• e martë, 24 dhjetor 2024

Komuniteti shqiptar i Selanikut për vizitë në ITSHKSH, sjell në Shkup zërin e artikuluar të diasporës

Komuniteti shqiptar i Selanikut për vizitë në ITSHKSH, sjell në Shkup zërin e artikuluar të diasporës

Shkup, 21 dhjetor 2024 

Sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve qëndroi një delegacion i Komunitetit Shqiptar të Selanikut, i kryesuar nga Dr. Luan Zyka. Në këtë takim i pranishëm ishte edhe zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti.

Drejtori i ITSHKSH, Skender Asani, në fjalën e tij përshëndetëse tha se vizita e komunitetit shqiptar të Selanikut, në Institutin e Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Shkup, përbën një moment domethënës për forcimin e lidhjeve kulturore dhe shpirtërore mes shqiptarëve në diasporë dhe atyre në trojet etnike. Ky takim pasqyron rëndësinë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave në ruajtjen dhe promovimin e identitetit kulturor shqiptar. Sipas drejtorit Asani, lidhje të tilla janë një shembull i shkëlqyer i ndërveprimit të suksesshëm midis diasporës dhe institucioneve vendore.

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, pasi përkujtoi lidhjet historike në mes të Shkupit dhe Selanikut, theksoi se vlerat dhe traditat kulturore e kombëtare të shqiptarëve duhet të ruhen dhe kultivohen kudo që janë ato. “Instituti ku po zhvillohet ky takimi është një institucion i rëndësishëm për ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore dhe për forcimin e identitetit kombëtar. Kjo vizitë ishte një mundësi për të ripërtërirë angazhimin për mbrojtjen e gjuhës, zakoneve dhe traditave tona, si dhe për të forcuar lidhjet mes shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe atyre që jetojnë në rajon”, u shpreh Mexhiti.

Ai nënvizoi faktin se si Zv. Kryeministër i Parë në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të angazhohet që këto vlera të trajtohen sa më dinjitetshëm, duke përfshi edhe bashkëpunimin e gjithanshëm me Komunitetin Shqiptar të Selanikut, me shpresë që të gjithë së bashku t’i kontribuojmë çështjes kombëtare, u shpreh Mexhiti. Duke u ndërlidhur me fjalët e Zv. Kryeministrit Mexhiti, kryetari i Komunitetit Shqiptar të Selanikut, Dr. Luan Zyka, tha se si komunitet ndjehen të nderuar dhe të respektuar nga porositë e z. Mexhiti, për kujdesin e treguar të tij ndaj komunitetit shqiptar në Greqi dhe forcimit të lidhjeve kulturore e kombëtare në mes të shqiptarëve.

“Faktori shqiptarë është shumë i dobët kulturalisht, dhe nuk kanë aftësi shtetformuese, e kjo ndoshta ka edhe ca të vërteta për të shkuarën, por jo edhe për të tashmen, sepse vet prania e Mexhitit, tregon që shqiptarët nuk janë më ai komb i cili nuk di të ndërtoj shtet, sepse ne dimë të ndërtojmë jo vetëm shtetin tonë, por po tregojmë se mund ti ndërtojmë edhe shtetet tjera”, u shpreh Dr. Zyka.

ITSHKSH

____________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

QËNDRONI TË LIDHUR