Komuna e Gostivarit do të ndajë një milion denarë ndihmë humanitare për familjet e të vdekurve dhe të lënduarve në Koçan
- - Komuna e Gostivarit do të ndajë një milion denarë si ndihmë humanitare e dedikuar për familjet e të vdekurve dhe të lënduarve në ngjarjen tragjike në Koçan. Këshilli në mbledhje të jashtëzakonshme sot njëzëri e votoi propozim vendimin e kryetarit Valbon Limani.
- Post By Fitore Curri
- 11:33, 21 mars, 2025

Gostivar, 21 mars 2025 (MIA) - Komuna e Gostivarit do të ndajë një milion denarë si ndihmë humanitare e dedikuar për familjet e të vdekurve dhe të lënduarve në ngjarjen tragjike në Koçan. Këshilli në mbledhje të jashtëzakonshme sot njëzëri e votoi propozim vendimin e kryetarit Valbon Limani.
Seanca e jashtëzakonshme nisi me një minutë heshtje në nderim të 59 jetëve të humbura në zjarrin tragjik të 16 marsit.
"Tragjedia e Koçanit është një plagë e madhe, por edhe një sfidë që na udhëzon të jemi më të bashkuar. Falënderoj Këshillin e Komunës që përkrahu propozimin tim për të kontribuar me një milion denarë për familjet e të prekurve. Dhimbja e tyre është çdo ditë në zemrat tona", tha Limani në paraqitjen para këshilltarëve.
Kryesuesi i Këshillit të Gostivarit, Namik Durmishi, apeloi tek qytetarët e Gostivarit që të solidarizohen dhe t'i ndihmojnë në mënyrë adekuate familjet e prekura nga ngjarja tragjike. Në emër të grupit të këshilltarëve të BDI-së, këshilltarja Vjolca Baftiu Zilbehari lexoi një fjalim emocionues në të cilin shprehu ngushëllime për humbjen dhe theksoi se kjo plagë nuk do të shërohet.
Të hënën, vetëqeverisja lokale organizoi ngjarje përkujtimore në sheshin e qytetit në të cilën ishin nderuar të vdekurit në zjarrin i cili ndodhi në Koçan dhe në të cilin humbën jetën 59 persona, ndërsa rreth 150 ishin lënduar. fc/
Foto: MIA