha Angellovski.

Dekani i Fakultetit të sigurisë, Nikolla Dujovski theksoi se më pak vdekshmëri në aksidente trafiku 22 në një milion banorë në vit ka Suedia, rreth 30 kanë vendet e tjera baltike dhe Zvicra, në Evropën Qendrore mesatarja është rreth 45, ndërsa mesatarja në Ballkanin Perëndimor është rreth 70, ndërsa në vendin tonë është 65, derisa më së shumti ka Rumania me 86.

"Mesatarisht Maqedonia është diku drejt fundit. I gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor ka rreth 70 viktima për një milion banorë. Vendi më i sigurt në Ballkan është Kosova e cila ka 55, kurse tek ne është rreth 65. Mesatarja evropiane është 40 viktima në një milion banorë në vit. Arsyet për këtë janë të ndryshme dhe njeriu ka ndikimin më të madh si faktor. Në 95 nga 100 situata përgjegjësinë e drejtpërdrejtë për aksidentet e komunikacionit e ka shoferi, një për qind është gjendja e rrugës, ndërsa 3 deri në 4 për qind gjendja e automjetit dhe kushtet e rrugës – ditë, natë, rrugë e rrëshqitshme", ka thënë Dujovski.

Mesatarisht në vend, siç tha ai, nga dy deri në katër fëmijë çdo vit e humbin jetën në aksidente trafiku. Ai theksoi se deri në vitin 2030 duhet të përfundojnë autostradat, por edhe të përmirësohen kushtet nëpër të gjitha rrugët ku ka pika të zeza.

Sinan Alispahiq nga Kroacia, nga ana tjetër, theksoi se zbatojnë programe edukative për shoferët e moshës 65+ të cilët janë grupi më i rrezikuar, por edhe për më të rinjtë, pra fëmijët në moshën parashkollore.

"Fëmijët janë themel për krijimin e shprehive dhe kulturës në komunikacion. Prandaj i japim prioritet më të lartë edukimit të tyre në komunikacion", tha Alispahiq.

Ai tha se duhet të përpiqemi të zbatojmë “Vizionin 0”, i cili parashikon që deri në vitin 2050 të mos ketë viktima në komunikacion.

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR