Komuna e Strugës do të nxjerrë në ankand automobilin Audi të Merkos, me çmim fillestar 21.800 euro
- Komuna e Strugës informon se më 16 të këtij muaji do të mbahet ankandi për shitjen e automobilit Audi A6 me çmim fillestar prej 1.344.636 denarë ose rreth 21.800 euro.
- Post By Lindita Sulejmani
- 10:41, 5 mars, 2026
Strugë, 5 mars 2026 (MIA) - Komuna e Strugës informon se më 16 të këtij muaji do të mbahet ankandi për shitjen e automobilit Audi A6 me çmim fillestar prej 1.344.636 denarë ose rreth 21.800 euro.
Ankandi, siç njoftohet nga shërbimi për shtyp i komunës, do të fillojë në orën 10:00 në ueb-faqen e-stvari.mk.
"Me mjetet nga shitja e automobilit do të blihet një furgon që do t'u shërbejë nevojave të administratës komunale dhe klubeve sportive në qytet", qëndron në informacion.
Nga atje informojnë se shpallja nr. 1/2026 për shitjen e sendeve të tundshme - një automjet motorik i udhëtarëve, nëpërmjet një ankandi elektronik është publikuar edhe në Gazetën Zyrtare.
"I ftojmë të gjithë të interesuarit të marrin pjesë në ankandin përkatës. Të gjitha informacionet në lidhje me automobilin, si dhe udhëzimet e nevojshme për aplikim, do të publikohen në ankand", informoi Komuna e Strugës.
Automobilin Audi A6, të cilin Komuna e Strugës e bleu 67.000 euro kur Ramiz Merko ishte kryetar komune, shkaktoi një debat publik se ishte blerë në një kohë kur komuna kishte një llogari të bllokuar. “Kundër Merkos zhvillua një proces gjyqësor, në të cilin gjykata në Struga vendosi se ai nuk ka faj për blerjen e automjetit luksoz. ls/
Foto: Komuna Strugës