• e enjte, 26 dhjetor 2024

Komisioni për financim dhe buxhet nuk ka miratuar tetë amendamente për ribalancin e Buxhetit

Komisioni për financim dhe buxhet nuk ka miratuar tetë amendamente për ribalancin e Buxhetit

Shkup, 30 korrik 2024 (MIA) - Në kuadër të ditës së dytë të debatit rreth amendamenteve dhe ditës së pestë të debatit për ribalancin e buxhetit për vitin 2024, Komisioni parlamentar për financim dhe buxhet sot shqyrtoi dhe nuk miratoi gjithsej tetë amendamente të dorëzuara nga deputetët e opozita. Debati rreth amendamenteve do të vazhdojë në orën 16.

Nuk janë pranuar amendamentet nga LSDM-ja për shpërblimin e zjarrfikësve, policëve dhe ushtarëve për shuarjen e zjarrit, si dhe për rritjen e pagave të zjarrfikësve.

Siç theksoi zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski, është duke u përgatitur një ligj i ri për zjarrfikësit me të cilin do t'i rregullojë këto çështje, megjithatë nuk ka mjete të mjaftueshme në buxhet dhe ribalanci bëhet vetëm për shërbimin e obligimeve deri në fund të vitit për shkak të parashikimeve të këqija dhe shpenzimeve joreale nga Qeveria e mëparshme.

Nuk ka kaluar as amendamenti i LSDM-së për transferimin e mjeteve për pagesën e mbështetjes financiare ndaj obligimeve sipas Ligjit për mbështetje financiare të investimeve për 654 kompani të cilët në vitin 2023 kanë lidhur marrëveshje të reja. Zëvendësministri i Financave në arsyetimin për mospranimin e amendamentit tha se gjithçka do të paguhet për vitin 2024 e gjithë ajo që është planifikuar plotësisht në përputhje me Ligjin për mbështetjen financiare të investimeve.

Tre amendamentet e paraqitura nga Sali Murati nga Fronti Evropian me të cilat kërkohej mjete për afirmimin dhe përdorimin e gjuhëve të komuniteteve pakicë, për shënimin e Ditës së mësimit të gjuhës turke dhe për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të komuniteteve, njashtu u refuzuan. Në sqarimin e tij zëvendësministri Jankullovski tha se mjetet e kërkuara ose tashmë janë siguruar ose mund të sigurohen përmes rishpërndarjes nga Ministria e Sistemit Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive dhe Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit.

Nuk u pranuan edhe amendamentet e Monika Zajkova për furnizimin e dy automjeteve të reja zjarrfikëse për Manastirin dhe për projektin e Luginës së Vardarit.

Debati për amendamentet filloi dje kur nuk u miratua amendamenti i parashtruar nga LSDM-ja, me të cilin kërkohej që të sigurohen 200 milionë euro për rritjen e pagave dhe beneficioneve, "në përputhje me obligimet e rregullimit ligjor dhe marrëveshjet kolektive të nënshkruara". rq/

Foto: printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR