• e premte, 27 dhjetor 2024

Komisionet e Kuvendit takohen me përfaqësuesit e UNFPA-së

Komisionet e Kuvendit takohen me përfaqësuesit e UNFPA-së

Shkup, 28 dhjetor 2023 (MIA) -  Përfaqësuesit e Zyrës së Fondit të Popullsisë të Kombeve të Bashkuara - UNFPA, sot mbajtën takim pune me kryetarët dhe anëtarët e komisioneve të Kuvendit: Komisioni për Financim dhe Buxhet, Komisioni për Punë dhe Politikë Sociale, Komisioni për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Komisioni për Çështje Ekonomike dhe Komisioni për Vetëqeverisje Lokale, ku u prezantua Draft-Versioni i Strategjisë për Politikat Demografike 2024 - 2044, nga prof. dr. Dragan Tevdovski, njoftojnë nga shërbimi për shtyp i Kuvendit.

Kryetarja e Komisionit për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Sonja Mirkovska, siç sqarohet në kumtesë thotë se ky takim është me kërkesë të UNPFA-së, ndërsa Ministria e Punës dhe Politikës Sociale është bartëse e Strategjisë Nacionale, por Kuvendi është partneri kryesor në këtë proces gjithëpërfshirës kur bëhet fjalë për politikat demografike.

Afrodita Shala, drejtoreshë e Zyrës së UNFPA-së, u shpreh e kënaqur me praninë në Kuvend, siç tha ajo, tek ata që janë më afër popullit - deputetëve dhe me qëllim të intensifikimit të bashkëpunimit në lidhje me përgatitjen e Strategjisë Nacionale.

Në prezantim, profesori Tevdovski i theksoi qëllimet kryesore, rëndësinë, procesin gjithëpërfshirës të përgatitjes së Strategjisë. Qëllimi është mbështetja dhe përfshirja sa më e gjerë e institucioneve shtetërore, universiteteve, ASHAM-it, organizatave joqeveritare dhe agjencive ndërkombëtare.

Nga Kuvendi informojnë se kjo është Strategjia e tretë për politikat demografike në vend, por për herë të parë për periudhë 20-vjeçare, me mundësinë e revidimit çdo 5 vjet, ndërsa dallimi në krahasim me të mëparshmet është hartimi i projeksionit të popullsisë nga ESHS-ja.

"Regjistrimi i fundit i popullsisë tregoi rritje natyrore negative, ulje të natalitetit, emigracion të jashtëm, plakje të kombit, proces ky jo vetëm në vendin tonë, por edhe në vendet evropiane, pabarazi të mëdha demografike dhe shpërndarje të pabarabartë hapësinore - theksoi Tevdovski.

Nga Kuvendi thonë se prezantimi i Tevdovskit rezultoi me diskutim konstruktiv të deputetëve në lidhje me qëllimet e prezantuara të Strategjisë, ku rezultoi me propozime për plotësimin e grupit të punës me Komisionin për Arsim dhe Shkencë, koordinatorët e grupeve parlamentare në Kuvend, si dhe konsensus më të gjerë dhe ndërpartiak në lidhje me Strategjinë. sa/

Foto: Kuvendi i RMV-së

QËNDRONI TË LIDHUR