• e premte, 26 korrik 2024

Komisioni për financim dhe buxhet debaton rreth ribalancit të Buxhetit për vitin 2024

Komisioni për financim dhe buxhet debaton rreth ribalancit të Buxhetit për vitin 2024

Shkup, 25 korrik 2024 (MIA) - Komisioni parlamentar për financim dhe buxhet e ka filluar sot debatin e përgjithshëm rreth Propozimit për ndryshimin dhe plotësimin e Buxhetit për vitin 2024, me të cilin të hyrat e përgjithshme janë planifikuar në vlerë prej 318,2 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet në vlerë prej 362,8 miliardë denarëve. Rritja e BPV-së është parashikuar në 2,1 për qind, inflacioni në nivelin prej 3,5 për qind dhe deficiti buxhetor 4,9 për qind.

Fatmir Bytyqi nga LSDM-ja tha se me ribalancin parashihet zvogëlimi i mjeteve që marrin kompanitë vendore përmes Ligjit për mbështetje financiare të investimeve.

“Kam frikë se me këtë do të jemi në një situatë që pagesa e mjeteve për mbështetje financiare për kompanitë vendase të zvogëlohet në zero, siç ishte në vitin 2016”, tha Bytyqi.

Ai theksoi se nuk dihet se çfarë do të ndodhë me zërat e taksave dhe për këtë arsye tha se ribalanci është një politikë ekonomike jashtëzakonisht e pamatur, e cila do ta shndërrojë ekonominë tonë në një ekonomi, siç tha ai, “Frankenshtajn”. Me ribalancin, shtoi ai, ekonomia do të kthehet në një përbindësh të përbërë nga politika të ndryshme dhe të kombinuara në mënyrë të panatyrshme.

Bytyqi më tej theksoi se treguesit bazë ekonomikë tregojnë mungesën e synimit dhe aftësisë për ta çuar vendin drejt stabilitetit dhe prosperitetit.

Në përgjigje, ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, potencoi se kanë lënë buxhet bosh, për dallim nga viti 2017, kur LSDM-ja kishte buxhet të plotë.

Elmi Aziri nga koalicioni Fronti Evropian theksoi se ribalancimi parasheh rritje të borxhit publik në mbi 68 për qind, që është në kundërshtim me rregullat fiskale dhe shtoi se nuk ofron progres dhe zhvillim.

"Rritja e borxhit publik e ul rejtingun kreditor, duke e rënduar në këtë mënyrë arkën buxhetore", tha Aziri.

Theksoi se një pjesë e pensioneve me rritjen lineare do të financohen nga borxhet, për shkak të së cilës rritet në mënyrëplotësuese deficiti buxhetor.

"Ne themi se shteti është në borxh. Në të njëjtën kohë, po rrisim borxhin publik dhe deficitin buxhetor, ndërsa e zvogëlojmë rritjen e planifikuar të ekonomisë", theksoi Aziri.

Seanca dëgjimore e përgjithshme për Komisionin për financim dhe buxhet për ribalancimin e Buxhetit zgjat më së shumti tri ditë, ndërsa debati i amendamenteve zgjat gjashtë ditë. Në ditën e dhjetë Komisioni voton për ribalancin në tërësi. Në propozimin e ribalancimit janë paraqitur 58 amendamente. mb/

Foto: Printsrkrin

QËNDRONI TË LIDHUR