• e enjte, 26 dhjetor 2024

Komuna e Dibrës shpalli thirrje publike për ndarjen e mjeteve financiare për shoqatat, klubet sportive dhe projektet nga persona fizik

Komuna e Dibrës shpalli thirrje publike për ndarjen e mjeteve financiare për shoqatat, klubet sportive dhe projektet nga persona fizik

Dibër, 7 shkurt 2024 (MIA) - Komuna e Dibrës edhe këtë vit vazhdon me ndarjen e mjeteve financiare për realizimin e projekteve nga ana e shoqatave, klubeve sportive dhe projekteve nga persona fizik, për çka shpalli thirrje publike, në të cilën të interesuarit dokumentacionin e nevojshëm mund ta dorëzojnë deri më datën 1 të muajit të ardhshëm.

Qëllimi i thirrjes është që ta fuqizojmë dhe avancojmë bashkëpunimin e Komunës me klubet sportive, organizatat dhe personat fizikë përmes vendosjes së relacioneve partnere dhe të nxitet zgjidhja e problemeve lokale përmes përfshirjes më të madhe të qytetarëve dhe organizatave civile, deklaroi për MIA-n, Maliq Disha, përgjegjës për këtë aktivitet. 

Sipas tij, të drejtë pjesëmarrje kanë klubet sportive dhe shoqatat e qytetarëve të regjistruara në territorin e Komunës së Dibrës, fondacione dhe persona fizikë sipas ligjit të shoqatave të qytetarëve dhe fondacione. 

"Dua të theksoj se shoqatat të cilat kanë marrë mjete financiare vitin e kaluar, duhet të dorëzojnë raport financiar për mjetet dhe aktivitetet e realizuara gjatë vitit të kaluar bashkë me formularët e nevojshëm për aplikim. Thirrjen e plotë publike me formularët e nevojshëm mund t'i gjejnë në ueb-faqen e komunës  www.dibra.gov.mk", shton Disha. 

Sqaron se do të mbështeten aktivitete për përmirësim, avancim dhe ngritje të cilësisë së jetës së qytetarëve në komunë, pastaj mjedisit jetësor, kulturë, sport, mbrojtje sociale, më konkretisht mbështetje të fëmijëve nga familjet me gjendje të pafavorshme ekonomike dhe persona me nevoja të veçanta në aktivitete dhe manifestime kulturore - rekreative dhe sportive, si dhe mbështetje nga sfera e mundësive të barabarta të grave dhe burrave. 

Sipas Dishës, vitin e kaluar për realizim të projekteve të shoqatave, klubeve sportive dhe personave fizikë janë ndarë 2,5 milionë denarë. fc/

Fotografia: MIA dhe ueb faqja e komunës

 

QËNDRONI TË LIDHUR