• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Komisioni për financim dhe buxhet e miratoi Propozim- vendimin për shpërndarje të mjeteve mes shfrytëzuesve buxhetorë

Komisioni për financim dhe buxhet e miratoi Propozim- vendimin për shpërndarje të mjeteve mes shfrytëzuesve buxhetorë

Shkup, 10 dhjetor 2024 (MIA) - Komisioni për financim dhe buxhet sot e miratoi Propozim- vendimin për rishpërndarjen e mjeteve mes shfrytëzuesve buxhetorë të pushtetit qendror dhe ndërmjet fondeve që është në rendin e ditës të seancës së 22-të plenare të caktuar në orën 11.

Qëllimi i vendimit të propozuar është rialokimi adekuat i mjeteve mes shfrytëzuesve buxhetorë me qëllim të financimit të nevojave prioritare të shfrytëzuesve buxhetorë me qëllim të përmirësimit të realizimit të buxhetit për vitin 2024, thuhet në shpjegimin e qeverisë.

Zëvendësministri i Financave Nikollçe Jankullovski theksoi se me propozimin e rishpërndarjes janë rialokuar 9,3 miliardë denarë dhe janë siguruar mjete shtesë për disa qëllime të rëndësishme.

"Rreth 2,12 miliardë denarë të destinuara për transfere në Fondin për sigurim pensional dhe invalidor, 1,19 miliardë denarë në Ministrinë për politikë sociale, demografi dhe rini, 1,2 miliardë denarë në kuadër të Agjencisë për përkrahje në bujqësi dhe zhvillim rural, 1,16 miliardë denarë për sigurim shëndetësor, 873 milionë denarë për MPB-në, 656 milionë denarë në kuadër të Qeverisë për përkrahje financiare të kompanive, 543 milionë denarë për MASH-in, 267 milionë denarë për Ministrinë e Transformimit Digjital, 231 milionë denarë për Byronë për zhvillim të balancuar rajonal, 203 milionë denarë për Ministrinë e Kulturës, 168 milionë denarë për Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve, 130 milionë denarë në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, 94 milionë denarë në Drejtorinë për kryerje të sanksioneve, 50 milionë denarë në kuadër të Agjencisë për ushqim dhe veterinari dhe 35 milionë denarë për Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor", ka thënë Jankullovski.

Zëvendësministri theksoi se qëllimi i vendimit të propozuar është ulja e detyrimeve të marra dhe të trashëguara të shfrytëzuesve buxhetorë, përmirësimi i zbatimit të buxhetit për vitin 2024 dhe menaxhimi më i mirë i financave publike.

Foto: printskrin

 

QËNDRONI TË LIDHUR