• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Komiteti i Helsinkit shënon 30-të vjetorin e themelimit

Komiteti i Helsinkit shënon 30-të vjetorin e themelimit

Shkup, 10 dhjetor 2024 (MIA)  Tre dekada mbështetje të palëkundur për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit janë shënuar sot nga Komiteti i Helsinkit. Në manifestimin e mbajtur në Fakultetin Juridik "Justiniani i Parë" në Shkup, të pranishmit folën për sukseset e arritura dhe sfidat me të cilat ballafaqohen, duke theksuar se qëllimet e paplotësuara të komisionit janë motivim dhe nxitje për punë të mëtutjeshme.

Drejtoresha ekzekutive e Komitetit të Helsinkit, Uranija Pirovska me rastin e shënimit të jubileut theksoi se në Komitet punojnë njerëz të cilët janë të motivuar dhe luftojnë për kauzën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

"Me ekzistencën dhe veprimin tonë ne kemi arritur të identifikojmë me saktësi ato segmente që prekin të drejtat e njeriut", tha ajo.

Udhëheqësi i Departamentit të Dimensionit Njerëzor në Misionin e OSBE-së në Shkup, Umer Al-Katib, shtoi se ky jubile përfaqëson tre dekada të mbështetjes së palëkundur për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit.

Ish kryetari i Komitetit të Helsinkit, profesor Gordan Kalajxhiev, tregoi përvojën e tij 20-të vjeçare me Komitetin e Helsinkit me ç'rast theksoi se një pjesë e të drejtave për të cilat kanë bërë përpjekje sot janë realizuar. 

"Kemi bërë përpjekje të kontribuojmë në ndërtimin e urës së besimit ndërmjet maqedonasve dhe popujve të tjerë që jetojnë në vend", tha Kalajxhiev.

Gjyqtari kushtetues Osman Kadriu tha se ky shekull është një shekull kushtuar të drejtave të njeriut dhe lirive dhe mbrojtjes së tyre.

"Shteti përmes aktit juridik, Kushtetutës, nëse ofron një listë gjithnjë e më të madhe të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut nëse aq më shumë e shkurton, pra kufizon pushtetin shtetëror dhe kjo është një veçori e rëndësishme", theksoi ai.

Kryetarja aktuale Neda Zdraveva ka folur për qëllimet që kanë arritur t'i realizojnë, si dhe ato që nuk i kanë arritur me ç'rast theksoi se pikërisht qëllimet e paplotësuara janë motivim dhe nxitje të vazhdojnë me punë.

"Arritëm të sigurojmë ndihmë juridike falas për më shumë se 1000 qytetarë në katër vitet e fundit, të regjistrojmë mijëra shembuj të shprehjes së urrejtjes në shoqëri, të shënojmë dhjetëra njoftime, duke kuptuar mangësitë e zhvillimit të sistemit shoqëror dhe t'u bëjmë thirrje autoriteteve në mënyrë adekuate ta kryejnë punën e tyre", theksoi ajo.

Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut këtë vit shënon 30-të vjetorin e themelimit, duke e shënuar në mënyrë simbolike në Ditën e nënshkrimit të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, 10 dhjetori.

Në 30 vitet e fundit, Komiteti ka punuar për të përmirësuar situatën e të drejtave të njeriut, për të ofruar ndihmë juridike për kategoritë e margjinalizuara dhe vulnerabël të qytetarëve dhe bashkëpunon me organizata të tjera dhe autoritete shtetërore për të rritur promovimin, respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. sa/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR