• e premte, 27 dhjetor 2024

Komuna e Tetovës: Vazhdon aksioni për largimin e objekteve, policia e Tetovës bojkoton

Komuna e Tetovës: Vazhdon aksioni për largimin e objekteve, policia e Tetovës bojkoton

Tetovë, 26 dhjetor 2023 (MIA) - Sektori për Mbikëqyrje Inspektuese në Komunën e Tetovës edhe sot ka vazhduar aksionin për largimin e objekteve që kanë uzurpuar pronën publike duke i njoftuar pronarët e këtyre objekteve paraprakisht me vendimin për largim, njoftojnë nga autoritetet lokale. Përsëri kanë reaguar se nuk kanë ndihmë nga policia.

"Personi i cili shfrytëzon kioskën e locuar në pronë publike afër shkollës së mesme të mjekësisë, nuk ka respektuar vendimin e Inspektoratit të Komunës së Tetovës për të larguar materialin që ka brenda. Ai po ashtu nuk ka ka asnjë dokument  për pronën ose leje për objektin në fjalë. Në anën tjetër policia e Tetovës, vazhdon të bojkotojë punën e Inspektoratit Komunal edhe përkundër faktit që vazhdimisht është njoftuar për aksionin në fjalë. Ata qëndruan si spektator duke mos ndërhyjë  aspak për të siguruar kushte inspektoratit që të kryhet aksioni ashtu siç e parashikon Ligji", thekson Besarta Ramadani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës. 

Sipas saj, policia e Tetovës, vazhdon të jetë nën ndikimin politik të BDI-së e cila me çdo kusht tenton të pengojë punën e kryetarit të qytetit dhe të komunës e cila gjithnjë e më shumë po merr mbështetjen e qytetarëve.

"Ne falënderojmë qytetarët për mbështetjen dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar me Komunën për interes të qytetit dhe të qytetarëve. Lëvizja e lirë e qytetarëve dhe lirimi hapësirave publike ka qenë prioritet për ne dhe për qytetarët andaj ne do të vazhdojmë  me aksionin në fjalë. Ne e bëjmë punën tonë, kurse policia e cila është për të garantuar rendin dhe sigurinë, fatkeqësisht  vazhdon të ndjek politikat e BDI-së, dhe të mos asistojë në aksionet tona. Mirëpo, përpjekjet e policisë dhe partisë në pushtet për të krijuar rrëmujë dhe klimë tensionuese nuk do të kenë sukses sepse qytetarët e Tetovës, e kanë lexuar këtë lojë dhe nuk bien në grackat e tyre", theksoi Besarta Ramadani. qa/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR