• e mërkurë, 21 janar 2026

Komuna e Tetovës me buxhet prej afro 45 milionë euro për vitin 2026

Komuna e Tetovës me buxhet prej afro 45 milionë euro për vitin 2026

Tetovë, 30 dhjetor 2025 (MIA) – Në mbledhjen e shtatë të Këshillit të Komunës së Tetovës sot ishte votuar buxheti për vitin 2026, që është 44 milionë dhe 471 mijë euro ose të ardhura prej dy miliardë, 734 milionë 977 mijë e 606 denarë. 

Kryetari Bilall Kasami në deklaratë për mediat vlerësoi se bëhet fjalë për buxhet zhvillimor prej të cilit gjysma e mjeteve do të jenë për investime kapitale, prandaj paralajmëroi se do të ndërtohen shkolla të reja, rrugë, projekte ujësjellësi dhe të ngjashme. 

“Në Tetovë do të ketë kushte më të mira jetese për të gjithë qytetarët. Buxheti është në vlerë prej 44,5 milionë euro, për herë të parë një buxhet i kësaj madhësie, nga të cilat mbi 17 milionë euro do të investohen në projekte kapitale. Të ardhurat do të gjenerohen nga burimet vetanake të komunës, nga grantet bllok në përputhje me ligjin për kompetencat në arsim, zjarrfikësit dhe fusha të tjera, si dhe projekte që bashkëfinancohen me të ashtuquajturën kredi hungareze”, tha Kasami.

Këshilltari Agron Arifi nga “Më mirë për Tetovën” në deklaratë për mediat tha se edhe pse ka rritje të buxhetit kjo, sipas tij, nuk është gjendje reale. 

“Këto janë investime që janë bërë tashmë në vitin 2025 dhe ne, qytetarët, do t'i paguajmë ato në vitin 2026, gjë që është provë se të gjitha investimet në vitin 2025 janë investime gjatë fushatës zgjedhore. Një shënim tjetër është se buxheti ka rreth 570 mijë euro të planifikuara për punësime të përkohshme. Në total, nëse i mbledhim këto para, rreth 2,5 milionë euro nga qytetarët e Tetovës do të shkojnë për punësime partiake”, tha Arifi.

Rrjedha e mbledhjes deri në pikën e pestë kur u votua buxheti u ndjek vështirë për shkak të problemeve teknike në sistemin e përkthimit simultan nga gjuha shqipe në gjuhën maqedonase. 

“Në Tetovë ndërtohet në çdo hap dhe duhet të ketë më shumë të ardhura nga tatimet. Ky nuk është buxhet për zhvillim, pjesa më e madhe është për paga, deficit prej dhjetë milionë dhe 80 % nga të ardhurat vijnë nga shteti”, vlerësoi këshilltari Bobi Ilievski nga E majta. 

“Të ardhura të rritura artificiale nuk japin pasqyrë reale për gjendjen me buxhetin”, tha këshilltari Zhive Aleksovski nga LSDM-ja. 

Kryetari Kasami tha se në Komunën e Tetovës nuk ka asnjë punësim fiktiv, ndërsa nevojën për punësime të përkohshme e sqaroi si nevojë për angazhimin e kuadrit të cilin nuk e ka në vetëqeverisjen lokale. fc/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR