• e enjte, 26 dhjetor 2024

Komuna e Tetovës deri të premten do të pranojë kërkesat për dëmshpërblim nga stuhia

Komuna e Tetovës deri të premten do të pranojë kërkesat për dëmshpërblim nga stuhia

 Tetovë, 3 korrik 2024 (MIA) - Komuna e Tetovës njofton se koha për paraqitjen e kërkesës për kompensim nga stuhia e 23 qershorit do të jetë deri të premten (05.07.2024). Të gjithë qytetarët të cilët kanë dëme në amvisëritë dhe në tokat bujqësore mund të paraqesin kërkesë për vlerësim të dëmit në Komunën e Tetovës. Kërkesa duhet ta marrin dhe ta dorëzojnë në arkivin e komunës së bashku me një list pronësie/dëshmi pronësie, foto të objektit të dëmtuar, një kopje të letërnjoftimit dhe një kopje të llogarisë së transaksionit.

 

"Deri më tani Komuna e Tetovës ka pranuar rreth 160 kërkesa për dëmshpërblim nga stuhia në Tetovë javën e kaluar. Pjesa më e madhe e kërkesës është për tokat bujqësore. Dhjetëra kërkesa ka për dëme të pronës private, pra banesave dhe pesë për makina. Ndryshe, dëmin e makinave nuk e mbulon Komuna e Tetovës por sigurimi i veturës. Sa i përket dëmeve të tokës bujqësore, dëmshpërblim mund të marrin ata fermerë që kanë fletë pronësie për tokën, por ka problem me ata që përdorin dhe kultivojnë tokën bujqësore me qira, atëherë për të marrë dëmshpërblim ata duhet të japin dëshmi, gjegjësisht një dokument, nëpërmjet noterit, që toka u është dhënë me qira", njoftoi Milena Vuçevska, zëdhënëse e Komunës së Tetovës. 

 Pas shqyrtimit të kërkesave dhe vlerësimit të komisionit, të njejtat do të dërgohen për miratim në Këshillin e Komunës së Tetovës. qa

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR